Tiranë, 21 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Së shpejt banorët e kryeqytetit do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm e pa probleme në qendër të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka nisur asfaltimin e akseve rrugore në sheshin “Skënderbej” të cilat brenda pak javësh do të jenë të lira. Çka do të thotë se makinat do të lëvizin pa asnjë kufizim në rrethrrotullimin më të rëndësishëm të Tiranës. Punimet do të mbarojnë së shpejti dhe do të krijojnë një aks të qarkullimit të makinave përrreth sheshit “Skënderbej”.
Kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe Bashkia është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës z.Taulant Zeneli shpjegoi sot para mediave, ndërhyrjen në sheshin “Skënderbej”. “Bashkia e Tiranës po punon me ritme të larta për rehabilitimin e sheshit Skënderbej. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës, që mbetet një burim i vazhdueshëm i stresit për qytetarët, dhe i ndotjes së ambjentit. Kjo përsa i përket ndërhyrjeve emergjente.
Ndërkohë, specialistët e Bashkisë, inxhinierët, po shqyrtojnë mundësi të tjera për ndërhyrje afatgjata, në mënyrë që sheshi “Skënderbej” të ndihmojë në trafikun e Tiranës dhe në krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe të mos kthehet në një pengesë apo problem për qytetarët”, - tha sot Zeneli. I pyetur për të ardhmen, Zeneli tha se Sheshi Skënderbej do të ketë hapësira për këmbësorët dhe gjelbërim. a.q/NOA