English

Kuvend, PS kërkon heqjen nga rendi i ditës i gjashtë kodeve

Tiranë, 22 shtator 2011, NOA – Ashtu siç pritej, Partia Socialiste ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës së seancës plenare të Kuvendit të votimit të gjashtë Kodeve të Republikës, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend, pra të paktën votat e 84 deputetëve. Kjo kërkesë është bërë sot nga kreu i grupit kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi gjatë konferencës së kryetarëve, e mbajtur prej mëse një ore në selinë e Kuvendit. Mësohet se zoti Ruçi ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës sa i përket votimit të gjashtë Kodeve duke nënvizuar se PS nuk do t’i votojë ato. Në rendin e ditës janë përcaktuar të diskutohen dhe votohen ndryshimet në Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin Rrugor, Kodin Ajror, Kodin detar, Kodin hekurudhor. Por, tërheqja e tyre nga rendi i ditës do të vendoset nga kryeparlamentarja Topalli, që në një deklaratë të sajën në fillim të javës i kërkoi opozitës të bashkëpunojë për realizimin e reformave integruese, ku bëjnë pjesë diskutimi dhe votimi i një sërë projektligjesh të rëndësishëm që për t’u miratuar dhe vënë në jetë kërkojnë 84 vota. Ndërkohë kreu i grupit socialist i ka kërkuar kryeparlamentares Jozefina Topalli të vendosë në rend të ditës diskutimin e propozimeve të opozitës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, e dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit ditën e hënë. Gjatë seancës së sotme që pritet të shoqërohet me debate janë thirrur në interpelancë edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili lidhur me skandalin që shoqëroi tenderin e blerjes së pajisjeve spitalore si edhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, i thirrur të sqarojë procesin e regjistrimit të popullsisë, që nis pas dhjetë ditësh. mit/NOA

KOMENTE