Nju Jork, 23 shtator 2011, NOA – Gjatë vizitës së saj në Nju Jork në kuadër të sesionit të 66-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte mes liderëve botërorë në pritjen vjetore të organizuar enkas për ta nga Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama. Mes krerëve të shteteve dhe qeverive, Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim me Presidentin amerikan, Barak Obama. Presidentja Jahjaga ishte e ftuar edhe në pritjen e organizuar nga ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, në kuadër të aktiviteteve të “Clinton Global Initiative”, gjatë të cilës zonja Jahjaga pati një takim të veçantë me ish-presidentin Klinton, me të cilin diskutoi një varg çështjesh me interes. Presidentja e Kosovës u takua edhe me ish-të dërguarin e SHBA-ve në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadorin Frank Visner, me të cilin diskutoi për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe rrjedhën e reformave të brendshme, të cilat janë të nevojshme për arritjen e synimeve strategjike të shtetit të Kosovës. Në kuadër të kësaj bisede, presidentja Jahjaga e njoftoi ambasadorin Visner për idenë e krijimit të iniciativës “Miqtë e Kosovës” dhe e ftoi atë të jetë pjesë e rrjetit që ka për qëllim shtrirjen e përpjekjeve diplomatike në vendet, me të cilat Kosova nuk ka ende marrëdhënie zyrtare. Visner premtoi përkrahjen e tij të vazhdueshme për procesin e njohjeve dhe të integrimeve në strukturat euroatlantike. Ai u shpreh se ndjehej i nderuar për ftesën e presidentes Jahjaga që të japë kontributin e tij për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe promovimin e saj në kuadër të iniciativës. Presidentja e kosovës Atifete Jahjaga mori pjesë edhe në takimin me përfaqësuesit e Rrjetit të Ndërmarrësve Profesionistë Shqiptarë (APEN), ku mbajti edhe një fjalim. mit/NOA
Në Foto: Zonja e parë e SHBA-ve, Mishel Obama, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Presidenti i SHBA-ve, Barack obama