Athinë, 22 shtator 2011, NOA - Sot trafiku ishte bllokuar edhe në Athinë për shkak të një greve një-ditore të punonjësve grekë të transportit publik dhe shoferëve të taksive, lidhur me shkurtimet buxhetore nga qeveria. Në grevë u përfshinë edhe kontrollorët e trafikut, që shkaktoi anulimin, apo shtyrjen e fluturimeve. Greva filloi një ditë pasi qeveria tha se do të zbatojë masa shtrënguese ekonomike në përpjekje për të bindur kreditorët ndërkombëtarë se ajo meriton këstin tjetër të paketës së shpëtimit ekonomik për të shmangur mospagimin muajin e ardhëshëm. Qeveria greke tha dje se do të ngrejë numrin e nëpunësve që do të marrin vetëm 60 përqind të rrogës së zakonshme, do të ulë pensionet e një pjese të popullatës dhe do të ulë shumën e pataksueshme të rrogave të ulta të punonjësve. a.q/NOA