Tiranë, 22 shtator 2011, NOA- Zëvendës Ministria e Brendshme, Iva Zajmi në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme synojnë të rrisin numrin e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit. Sipas saj, për këto arsye synohet të eliminohen disa pengesa lidhur me pranimin dhe karrierën e grave në Polici. Zajmi deklaroi se, “Ne njoftojmë sot hapjen e një fushate aplikimi për Shkollën Bazë të Policisë së Shtetit vetëm për gra e vajza nga i gjithë vendi. Fushata e aplikimit nis tani dhe zgjat për dy muaj me radhë, deri më 18 nëntor 2011. Ftojmë të gjitha gratë dhe vajzat e interesuara nga i gjithë vendi të aplikojnë pranë Drejtorive të Policisë në Qarqet e tyre për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarat dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë strukturave të burimeve njerëzore në çdo Drejtori Policie në Qark, ku mund të merrni dhe informacionin e nevojshëm për procesin e konkurrimit dhe prezantimin e shanseve të vërteta që u ofrohen për punësim të denjë dhe karrierë profesionale të sigurtë”. Mësohet se për nxitjen e aplikimeve nga vajzat dhe gratë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme nisin një fushatë sensibilizuese dy mujore, e cila do të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit. Fushata mbështetet edhe nga partnerët tanë strategjikë ICITAP, PAMECA, UN Women etj. Përveç Drejtorive të Përgjithshme të Qarqeve, pyetjet dhe shqetësimet tuaja mund t’i drejtoni me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al. Materialet e nevojshme për procesin, do të mund t’i gjeni në faqen e internetit të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al. a.y/NOA
Në foto: Zëvendës Ministria e Brendshme, Iva Zajmi