English

Demaskimi i Thaçit

Qeveria e Kosovës po shërbehet me formula të vjetra, me formula tipike për vitet e ’90-ta dhe LDK-në, kur besohej që zgjidhja vjen veçse nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Qeveria e Kosovës po i bën thirrje KFOR-it e EULEX-it që të intervenojnë. Mirëpo, këta janë organizma neutralë karshi statusit që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Me këtë mënyrë, Kosovës nuk do t’i shtohet sovraniteti ose integriteti territorial por dialogut me Serbinë do t’i shtohen temat e reja dhe kompromiset përkatëse Nga Albin Kurti Në vitet e ’90-ta, ndonëse ishte i pamjaftueshëm, ndërkombëtarizimi ishte i nevojshëm dhe i dobishëm: e bënte Kosovën një çështje duke e nxjerrur atë politikisht nga sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë. Sot, kur vetë Kosova duhet të bëhet sovrane dhe me integritet territorial, kombëtarizimi, dhe jo më ndërkombëtarizimi, paraqet qasjen e duhur.

Kryeministri Thaçi po thotë që e ka demaskuar Serbinë. Shqiptarët e kanë njohur mirë Serbinë dhe s’ke pasur se çfarë iu demaskon atyre. Thaçi me siguri po mendon që e ka demaskuar Serbinë para ndërkombëtarëve. Ama, edhe nëse ka ndodhur kjo, atëherë bëhet fjalë për maskën e Serbisë që vetë Thaçi ia pat vënë asaj përmes bisedimeve me të. Duke iu falenderuar buzëqeshjeve dhe shtrëngimit të duarve midis Editës e Borkos në Bruksel, Serbia po dukej ashtu siç nuk është.

E, megjithatë, mbase Thaçi mendon se po e demaskon Serbinë edhe para shqiptarëve: po iu tregon atyre se sa të fuqishme janë strukturat e Serbisë në veri, prandaj ata nuk do të duhej të befasoheshin kur të nisin negociatat për autonominë e veriut (sic.). Ndoshta Thaçi beson që shqiptarët kanë harruar disi se sa e fuqishme është Serbia, andaj ky duhet t’ua përkujtojë atyre këtë gjë para se të lëshojë pe në Bruksel. Kësisoj, demaskimi qeveritar i Serbisë para shqiptarëve të Kosovës nuk është demaskim i saj si shtet armiqësor e kriminal, por si shtet i fuqishëm.

veri të Kosovës po krijohet gjendje e faktit të kryer. As në kohën e Milosheviqit strukturat e Serbisë në veri nuk kanë qenë kaq të mobilizuara e serbët nuk kanë qenë kaq homogjenë. Gjestet me helikopter të kryeministrit Thaçi e thelluan ndarjen e veriut si asnjëherë tjetër. Hapat taktikë qeveritarë të Thaçit tash po vihen në shërbim të planit strategjik shtetëror të Serbisë.

Strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë në veri e kanë shtuar dukshëm praninë dhe kontrollin atje. Ato kanë bllokuar çdo rrugë të mundshme në pjesën veriore duke na kthyer 20 vjet prapa (thua se ndodhemi në kohën e shkatërrimit të shtetit të Jugosllavisë dhe jo në atë të ndërtimit të shtetit të Kosovës).

Qeveria e Kosovës është fiksuar me dy pikat kufitare veriore. Ajo po e shpërfill jetën e pasigurt e në ankth të 4.000 shqiptarëve në veri dhe faktin se në veri të lumit Ibër ndodhet 1/5 e territorit të Kosovës. Pikat 1 dhe 31 janë krejt çfarë sheh e dëshiron të shohë në veri Qeveria e Kosovës. Televizionet dhe gazetat qeveritare e ushtrojnë hegjemoninë e kësaj pikëpamjeje të ngushtë.

Kryeministri Thaçi po orvatet që shteti i Kosovës ta humbasë veriun, ndërsa Qeveria e tij të mos e humbasë pushtetin. E gjithë sfida qeveritare konsiston në këtë pikë. Pra, në fakt, është veçse një pikë, jo dy sosh, që përbëjnë preokupimin e kryeministrit Thaçi. Si të shkarkohen nga barra që quhet veri i Kosovës dhe, përkundër kësaj, të mos e humbasin pushtetin. Si ta rrudhin shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht ta ruajnë pushtetin mbi Kosovën. Kjo është çështja, e vetmja çështje për këtë Qeveri.

Pikërisht për këtë arsye, Thaçi nuk i ka problem strukturat e Serbisë në veri të Kosovës, por opozitën politike në Prishtinë. Ai nuk e ka hall që strukturat e Serbisë do t’ia marrin një copë shtetit të Kosovës. Ai shqetësohet vetëm nëse dikush do të mund t’ia marrë pushtetin atij.

Prioriteti i kryeministrit kosovar për pushtet në llogari të shtetit të Kosovës, e bën Thaçin aleat me strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë. Sepse, ato struktura e duan një kryeministër kosovar që nuk i lufton ato por fiksohet vetëm te pikat veriore kufitare. Në anën tjetër, kryeministrin Thaçi nuk e brengosin strukturat e Serbisë përderisa dihet që ato nuk duan t’ia marrin pushtetin këtij në Prishtinë.

Veriu i Kosovës nuk është barrë për Kosovën ashtu siç e konsideron atë Qeveria e Kosovës. Përkundrazi, veriu i Kosovës është vendbanim për popullin dhe pasuri e Kosovës. Kjo Qeveri e Kosovës është barrë për Kosovën.

KOMENTE