Nju Jork, 21 shtator 2011, NOA – Një ankand ëndërr... Rreth 400 veshje dhe aksesorë e bizhuteri të mitit hollivudian Elizabeth Taylor do të dalin në shitje nga shtëpia e ankandeve Christie’s në Nju Jork, në 14-15 dhjetorin e ardhshëm. Lajmin e bënë publik përfaqësuesit e shtëpisë së ankandeve Christie. Nxjerrja në ankand në muajin dhjetor të veshjeve, bizhuterive dhe veprave të artit të legjendës së epokës së artë të kinemasë së Hollivudit, Liz Taylor, e shuar nga jeta në 23 marsin e këtij viti në Los Angeles ishte paralajmëruar më herët nga shtëpia e ankandeve. Kjo e fundit lajmëroi pak javë më parë se bizhuteritë e divës së kinemasë që ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare do të dilnin në ankand në 13 dhe 14 dhjetor, ndërkohë që nuk ishte përcaktuar ende data për shitjen e veshjeve, çantave, këpucëve dhe aksesorëve të ndryshëm që përdorte aktorja me sy ngjyrë vjollcë, Elizabetth Taylor. mit/NOA