English

Mediat arabe: Bikini dhe perçe, në plazhet shqiptare

Riad, 22 shtator, NOA – Plazhet shqiptare ofrojnë pamje kontrastuese nga më të çuditshmet. Femra që lahen në det me bikini, e në të njëjtën kohë, femra që zhyten në det me gjithë perçen që i mbulon kokë e këmbë.

Kjo është panorama që jepet përmes një artikulli të veçantë të botuar nga media e njohur arabe “Al Arabiya”, kushtuar vendit tonë me titullin “Bikini dhe perçe në plazhet shqiptare”. Ai rrëfen sesi në këto plazhe janë parë myslimane të devotshme që mbanin perçe në rërën e plazhit dhe në një distancë të shkurtër me to, vajza të tjera me bikini, laheshin në det.

”Kontrasti nuk është në pëlqimin e të gjithëve, por është një testament për traditën shekullore të Shqipërisë, e cila është ajo e tolerancës fetare, që ka mbijetuar gati një gjysmë shekulli të regjimit komunist i cili u përpoq për zhdukjen e të gjitha feve”, citon artikulli në fjalë.

Më tej, ai shton faktin sesi rreth dy të tretat e 3.2 milion banorëve këtij shteti të Mesdheut janë myslimanë. Ndërsa pjesa më e madhe e pjesës tjetër është e krishterë – e ndarë në ortodokse dhe katolike.

Duke përmendur edhe faktin se dukuria e të bërit plazh me perçe, pavarësisht gjë e rrallë në plazhet e Evropës, duket të jetë gjë normale në disa plazhe të Shqipërisë, siç është ai i Spillesë.

”Megjithëse shumica e shqiptarëve janë myslimanë, shumica e tyre janë të moderuar. Vetëm një numër i vogël i grave mund të shihet në rrugët e Tiranës me kokat e mbuluara dhe konsumi i alkoolit, i cili ndalohet në Islam, duket se është një gjë e zakonshme”, shton artikulli për Shqipërinë në “Al Arabiya”.

Ai citon të flasë edhe një grua me emrin Fatime, e cila ka dalë nga deti me mantelin e gjatë të zi, duke thënë: "Islami nuk e ndalon një grua të lahet, por vetëm nëse ajo e mbulon veten e saj në një mënyrë të mirë”.

Në fund, citohet të flasë edhe Ermir Gjinishi, një profesor i studimeve islamike në Tiranë, i cili mendon se Shqipëria duhet të ketë më shumë gra muslimane në plazhe, të ndara nga meshkujt e të lejohen të dalin edhe me kostume banje".

n.e/NOA

KOMENTE
  • Abdulla15:39 - 22 Shtator 2011
    A ke mundesi dhe vend te ndertosh diçka te pershtatshme? mund te thuash nje gje te tille per pishin e jo per plazh