"Kanë mbetur rreth 20 ditë nga publikimi i progres-raportit. Para kemi një axhendë. S'ështe paketa Ruçi. Është axhenda e integrimit. Ky është kusht që raporti të jetë pozitiv. Ndoshta sot është shansi i fundit. Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota. Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita. Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë Nga Jozefina Topalli "Kanë mbetur rreth 20 ditë nga publikimi i progres-raportit. Para kemi një axhendë. S'ështe paketa Ruçi. Është axhenda e integrimit. Ky është kusht që raporti të jetë pozitiv. Ndoshta sot është shansi i fundit. Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota. Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita. Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë. Për fatin e keq, statusi nuk varet vetëm nga maxhoranca. Vizat vareshin nga maxhoranca. Dhe ato u hoqën. Statusi varet nga opozita. Sot, pa votën PRO, tuajën të nderuar kolegë Shqipëria mund të pengohet. Unë kam respekt për burrat. Burrat e mbajnë fjalën. Ndaj ne themi “fjala e burrit”. Burrat nuk gënjejnë, të paktën kështu thuhet. Por, 3-javë më parë, z. Rama tha se do të votojmë. 3-ditë më parë, z. Rama tha të hiqen nga axhenda, pra nuk do të votojmë. Sot, unë Ju drejtohem Ju zotërinj deputetë. Të dashur kolegë. Ne duhet të punojmë bashkë. Dhe kjo është e mundur. Ne vimë nga parti të ndryshme, nga zona te ndryshme, nga histori të ndryshme. Por ne jemi shqiptarë. Le të jemi të ndershëm me vehten. Ne rrimë bashkë me njëri-tjetrin. Ne diskutojmë me njëri-tjetrin. Ne dimë të punojmë me njëri-tjetrin. Kemi bërë ndryshime të mëdha në ligje, 3 vite më parë. Ne jemi të hapur për t’ju dëgjuar. Ne do të shqyrtojmë me seriozitet propozimet tuaja edhe për Rregulloren e Kuvendit. . Integrimi nuk pranon kushte. Ne nuk vendosim kushte për integrimin. Ne duam të rrisim standardet. Ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Ne jemi shqiptarë. Ne jemi evropianë. Maxhoranca ka bërë oferta. Oferta, që kur unë isha në opozitë nuk ndodhnin. Oferta që Ju të sillni emrin e Avokatit te Popullit është unike. Nuk ndodh kund. Ti opozitë propozo, unë maxhorancë votoj. Oferta, që opozita bazuar në rekomandimet të ODIHR të propozojë e maxhoranca të votojë është unike. Nuk ndodh kund në botë. Kryetari i Grupit Parlamentar, z. Astrit Patozi zyrtarisht Ju ka ofruar “t’i kërkojmë ODIHR të na asistojë”. Kjo është një tjetër garanci për opozitën. Por përgjigje nuk ka. Axhenda e integrimit, kërkon votën tuaj. Ëndrra e shqiptarëve sot varet nga vota juaj. Projekti Shqipërisë në Europë është bllokuar nga bojkoti juaj. Aspirata e shqiptarëve Ju thërret në detyrë. Si shqiptare, si politikane, Ju ftoj me sinqeritet e seriozitet. Votoni. Zotërinj deputete, kolegë të dashur. Votoni. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot ndoshta është shanci i fundit për statusin. Çdokush në këtë sallë, çdo deputet këtu mban përgjegjësi. Ne duam të punojmë bashkë. Ne sot duhet të votojmë bashkë. Të ndalim shfaqjen politike dhe të bëjmë vepër konkrete për statusin. Zëri i secilit prej jush është i rëndësishëm . Vota e secilit prej jush do të ketë një ndikim. Miratimi i ligjeve të axhendës së integrimit do bëjnë qe ne të bëjmë hap para. Të miratojmë këto ligje. Të votojmë ligjin për Gjykatën Administrative, që nesër të mos thoni që jemi të fundit. Të votojmë emrin që Ju dëshironi për Avokatin e Popullit, që nesër të mos thoni që jemi të fundit. Te gremë Komisionin për Reformën Zgjedhore, që në 13 tetor të mos thoni që jemi të fundit. Gjithsecili duhet të bëjë atë që i takon. Duhet të pyesim veten, qoftë për një sekondë. Ç’është më e mira për Shqipërinë jo thjesht ç’është më e mira ime, (në fakt nuk është as e mira juaj). Shqipëria ka humbur 2 vite nga bllokimi e bojkoti. Nga 12 tetori na ndajnë 20 ditë. Nuk mund të presim më. Sot Shqipëria, nuk ka luksin të humbë edhe një vit tjetër. Jemi të vonuar. Bojkoti ka dëmtuar. Ne nuk jemi një popull qe rrimë duarkryq. Ne jemi shqiptarë. Ne bëjmë që gjërat të ndodhin. Jemi më të mëdhenj se vogëlsitë e politikës. Ne jemi patriotë e jemi të përgjegjshëm. Ne do të shkruajmë fatin tonë. Mos bllokoni Shqipërinë. Tani është në dorën tuaj. Votoni!