English

Gjykata Administrative rikthehet në rendin e ditës në Kuvend

Tiranë, 22 shtator 2011, NOA – Kuvendi ka nisur seancën e sotme plenare me miratimin e kalendarit trejavor të punimeve për periudhën 26 shtator - 14 tetor 2011. Përkundër kërkesës së PS-së, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli bëri me dije se në rendin e ditës do të jetë diskutimi dhe votimi i ndryshimeve në gjashtë Kodet e Republikës së Shqipërisë, që për t’u miratuar kërkojnë edhe kartonat jeshilë të deputetëve të opozitës në Kuvend. Në seancën e sotme plenare është futur në rendin e ditës edhe Ligji për ngritjen e shtatë Gjykatave Administrative, i cili u hoq nga rendi i ditës javën e shkuar, me kërkesë të opozitës. Ky ligj, i cili është një prej prioriteteve integruese të Shqipërisë mbahet peng i votave të munguara të opozitës prej dy vitesh. Por, ajo që duhet theksuar është se Partia Socialiste ka deklaruar jo vetëm përmes lidershipit të saj Edi Rama se nuk do të japë kartonin jeshil për ligjet me 3/5, duke i cilësuar ata si arna e ligje për t’i hedhur hi syve të Brukselit. Ndërkohë seanca plenare nisi me diskutimin e draftit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ku po dëgjohen përfaqësuesit e komisioneve përgjegjëse të veprimtarive prodhuese dhe integrimit evropian dhe po vijon me pyetje të deputetëve në sallë. mit/NOA

KOMENTE