English

FMN: Kriza e borxhit kushton 200 miliardë euro mbi bankat

E enjte, 22 shtator 2011, NOA – Kriza e borxhit Sovran në Eurozonë, do t’u rëndojë bankave të Europës mbi 200 miliardë euro. Në raportin e Stabilitetit Financiar Global, FMN ka evidentuar impaktin direkt që mund të ketë kriza mbi institutet europiane të kreditit. Sipas raportit, bankat duhet të shtojnë kapitalin në mënyrë private , por mund të nevojiten edhe fonde publike. Ndërkohë Banka Qendrore Europiane ka ndërhyrë për herë të dytë brenda javës, në furnizimin me likuiditet në dollarë për bankat e eurozonës. Parashikimet për rritje të ngadaltë ekonomike në vendet e zhvilluara kanë shtuar alarmin në prag të takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahet në Uashington nga 23 deri më 25 shtator. Analistët thonë se debatet ka të ngjarë të përqëndrohen te situata në Evropë. Sistemi financiar botëror po përballet me sfidën më madhe që nga kriza financiare e vitit 2008. Ekonomistët thonë se në takimin e tyre vjetor, hartuesit e politikave evropiane pritet të dëgjojnë se ata nuk janë duke bërë sa duhet për krizën e borxhit, që nuk po jep shenja zgjidhjeje. Ja ç’thotë Domeniko Lombardi, ekspert monetar në Institutin Brookings në Uashington. "Deri tani, evropianët nuk kanë arritur të hartojnë një strategji gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës së eurozonës, e cila tashmë është përhapur”. Mundësia e zgjerimit të krizës si pasojë e një falimentimi financiar të Greqisë, e shoqëruar me rritjen e ngadaltë ekonomike në Shtetet e Bashkuara, po çon, sipas FMN-së, në një fazë të rrezikshme për ekonominë botërore. Kryeekonomisti i FMN-së, Olivie Blanshar thotë se perspektiva e një rigjallërimi global është dobësuar mjaft gjatë tre muajve të fundit. "Tregjet janë bërë më skeptikë në lidhje me aftësinë e politikanëve dhe të qeverive, për të stabilizuar borxhin publik. Shqetësimet janë përhapur nga periferitë e Evropës te vendet më të mëdha si dhe tek të tjerët, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara." Edhe pse diskutimet e këtyre ditëve pritet të përqëndrohen te rivendosja e stabilitetit në ekonomitë e zhvilluara, analistët thonë se thirrjet për veprime ka të ngjarë të vijnë nga ekonomitë me rritje të shpejtë si Kina dhe Brazili, të cilat mbështeten mjaft te eksportet drejt vendeve të zhvilluara. a.q/NOA

KOMENTE