E enjte, 22 shtator 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto zhvilloi disa takime me homologët gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Ministri Haxhinasto takoi Sekretaren Amerikane të shtetit znj. Hillari Klinton. Gjatë takimit të shkurtër që pati me zonjën Klinton, ku i përsëriti ftesën për të vizituar Shqipërinë, ajo u shpreh se do të vizitojë Shqipërinë në mundësinë më të parë. Një tjetër takim zhvilloi Ministri Haxhinasto me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar. Në takim u diskutuan çështje të integrimit europian të Shqipërisë, ecuria ekonomike e dy vendeve dhe bashkëpunimi i ndërsjellë midis tyre. Çështja e Kosovës dhe përfshirja e saj në organizatat rajonale ishte një ndër temat e diskutuara. Ministri Haxhinasto tha se njohja e statusit të Kosovës është një çështje që nuk duhet të përcaktojë pjesëmarrjen e Kosovës dhe popullit të saj në nismat dhe organizatat rajonale. Kosovarët, qofshin këta shqiptarë, serbë, apo çdo lloj etnie, janë pjesë e rajonit, tha Haxhinasto. Ndërsa homologu i tij slloven u shpreh në favor të përfshirjes së Kosovës në proceset integruese rajonale, si dhe optimist mbi pjesëmarrjen e Serbisë në nismat rajonale ku do të jetë edhe Kosova. Gjatë qëndrimit në New Jork, Ministri Haxhinasto u takua dhe me Ministren e Punëve të Jashtme të Bangladeshit znj. Dipu Moni, me të cilën bisedoi mbi mundësitë e intensifikimit të kontakteve dypalëshe, me synim rritjen e shkëmbimeve, sidomos në fushën e biznesit; konkretizimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit si dhe përmbylljen e marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik e konsullor. Lidhur me çështjen e Kosovës, Dr.Dipu shprehu mirëkuptimin e saj, sepse populli i Bangladeshit ka vuajtur genocid në të kaluarën. Ajo shprehu besimin në zgjidhjen e kësaj çështjeje për të mirën e popullit të Kosovës e të mbarë rajonit. Gjithashtu, Ministri Haxhinasto takoi dhe Ministrin e Jashtëm të Singaporit K. Shanmugan, të cilit i propozoi plotësimin e kuadrit kontraktual mes dy vendeve, shtimin e kontakteve dhe shkëmbimeve ekonomike dhe me interes të përbashkët. Një takim tjetër që ministri Haxhinasto zhvilloi në Nju Jork, ishte ai me ministrin e Jashtëm të Maldiveve, Ahmed Naseem, ku u diskutua nënshkrimi i katër marrëveshjeve të propozuara, si dhe vendimi për 20 të drejta studimi në në arsimin publik në Shqpëri. Ministri Naseem e ftoi ministrin Haxhinasto për vizitë në Maldive. Ministri Haxhinasto pati dhe një takim me Ministrin e Jashtëm të Kepit të Gjelbër, z. Jose Luis Rocha. Në këtë takim, veç të tjerash, Haxhinasto i kërkoi Kepit të Gjelbër të njohë Kosovën. a.y/NOA
Në foto: Haxhinasto me ministrin e Singaporit