Qëndrimi për procesin e derisotëm të hartimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe angazhimi i opozitës për një proces konsensual mbi një vizion të përbashkët integrues Nga Edi Rama Në kushtet kur përsëri, një dështim i dytë për Shqipërinë po troket fatalisht në derë, dhe kur përsëri e përsëri qeveria po tregon se nuk që do ta kuptojë ç’është integrimi europian, sepse nuk është e interesuar për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndjej detyrimin të bëj një sqarim të plotë publik dhe ta ftoj Grupin Parlamentar të paraqesë në Kuvend me shkrim vizionin tonë për procesin e nevojshëm për miratimin e ligjeve që kërkojnë konsensus si edhe të angazhohet pa asnjë rezervë për një proces konsensual mbi një vizion të përbashkët integrues. Paraprakisht dua të nënvizoj se ne kemi bërë gjithë sa na takon për të krijuar kushtet që kërkon procesi dhe adresuar ato prioritete ku rolin tonë s’mund ta luajë askush tjetër për ne. Askush tjetër nuk mund të jetë prezent për ne në parlament në emër të opozitës dhe ne jemi prezent plotësisht, pjesëmarrës në çdo seancë e në çdo proces votimi. Kështu kemi plotësuar kushtin e parë që është për ne dhe vetëm për ne. Askush tjetër nuk mund ta bëjë të mundur për ne pjesëmarrjen në reformën e procedurave parlamentare dhe të institucionit të parlamentit që janë kritikuar fort nga Bashkimi Europian. Prandaj edhe i kemi paraqitur Kuvendit draftin e ndryshimit konsensual të procedurave duke mos kërkuar asgjë më shumë sesa liritë e të drejtat që gëzonin në sallën e parlamentit, kur ishin në opozitë, ata që pasi erdhën në pushtet e kanë ndryshuar katër herë rregulloren vetëm me kartonët e shumicës dhe shkelin në çdo seancë të drejtat e opozitës. I siguroj Saliun e spikeren se kthimi me votë të përbashkët në konsensusin e 6 viteve më parë për funksionimin e bashkëjetesës qeveri-opozitë në sallën e parlamentit me standarde normale europiane është një sinjal shumë më kumbues për Bashkimin Europian në prag të përgjigjes që presim prej tij, sesa një arnë në Kodin Rrugor. Ashtu sikundër i siguroj se pranimi në parim e në elementët themelorë i një reforme të institucionit të parlamentit, bazuar në modelet europiane për të korrigjuar të gjitha defektet e rënda që Raporti i Progresit ka konstatuar jo si defekte të opozitës, po si defekte që shtrihen nga administrata e Kuvendit tek zonja spikere, e cila edhe sipas Brukselit zyrtar e keqdrejton Kuvendin e Shqipërisë, do të ishte për Brukselin në këto momente një mesazh shumë më kuptimplotë sesa një arnë në Kodin Detar. Integrimi i parlamentit shqiptar si institucion e si procedurë legjislative në kornizën europiane të integrimit të Shqipërisë është A-ja pa të cilën Shqipëria duhet ta harrojë përgjigjen pozitive të Bashkimit Europian në tetor edhe sikur të arnojë symbyllur tërë kodet që qeveria ka depozituar tash dy vjet në përpjekjen e kotë për t’i hedhur hi syve Brukselit, ashtu siç duhet ta harrojnë edhe Saliu edhe spikerja e tij në majë të podiumit më të lartë që mund të fajësojnë opozitën për bllokim kur mbajnë peng parlamentin në gjendjen e prapranueshme që përshkruhet më së miri në Raportin e Komisionit Europian. S’bëhet pa opozitën as Reforma Zgjedhore e askush s’mund ta bëjë pjesën tonë për ne në tryezën e asaj reforme. Prandaj edhe ishim të parët që caktuam përfaqësuesit tanë për të shkruar me palën tjetër metodologjinë e procesit. Nuk habitem që paturpësisht thuhet nga Saliu e nga spikerja që s’ka marrë përgjigje letra e kryetarit të Grupit të tyre Parlamentar për këtë reformë, por informoj publikun se dy përfaqësuesit tanë po dialogojnë me dy përfaqësuesit e tyre për një marrëveshje parimesh mbi të cilat do të fillojë punën Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore. Këto janë detyrimet e drejtpërdrejta të opozitës që burojnë nga objektiviteti i gjërave dhe nga vetë Raporti i Bashkimit Europian. Për këto opozita është shprehur publikisht dhe ka vepruar e para, sepse ne e kuptojmë ç’është integrimi europian pasi na intereson si përfaqësues të interesit kombëtar e publik, po edhe si thjesht si opozitë përshpejtimi i procesit të integrimit, i cili s’i intereson vetëm pushtetit të Saliut që nëpërmjet statusit të kandidatit do hynte në lente të madhe vëzhgimi ku s’do mund të bënte shumë nga paudhësitë që bën sot ditën për diell. Opozita ka vetëm fjalën dhe votën. Fjalët e saj që nuk dëgjohen në asnjë rast e në asnjë presje nga qeveria s’mund të shërojnë plagët e rënda të keqqeverisjes që ka nxjerrë në pah Raporti i Progresit, ndërsa votën në Kuvend ne do ta japim vetëm kur çka ofrohet të përputhet me vizionin tonë për shtetin europian të shqiptarëve. Që kjo të ndodhë nuk është as e pamundur as e vështirë nëse qeveria do votën tonë, sepse ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standardet e me kërkesat e Bashkimit Europian. Por të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me depozitën e projekteve të qeverisë që kërkojnë 3/5-at e votave, s’është detyrimi i opozitës t’i votojë pse thotë Saliu, po është detyrimi i Saliut t’ia nënshtrojë një procesi të ndryshëm nga ai që është mësuar të përdorë kur kalon ligje me kartonët e ushtarëve të tij. Ja çfarë propozoj publikisht lidhur me këtë aspekt që të mos ketë as keqkuptime dashamirësish të Shqipërisë, as spekulime të qëllimshme, dhe fryma europiane të karakterizojë të gjithë procesin politik për ta përshpejtuar rrugën e Europës e për t’i dhënë një shans të fundit para 12 tetorit mundësisë së marrjes së statusit të kandidatit për Shqipërinë: Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa: 1. Të votojmë konsensualisht rregullat e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. 2. Të ngremë menjëherë një komision të përbashkët parlamentar ad hoc për të miratuar brenda muajit dhjetor reformën institucionale të parlamentit bazuar në të gjitha defektet e evidentuara nga Komisioni Europian dhe me asistencën teknike të OSBE-së. 3. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda marsit të vitit 2012 bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE/ODHIR-it duke rënë dakord se çdo propozim i Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor që merr dritën jeshile të ODHIR-it dhe/ose Komisionit të Venecias pasi gjendet në përputhje me standardet ndërkombëtare miratohet me konsensus, si edhe të përfshijmë në procesin e kësaj reforme një ekspert me përvojë të sugjeruar nga ODIHR-i. 4. Të adresojmë me një proces konsensualisht të dakordësuar zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku opozita s’ka asnjë pretendim tjetër përveç njohjes të së drejtës së saj për të propozuar 3 nga 9 anëtarët e rinj të këtij këshilli dhe të votojmë konsensualisht kandidatin e përzgjedhur në bazë të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës për detyrën e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. 5. Të zgjedhim konsensualisht Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës dhe t’i ofrojmë paraprakisht presidentit një profil të parapëlqyer jo si emër po si staturë publike, duke përjashtuar çdo kandidaturë që vjen nga dy partitë e mëdha apo ka qenë ndonjëherë anëtar i njërës prej tyre. 6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit duke votuar bashkërisht për një figurë publike që nuk ka milituar në radhët e dy partive të mëdha. 7. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që brenda këtij sesioni të legjislaturës të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad hoc konstitucionalistësh si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti sipas fushave, ku duhet të përfshihen në një proces të hapur e plotësisht transparent për publikun edhe të gjitha grupet përkatëse të interesit, çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë. Mbi këtë bazë të japim dakordësinë se do të votojmë çdo produkt të këtij procesi, i cili duhet të administrohet me të njëjtat parime të vlefshme për procesin e reformës zgjedhore: Bashkëdrejtim, konsensus për çdo çështje e nen mbështetur mbi kriterin themelor të përputhjes së legjislacionit tonë me standardet europiane dhe me moto pune rekomandimin e Bashkimit Europian se “Qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE”. 8. Të biem dakord se kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikës së gabuar pa konsultime publike dhe as asistencë ndërkombëtare të mirëfilltë që u ndoq nga të dy partitë e mëdha në momentin e ndryshimeve kushtetuese dhe të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ndërhyrjet në kushtetutë që lidhen me disa nga draftet e sotme të paraqitura nga qeveria në kërkim të 3/5-tave dhe qoftë ato çështje me interes kombëtar e publik që meritojnë të rishikohen edhe një herë në transparencë të plotë me publikun. 9. T’i drejtohemi Prokurores së Përgjithshme të Republikës me një letër të firmosur nga kryetarët e të gjitha partive parlamentare dhe nga të gjithë deputetët për dy çështje me interes kombëtar e publik. Së pari për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, duke ofruar mbështetje të plotë politike dhe një pakt mossulmimi verbal as ndaj institucionit as ndaj personit të kryeprokurores deri në ditën e fundit të mandatit të saj, duke dhënë disponibilitetin e plotë për t’u marrë në pyetje nga organi akuzës të cilitdo prej nënshkruesve të letrës, duke garantuar mosmarrjen nën mbrojtje politike të askujt që përfshihet në hetim. Së dyti, të thërrasë të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier, me ose pa të drejtë, me botën e krimit apo të korrupsionit nën dritën e publikimit të kabllogrameve të diplomacisë më të fuqishme të botës dhe të kërkojë heqjen e imunitetit nga parlamenti të çdokujt që organi i akuzës vlerëson se duhet t’i nënshtrohet hetimeve të plota. 10. Të balancojmë me konsensus Bordin e Televizionit Publik Shqiptar dhe të zgjedhim një drejtues që garanton paanshmërinë e informimit të publikut në atë ekran që paguhet nga qytetarët socialistë e demokratë. Të balancojmë po njësoj Këshillin Kombëtar të Radiove e Televizioneve dhe të votojmë me konsensus ligjin e mediave duke adoptuar të gjitha rekomandimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë e posaçërisht OSBE-ja, për t’i dhënë fund gjithashtu të gjitha presioneve mbi median private elektronike e të shkruar duke filluar nga televizioni kombëtar Top Channel si edhe praktikës së reklamave qeveritare paraelektorale. … Prioritetet e Bashkimit Europian janë 12, pikat e kësaj oferte për një Pakt Kombëtar për Shqipërinë si gjithë Europa janë 10. E di që numri 10 mund ta trazojë mendjen dhe errësojë arsyen e Saliut, prandaj sqaroj se ne këto kemi por jemi të hapur që qeveria të shtojë edhe pika të tjera nëse e dëshiron këtë pakt, nëse opozita nuk i duhet për alibi që të rrijë larg lentes së madhe të Bashkimit Europian duke marrë statusin e kandidatit, nëse do vërtetë votat tona në parlament për një Shqipëri Europiane që fillon nga fryma europiane në procesin politik. Ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër, t’i qëndrojmë në çdo germë, ta kthejmë krizën e thellë politike në një shans për Shqipërinë e për çdo qytetar shqiptar, duke bërë gjithça kemi në dorë që refuzimi të mos përsëritet. Ne e kemi të qartë përgjegjësinë tonë, ndërkohë që qeveria duhet të mbajë përgjegjësinë e vet, që është natyrisht e krejt natyrshëm shumë më e madhe sesa e opozitës, dhe duke bërë gjithçka i takon që Shqipëria të mos dështojë për faj të saj në tetor. Në këtë pakt opozita adreson përgjegjësitë e përbashkëta, ndërkohë që profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, si edhe emërimet dhe ngritjet në detyrë duhet të bazohen në transparencë dhe merita është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Zbatimi me efektivitet i strategjisë anti-korrupsion dhe plani i veprimit janë përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe arritja e një vijimësie rezultatesh solide në këtë fushë është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Përgatitja, miratimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronësisë, duke bërë konsultime të gjera me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; si nismë që duhet të përfshijë proceset e kthimit, kompensimit dhe legalizimit, është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Hapat konkretë në forcimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim, janë përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Marrja e masave shtesë për të përmirësuar trajtimin e të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Opozita duhet të bëjë e do të bëjë opozitë pa kompromis me të gjitha mbrapshtitë e keqqeverisjes, por është e do të jetë gjithnjë e më fort zëri i Shqipërisë Europiane. I cili sidoqoftë dhe cilatdo qofshin arsyet e brendshme që na ndajnë qartë, prerë, pa asnjë mundësi afrimi, në dyert e Brukselit duhet e mund të bëhet zë i përbashkët, i të gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar, bazuar mbi këtë pakt e mbi domosdoshmërinë që t’u japim bashkërisht shqiptarëve atë që Europa është gati t’ua japë dhe politika ua ka penguar gjermësot.