English

Statusi në BE, Kuvendi arenë “fajtorësh” politikë

Tiranë, 22 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Salla e Kuvendit u shndërrua sotnjë maratonë deklaratash e akuzash mes së majtës e së djathtës, ku “Thembra e Akilit” mbetën 6 kodet të cilat duhet të votoheshin me 84 vota, pra me votat e demokratëve dhe socialistëve. Afro 6 orë pas fillimit të seancës, Kuvendi shtyu votimin e pr/ligjeve të cilat duhen miratuar me 84 vota, ose me tre të pestat e votave te deputeteve, dhe për të cilat opozita kërkon rishqyrtimin në komisione. Rendi i ditës i seancës së sotme e cila nisi rreth orës 10:00 përmbante disa shtesa dhe ndryshime nenesh në Kodin Civil të vitit 1994, në Kodin Penal të vitit 1995, në Kodin Rrugor të vitit 1998, në Kodin Detar të vitit 2004, në Kodin Hekurudhor po të vitit 2004 dhe në Kodin Ajror të vitit 2008 në Republikën e Shqipërisë. Por ndryshimet nuk mund të miratohen pa bashkimin e votave të opozitës me shumicën parlamentare.

E majta: Ja 10 pikat tona të dialogut

Gjatë orëve të ditës, opozita nëpërmjet kreut të grupit kuvendor, Gramoz Ruçi deklaroi se nuk do të votonte pr/ligjet nëse nuk do të nisnin reformat duke zgjidhur fillimisht krizën politike dhe ndryshimet në rregulloren e parlamentit. Ruçi i paraqiti maxhorancës një paketë me 10 pika, për të cila, duhet të nisin negociatat në tryezë duke filluar nga gjetja e një zgjidhje për krizën politike në vend, si një kërkesë e Brukselit. "Opozita e ka bërë hapin e saj, ne ju kemi çuar një paketë. Sot do të ishte shumë mirë që të diskutohej dhe t’i jepej një mesazh Brukselit", tha ai. “Korrupsionin nuk ua sollëm ne, ne jemi këtu. Urdhëroni të bëjmë një paketë për të luftuar korrupsionin. Ajo që na ka lënë jashtë, është shkalla e lartë e kriminalitetit. Hajde të ulemi të bëjmë një paketë për të luftuar kriminalitetin, kjo fillon nga administrata, të cilët i keni emëruar ju, nuk është përgjegjësi e opozitës. Ju po lanconi Avokatin e Popullit. Nuk duam emër të përveçëm. Kemi qenë në pushtet, në maxhorancë dhe kemi pasur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur presidentin me 84 vota, por pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Jemi gati të ulemi të negociojmë për institucionet e pavarura”- theksoi Ruçi

E djathta: PS qëndrim bllokues

Menjëherë, kryetari i grupit parlamentar demokrat , Patozi deklaroi se maxhoranca nuk bën pazar me çështjen e integrimit, dhe akuzoi opozitën se po bëhet pengesë duke bllokuar reformat. "Me taktikën bllokuese opozita kërkon të bllokojë parlamentin. Ramë dakord që të shtynim ligjin e Gjykatës Administrative si gjest për të treguar se kemi qëllim për të bashkëpunuar“- nënvizoi Patozi duke i kujtuar opozitës se refuzuan propozimin e PD-së për të thirrur asistencën e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. "Integrimi për ne, mbetet kryeçështja kombëtare. Sot opozita humbi shansin për të treguar vullentin politik. Por kjo seancë u faktoi të gjithëve se ku qëndron problemi. Kemi hasur në negociata të reja. Ne zotërinj të pozitës ua themi qartë e pastër: Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin. Nëse ju e konsideroni tender, nëse mendoni se bashkëpunimi juaj duhet të marrë në këmbim pushtetesh, gaboheni rëndë. Pavarësisht kësaj historie të pakëndshme, ne nuk kemi ndërmend të humbasim durimin dhe ju ftojmë për bashkëpunim", u shpreh Patozi duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Kryeparlamentarja Topalli kërkoi sërish sot votën e opozitës për integrimin, duke ftuar deputetët e majtë të votojnë sot. “Që Shqipëria të ecë drejt integrimit statusi varet nga opozita. Pa votën tuaj kolegë të opozitës Shqipërisë mund ti pengohet integrimi. Unë kam respekt për burrat, ata e mbajën fjalën nuk gënjejnë. Javë më parë Rama tha se do votojmë, ndërsa 3 ditë më parë tha se nuk do votojmë”, tha Topalli. Sipas kryeparlamentares Kuvendi do shqyrtojë cdo kërkesë të opozitës, por fillimisht nuk duhet bllokuar integrimi.“Ne jemi të hapur për t’ju dëgjur, do shqyrtojmë edhe kërkesën për rregulloren e Kuvendit. Por integrimi nuk pranon kushte, ne nuk pranojmë kushte për integrimin. Ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Mazhoranca ka bërë oferta. Si politikane ju ftoj me sinqeritet, votoni ligjet që keni para. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot mbajmë përgjegjësi për statusin, të punojmë bashkë, të votojmë bashkë, sot vota juaj do ketë një ndikim. Ti miratojmë këto ligje zotërinj deputetë që të mos themni nesër që pse jemi të fundit. Mos bllokoni Shqipërinë, votoni tani, mos na thoni në 13 tetor pse jemi të fundit, do mbani përgjegjësi”, deklaroi kryetarja e Kuvendit. Me kërkesë të kreut të deputetëve demokratë, Topalli njoftoi ndërprerjen disaminutëshe të seancës, pas së cilës u vendos shtyrja e votimit të 6 kodeve.

Ligjet e miratuara dhe interpelancat

Por, gjatë ditës, opozita kundërshtoi miratimin e ligjit për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme për industrinë vendase, pasi siç u shprehën deputetët e opozitës, miratimi i këtij ligji do t'i hapë rrugë futjes në vend të lëndëve të rrezikshme, ligj i cili u votua me votat e mazhorancës. Seanca e kësaj të enjte ka përfunduar me dy interpelancat që opozita kërkoi me ministrin e shëndetësisë Vasili dhe atë të teknoligjisë Pollo, lidhur me tenderin pë barnat si dhe censusin. a.q/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi00:51 - 23 Shtator 2011
    Perseri do vazhdoje ngerci midis PD-PS,deri kur?.