Administrata e Obamës, e cila ka humbur gjashtë muaj duke iu kërkuar palestinezëve të ndryshojnë mendje, mund të mbyllë zyrën e përfaqësuesit palestinez në Nju Jork, “në këmbim” të kërkesës së tyre për shtetësi
A kanë palestinezët të drejtë për shtet? Kurdët, një nga grupet më të vjetra etnike në botë, nuk kanë shtet. Shtet nuk kanë as tamilët e Shri Lankës, as ujgurët dhe tibetianët e Kinës, as baskët e Spanjës, as çeçenët e Rusisë e as flamistët e Belgjikës.
Lista e popujve me pretendime të mundshme për shtetësi është po aq e gjatë sa numri i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara – në mos më e gjatë.
Por, kur Kombet e Bashkuara të nisin takimin vjetor këtë javë, sesioni pritet të dominohet nga përpjekjet e Autoritetit Palestinez për të kërkuar shtetësi.
Fillimisht, Autoriteti Palestinez do të aplikojë për anëtarësim të plotë në OKB në Këshillin e Sigurimit, ku administrata e Obamës ka premtuar se do të vërë veto. Më pastaj, Asambleja e Përgjithshme do të votojë për “statusin e shtetit vëzhgues” për palestinezët, çfarë është e sigurt se do të kalojë me dy të tretat e shumicës.
Votimi në OKB nuk do të krijojë shtetin palestinez dhe ka gjasë të vonojë krijimin e tij ndoshta me vite. Ai nuk do të largojë vendbanimet izraelite nga Bregu Perëndimor, por mund t’i japë shkak Izraelit të përshpejtojë ritmin e ndërtimit.
Ai po ashtu mund të nxisë Izraelin të ndërmarrë masa të ndryshme ndëshkimore kundër palestinezëve, përfshirë ngrirjen e transferimeve të taksave në vlerë prej 100 milionë dollarësh në muaj. Kongresi i Shteteve të Bashkuara mund ta ndjekë një gjë të tillë, duke ndërprerë ndihmën vjetore për palestinezët, e cila kap shumën e 600 milionë dollarëve.
Përse atëherë palestinezët këmbëngulin? Njëri nga shpjegimet është se ata duan ta përdorin ofertën për shtetësi si strategji për të detyruar Izraelin të pajtohet me kërkesa të ndryshme, përfshirë ndalesën e ndërtimit të vendbanimeve.
Por, presidenti palestinez, Mahmud Abas, ofroi një aluzion të ambicieve të tij të vërteta kur shkroi në “New York Times” se “pranimi i Palestinës në Kombet e Bashkuara do të hapë rrugën për ndërkombëtarizimin e konfliktit si një çështje ligjore, e jo vetëm si çështje politike”.
Ai po ashtu pat shkruar se një gjë e tillë do të hapte rrugën për ndjekje penale të Izraelit.
Kjo nuk nënkupton rezoluta të kota të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por ndalesa udhëtimi dhe urdhër-arreste ndërkombëtare për ushtarët izraelitë, të përfshirë në “okupimin” e një shteti të supozuar sovran.
Me fjalë të tjera, ajo çfarë palestinezët kërkojnë nga votimi në Kombet e Bashkuara nuk është një afirmim i së drejtës së tyre për shtet, porse një mjet më tepër në fushatën e tyre të vazhdueshme për të sulmuar, delegjitimizuar dhe në fund shkatërruar Izraelin.
“Ne do të shfaqim pakënaqësi, sepse si palestinezë kemi qenë të pushtuar për 63 vjet”, tha Abas një tjetër ditë. Kjo është një tjetër mënyrë për të thënë se pushtimi, nga këndvështrimi i Abasit, ka nisur me krijimin e shtetit të Izraelit në vitin 1948 dhe jo me marrjen e Bregut Perëndimor dhe të Gazas nga ana e Izraelit, pas luftës së vitit 1967, e cila kërcënonte vetë ekzistencën e Izraelit.
Por, administrata e Obamës, e cila ka humbur gjashtë muaj duke iu kërkuar palestinezëve të ndryshojnë mendje, mund të mbyllë zyrën e përfaqësuesit palestinez në Nju Jork, “në këmbim” të kërkesës së tyre për shtetësi.