English

Berisha: Problemi i Shqipërisë për në BE, pushteti bllokues i opozitës

E enjte, 22 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Pas punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një prononcim për mediat Kryeministri Berisha ka komentuar situatën në vend. Lidhur me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit para zyrtareve të lartë të Bashkimit Europian Berisha u shpreh se, vendi ynë ka suksese të padiskutueshme në fushat ekonomike, sociale e të tjera, si dhe rezultate të lakmueshme të reformave. Ai theksoi se, “Shqipëria ka një problem, tani që është bërë botërisht e njohur, që qëndron në faktin se opozita nuk do të votojë, por do ta përdorë dhe e ka përdorur pushtetin e vet për të bllokuar. Tani opozita ka shpallur se do të angazhohet në reforma zgjedhore, gjë të cilën ne e mirëpresim, por ka shpallur se nuk do të votojë ligjet me 3/5 dhe ka vendosur një seri kushtesh e ultimatumesh, për të cilat, natyrisht, mendoj se janë qëndrime që kanë qëllim të justifikojnë qëndrimin e saj të mëtejshëm bllokues”. Më tej ai informoi edhe lidhur me takimet e zhvilluara gjatë qëndrimit të tij në New York ku theksoi se gjatë drekës që Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun shtroi për kryetarët e delegacioneve të pranishëm në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u takua me një sërë kryetarësh të delegacioneve ku u shkëmbyen biseda dhe mendime për probleme me interes bilateral dhe të përgjithshëm, bisedova me Presidentin e Çekisë, Austrisë, Kryeministrin e Suedisë, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, të Italisë, të Belgjikës, të Australisë dhe një sërë kryeministra nga vende të ndryshme, kryetarë delegacionesh dhe ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera, të pranishëm në këtë drekë. Berisha tha se gjatë takimeve me ta i njohu me të gjitha zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet rajonale dhe i ftova miqtë të vizitojnë Shqipërinë dhe më premtuan për këtë. Ndërsa lidhur me lobimin e tij për Kosovën Berisha u shpreh se, “Në të gjitha takimet që kam me vendet që nuk e kanë njohur dhe janë qëllim i veçantë, sigurisht çështja kryesore është ajo e Kosovës. Konstatoj se ka një mirëkuptim në rritje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sikundër nuk mund të mohohet se tensionet e krijuara në veri dhe raporti i Dick Martit, ka krijuar edhe ai një lloj shtjellimi që do të kthjellohet tërësisht pas hetimeve serioze që do të ndërmarrë EULEX”. Në vijim të axhendës në New York, Kryeministri Berisha mori pjesë në nisjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sesioni 66-të u hap nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri i vendit, Sali Berisha

KOMENTE