Tiranë, 22 shtator 2011, NOA – Seanca e sotme plenare e Kuvendit ka në rend të ditës diskutimin dhe votimin e një sërë projektligjesh, që për t’u miratuar kërkojnë shumicë të cilësuar votash, prej 3/5-ave apo 84 vota. Në rend të ditës në pjesën e parë të seancës janë projektligjet për disa ndryshime në Kodin Penal, Kodin Detar, Kodin Rrugor, Kodin Ajror, Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë në vijim janë edhe projektligjet “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, “Për shërbimin veterinar në RSH, si dhe plotësimi i vendeve vakante në institucione apo edhe miratimi i projektvendimit “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për rregjistrin themeltar të gjendjes civile në Shqipëri”. Gjatë seancës së sotme që do nisë në orën 10.00 do të miratohet procesverbali i seancës plenare dhe kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 26 shtator - 14 tetor 2011. Pas votimit të projektligjeve është thirrur në interpelancë nga deputeti i PS-së Eltar Deda, Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ministri Vasili do të duhet të japë shpjegime mbi skandalin në tenderin për blerjen e pajisjeve spitalore. Kreu i opozitës Edi Rama do të deklaronte dy ditë më parë se me provat rrënqethëse do të përballet me publikun njëri nga krerët më të korruptuar të institucioneve të shtetit, ministri Petrit Vasili. Ky skandal në procedurat e tenderimit bëri që Banka Botërore të anulojë financimin me 1.1 milion dollarë. Pas ministrit Vasili, deputeti, njëherësh kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka thirrur në interpelancë Ministrin për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit Genc Pollo. Është e qartë se në qendër të interpelancës do të jetë Censusi i Popullsisë dhe Banesave i njohur si Regjistrimi i Popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, një projektligj tejet i kundërshtuar nga qarqe shqiptare dhe Aleanca Kuq e Zi, si një ligj antikombëtar dhe q♪7 i shërben interesave greke në vend. Gjithashtu gjatë seancës së sotme, e cila pritet të zgjasë deri pasdite, do të diskutohet edhe për çështje jashtë rendit të ditës në një kohëzgjatje prej 60 minutash. mit/NOA