Tiranë, 22 shtator 2011, NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe në krye të një delegacioni zyrtar, u nis sot për një vizitë zyrtare dyditore në Vjenë, me ftesë të Presidentit të Republikës të Austrisë, Hajnc Fisher. Siç njofton zyra e shtypit e presidencës, Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë një takim e bisedime zyrtare me Presidentin austriak Fisher. Temë qendrore e bisedimeve do të jetë perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm dhe e konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë si dhe forcimi i dialogut politik në nivelet më të larta. Gjatë qëndrimit në Austri, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, do të zhvillojnë një takim edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare që punojnë dhe jetojnë në Austri. a.q/NOA