Sot të gjithë prisnin një përgjigje, nëse opozita i ka seriozisht apo jo deklaratat përgjëruese për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian Nga Astrit Patozi Publiku priste sot një provë, nëse i ashtuquajtiri kurs i ri i Partisë Socialiste, është një realitet, apo një taktikë dredharake për të fshehur të njëjtën thikë, që u ngul pas shpine gjatë procesit të liberalizimit të vizave. Sepse ne, partitë politike, politikanët dhe deputetët, nuk gjykohemi dhe vlerësohemi për ato që themi, por kryesisht për ato që bëjmë. Sot ishte rasti që të jepej të paktën një sinjal, se integrimi është agjenda jonë kombëtare, se përpara saj interesat e partive janë të papërfillshme, se i kemi lënë pas jo vetëm stinët e bojkoteve dhe lëvizjeve revolucionare, por edhe debatet shterpë në parlament dhe jashtë tij. Se ajo që shkruhet në programin e të gjitha partive për integrimin, se ajo që shfaqet në rezultatet e të gjitha sondazheve, ku shqiptarët rezultojnë ndër më të eturit për Bashkimin Europian, është udhërrëfyesi i vërtetë politik, jo vetëm i mazhorancës, por edhe i opozitës, Sot duhet të ishte dita që partnerët tanë europianë të shihnin një shenjë se 12 detyrat e shtëpisë që na lanë në fund të vitit të shkuar, pas zhgënjimit për ngërçin artificial, që shkaktoi sindromi i kutisë, kanë nisur të plotësohen. Siç të gjithë e dimë, shumica e këtyre rekomandimeve presin bashkëpunimin e opozitës, pikërisht këtu në parlament. Nuk duhet të kishte asnjë arsye në botë që disa prej Kodeve të Republikës të mos miratohen në këtë seancë, sepse nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim për ndonjë nuancë politike në shqyrtimin e tyre. Dhe sot ato janë në rendin e ditës, për të cilin gjithashtu askush nga Partia Socialiste nuk ka pasur ndonjë rezervë. Nuk duhet të ishte asnjë motiv që reforma zgjedhore të mos fillonte dhe nuk shikoj asnjë pengesë që Avokati i Popullit të mos zgjidhej, ashtu siç edhe kërkohet në mënyrë të qartë në 12 rekomandimet e Komisonit Europian. Por me sa duket një arsye paska... Ndaj edhe ne, si përfaqësues të mazhorancës, për të qenë të sinqertë, nuk prisnim ndonjë gjë të madhe sot, por ndoshta as më vonë se sot. Sepse, për fat të keq, përgjigjen zhgënjyese e kemi marrë tri ditë më parë, kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi me pompozitet se grupi i tij parlamentar nuk do të votojë asnjë nga ligjet me shumicë të cilësuar, të cilët i konsideroi si “arna” dhe “rroma-përtoma”. Ne gjithsesi duhet ta falënderojmë Edi Ramën, që u ngut dhe u tregua më në fund i çiltër, për t’u shfaqur pa doreza, ashtu siç ka qenë gjithë këto vite, duke hedhur në kosh premtimin e bujshëm për një kurs të ri. Por tani që deklaratat dhe ediatoralet e tij janë shndërruar në sjellje politike të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, na duhet që të sqarojmë dhe të informojmë publikun për gjithçka po ndodh. Zoti Rama duhet të dijë dhe mësojë se Ligjet e Integrimit nuk mund të jenë ”rroma-përtoma”, sepse ato janë piketat nga ku ky vend dhe kjo shoqëri pret të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur për të mbërritur në portat e Brukselit. “Rroma përtoma” mund të jenë deklaratat e Edi Ramës dhe të gjithkujt tjetër, por kurrësesi ky proces, nga më të rëndësishmit dhe më jetikët që Shqipëria ka ndërmarrë, jo pa vështirësi dhe pengesa, në këto 20 vjet. Por reformat dhe ligjet e integrimit nuk mund të jenë të tilla edhe për një arsye tjetër. Sepse shumica e tyre, përveçse në komisionet parlamentare, kanë kaluar edhe nëpër filtrat e misioneve dhe agjencive prestigjioze si USAID, EURALIUS etj. dhe unë dua të shpreh mirënjohjen dhe konsideratën tonë për kontributin e tyre të vyer.
Tani meqë kjo ditë mbërriti, më duhet të konstatoj edhe një herë me trishtim se vijon me të njëjtën ritëm linja e depersonalizimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe shkaqet janë të thjeshta. Edi Rama e urren parlamentin për dy arsye, së pari sepse sheh këtu të reflektuar më shumë dhe më mirë se kudo tjetër humbjen e tij. Duke pasur një raport të deformuar me zgjedhjet dhe rezultatin, ai ëndërron dhe pranon vetëm një parlament, që i jep atij shumicën, një ngjarje që mesa duket do të vonojë pafundësisht, apo nuk do të ndodhë kurrë. Së dyti, sepse nuk ka një karrige ku të ulet këtu, por kjo, tek e fundit, nuk është përgjegjësi e askujt prej nesh, por një zgjedhje e lirë e atij vetë. Ndaj edhe nuk e lejon grupin e tij që të shpalosë vizionin apo aftësitë dhe eksperiencën e vet në këtë sallë. Por ne jemi Republikë Parlamentare dhe Partia Socialiste ka një peshë të konsiderueshme politike, sepse përfaqëson më shumë se 40 për qind të kësaj shoqërie. Në rast se do të kishte një kurs të ri, në rast se do të kishte realisht një aksion apo lëvizje për t’u shënuar, ajo pritej të ndodhte pikërisht në këtë sallë, në kryeinstitucioinin e vendit. Ajo që në zhargonin popullor konsiderohet si politika e madhe pritet të ngjizet dhe formësohet pikërisht këtu, sepse këtu ndërmerren nismat, këtu zhvillohen debatet dhe këtu arrihen marrëveshjet e mëdha. Mendoj se është fyese për një grup parlamentar, për çdo deputet dhe për çdo qytetar të lirë, që vendimet dhe qëndrimet e opozitës së vendit t’i mësoje përmes shkrimeve nëpër gazeta të kryetarit. Unë kam respekt për të gjithë ata që shkruajnë editoriale, gjithmonë me kushtin që të jenë të mira. Por në rastin e kryetarit të opozitës, ato mund të ishin një instrument plotësues, por jo që të zëvendësojnë nismat ligjore dhe kushtetuese, që një opozitë dinjitoze ndërmerr në parlament. Është më tepër se naive të mendosh se me të njëjtën taktikë bllokuese, por nën një petk tjetër, opozita po lan duart nga detyrimet e saj për integrimin e vendit dhe pas kësaj mund t’i lindë e drejta të tregojë gishtin e përgjegjësisë tek mazhoranca. Nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë partner ndërkombëtar që të besojë legjendën e kursit të ri, sa kohë që në këtë sallë Partia Socialiste shfaq të njëjtat simptoma të sëmundjes së vjetër. Në seancën e shkuar ne ramë dakord për të shtyrë ligjin për Gjykatën Administrative, ndonëse ishim të bindur se e kemi tepruar aq shumë me zvarritjen e tij, sa jemi bërë qesharakë. Ishte një gjest i thjeshtë për të treguar se kjo mazhorancë nuk ka asnjë qëllim për të vënë në vështirësi dhe ngutje grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Disa ditë më pas përfaqësuesit e opozitës votuan me konsensus amendimet e Kodit Rrugor në Komisionin e Ligjeve. Nuk kam dashur ta besoj lajmin e pasdites se ky qëndrim fare normal kishte shkaktuar tërbimin e kryetarit të Partisë Socialiste. Por të nesërmen në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u hodhën poshtë pas asnjë shkak të gjitha kodet e tjera, duke i dhënë të drejtë lajmësve. Për të ardhur pastaj tek kumti i të hënës për mosvotimin e ligjeve të cilësuara “rroma për toma” prej Ramës. Tani ja ku jemi përballë njëri-tjetrit, më të zhveshur se kurrë nga retorika dhe sofizmat e panevojshme. Përpara kemi disa nga ligjet e integrimit, për të cilat askush prej jush në këto vite nuk e ka thënë një fjalë të keqe. Por jo vetëm kaq. Përpara kemi reformën zgjedhore. A është opozita, pala më e interesuar për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, dhe a është ky një rekomandim i qartë i Komisionit Europian? Madje, na duhet të theksojmë se kemi humbur një vit kohë, dhe kemi lënë të na kalojnë para hundës një palë zgjedhje të tjera, ato të 8 majit, sepse mungonte qartësisht vullneti i njërës palë për të ndryshuar Kodin Elektoral. Si ka mundësi që refuzohet propozimi ynë për të ftuar bashkërisht OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës zgjedhore? Mirë bëni që ngrini stuhi për korrupsionin, sipas jush, të zyrtarëve, duke bërë edhe prokurorin edhe gjykatësin në të njëjtën kohë, pas çdo akuze. Por përveç kësaj, kryeni edhe një detyrim të vogël ndaj qytetarëve, votoni kufizimin e imunitetit në mënyrë që ministrat dhe pushtetarët e tjerë të korruptuar, sipas jush, të jenë gjah më i lehtë për drejtësinë. Ndryshe, mos e mbani kot në dorë, por gjejini një vend tjetër flamurit të rreckosur të antikorrupsionit. Dhe pavarësisht këtyre të gjithave sot keni edhe një mundësi tjetër për t’u bërë të besueshëm. Le të shtyjmë për më vonë në kalendarin e Kuvendit kodet e tjera, për të cilat ju pretendoni se duhet të rikalojnë nëpër komisione, dhe të votojmë bashkërisht Kodin Rrugor, i cili e mori konsensusin e përfaqësuesve tuaj në komisionin e Ligjeve, ndaj dhe nuk ka më nevojë të rishqyrtohet. Unë nuk besoj që ata socialistë, të cilët ngritën dorën atje, e bënë këtë për një ligj “rroma përtoma”. Me këtë rast i ruani edhe nderin kryetarit. Do të ishte një provë, edhe pse e pamjaftueshme, por gjithsesi një gjest i mirëpritur, për të treguar se keni ndërmend të bashkëpunoni për integrimin. Ky do të ishte minimumi që pritet sot prej opozitës. Sepse të shohësh “armikun” tek ish-kryeministri Majko për shkak se ky i fundit votoi Kodin Rrugor të Republikës, është po aq e besueshme sa të kërkosh dhe gjesh përgjegjësinë e humbjes së Tiranës më 8 maj tek Besnik Bare. Por gjithsesi kjo është një çështje e juaja dhe unë nuk kam ndërmend të ndalem atje. Të nderuar kolegë të Partisë Socialiste, Sot është e pamundur që të dyja palët në këtë sallë të fshihen pas retorikës patetike për integrimin. Raportet e BE me Shqipërinë nuk përcaktohen, as nga fjalimet tona dhe as nga kabllogramet e ËIKILEAK-s. Ato mbi të gjitha varen prej qasjes sonë ndaj 12 rekomandimeve, për të cilat ne jemi gati t’i plotësojmë të gjitha, ndërsa ju që të mos i nisim fare, mundësisht. Për ne integrimi është prioriteti sipëror, ndërsa Edi Rama thotë se beteja e PS këtë javë do të përqendrohet tek plehrat, siç edhe ndodhi në fakt. Për ne me pak vullnet do të mjaftonte vetëm një javë për të përmbushur shumicën e detyrimeve, për Edi Ramën opozita ka kauzë të madhe grevën e minatorëve te Bulqizës. Sot u shtua edhe pretendimi i ndryshimeve në rregullore, i cili u paraqit në formë kushti që opozita të lëvizë për reformat e integrimit. Druaj shumë se ky rast do të përdoret njësoj si pseudokauza e kutisë, pra si pretekst për të justifikuar politikat bllokuese, (qofsha i gabuar për ketë). Jemi të hapur t’i shqyrtojmë me seriozitet të gjitha çështjet që trajtohen në nismën tuaj, (tashmë ato janë në programin e punës së Kuvendit), dhe kjo vlen edhe për çdo ligj e vendim tjetër të këtij parlamenti. Por nuk mund të mos e shprehim që sot se çfarë do që të jenë ndryshimet në rregullore, ato nuk mund të krahasohen dhe as mund të zëvendësojnë për nga radha dhe rëndësia ligjet e integrimit. Megjithë vlerësimin që mund të kemi për plehrat, megjithë respektin që mund të kemi për dhimbjen njerëzore që shkakton uria e një greve jopolitike, megjithë rëndësinë që ka çdo rregullore në botë, për ne integrimi mbetet në të gjitha rastet kryeçështja kombëtare. Sot opozita humbi një shans për të treguar një vullnet të ri në komunikimin politik dhe një qasje tjetër në raport me detyrimet e saj për procesin e integrimit të vendit. Por kjo seancë e pati një vlerë, sepse u faktoi të gjithëve se ku qëndron problemi. I vetmi hap që kemi parë deri tani nga Edi Rama është premtimi se bojkoti nuk do të rikthehet dhe se deputetët e PS, që prej 5 shtatorit do ta marrin të plotë rrogën dhe se nuk do të mungojnë më në punë. Por kjo është fare pak dhe fare e pamjaftueshme për një opozitë serioze.
Gjithsesi, ajo që mund të them në mbyllje në emër të mazhorancës është se pavarësisht kësaj historie të pakëndshme dhe pavarësisht se ende nuk shihet ndonjë rreze shprese në horizont, ne nuk kemi ndërmend të humbasim durimin. Do të jemi këtu sërish për t’ju respektuar dhe ftuar njëkohësisht për bashkëpunim, pa u mërzitur. Madje do të vijojmë ta bëjmë këtë edhe atëherë, kur ju vetë do të lodheni duke bërë sikur po ndryshoni.