Bulqizë, 23 shtator 2011, NOA – Greva e dytë e urisë e minatorëve të Bulqizës ka mbërritur në ditën e pestë. Bashkë me rritjen e numrit të ditëve të ngujimit janë shtuar edhe problemet e shëndetit të tyre. Marrje fryme, dhimbje koke e këputje janë disa nga shqetësimet shëndetësore që paraqesin minatorët në këto ditë të përsëritura grevë urie. Dhjetë minatorët u ngujuan në një lokal të marrë me qera në përpjekje që kompania Albanian Crom t’u përmbushë edhe kërkesën e fundit, që është ajo e largimit të drejtorit aktual të minierës së kromit, dhe vendosjen aty të një drejtori të ri. Jashtë mjediseve të lokalit ku dhjetë grevistë nga afro 700 minatorë të minierës kromit janë ngujuar në përpjekje për të arritur edhe këtë kërkesë ndaj kompanisë ACR, zhvillojnë përditë protestën e tyre në mbrojtje të grevistëve minatorët e tjerë, familjarë të të ngujuarve dhe qytetarë të zonës. Pas një greve të parë 27 ditëshe protesta e minatorëve ndaj kompanisë koncensionare po mbush këto ditë të 90 ditët. 90 ditë protestë dhe ende një marrëveshje që do t’i jepte fund ndërprerjes së punës në minierë. Ndërkohë që kompania ACR i ka pranuar të tëra kërkesat e minatorëve, rritjen e pagës me 20 përqind, pagesën e plotë të një muaji greve, pagën e 13-të, nisjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në minierë dhe të sigurisë në punë, kjo kërkesë e paplotësuar është cilësuar nga ACR si një kërkesë që bëhet për interesat e personave që fshihen pas sindikatës. Për këtë arsye kompania ende nuk po bie dakord me kërkesën duke lënë në vend numëro edhe zgjidhjen e kërkesave të grevistëve dhe duke përkeqësuar gjendjen shëndetësore të tyre. mit/NOA