Nju Jork, 22 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Pak minuta pasi Kuvendi shtyu votimin e 5 ligjeve që kërkonin 84 vota, kryeministri Berisha në një intervistë direkte televizive nga Nju Jork-u deklaroi se, nuk mirepritet një tjetër strategji bllokuese e opozitës në sallën e legjislativit. Duke folur për seksionin shqip të “Zërit të Amerikës”, kryeministri Berisha tha se do të ishte shumë e dëmshme për vendin, nëse e majta shtyrjen e votimit të ligjeve do ta bëjë për të bllokuar proceset integruese. “Kjo situatë është e tëra e krijuar nga qëndrimet bllokuese të opozitës>në mirëpresim propozimet për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Të njëjtën gjë themi edhe për kërkesën e opozitës për të rishqyrtuar në komisionet kuvendore, disa prej projektligjeve të hartuara nga qeveria. Por, ne urojmë që kjo të mos jetë taktikë e re bllokuese e opozitës, gjë e cila do të provohet gjatë javëve në vijim”, ka deklaruar kryeministri Berisha. Në intervistën direkte për “Zërin e Amerikës”, kryeministri është pyetur edhe lidhur me pritshmëritë e qeverisë për vendimin e Brukselit më 12 tetor. “Unë mendoj se Brukseli ka bërë punën e tij, bllokimi ka qenë dhe mbetet në Tiranë. Kapitulli i bllokimit mund të mbyllet duke dëshmuar vullnet të hekurt për të votuar ligjet që duhen”, sqaroi shefi i qeverisë. Ai ka fajësuar opozitën dhe bllokimin që ajo i bëri Kuvendi për disa muaj, sa i takon vonesave në dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE. “Statusi i kandidatit, Shqipërisë i është përcaktuar me kushtet e plotësimit te kërkesave. Qeveria ka plotësuar dhe plotëson kërkesat e saj të cilat nuk kanë nevojën e ligjeve që duan 84 vota. Opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetarët, jo për të votuar, por për të bllokuar, siç provoi të bënte me liberalizimin e vizave. Por, me 8 maj iu dha një përgjigje plebishitare atij bllokimi”, tha Berisha gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork. a.q/NOA