English

Policia: Kapen 2 vëllezër, autorët e sulmit ndaj Prefektit të Vlorës

Vlorë, 23 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Lidhur me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Vlorës kundër dhunës ndaj Prefektit të Vlorës Eduart Veçani, policia e qytetit bëri të mundur arrestimin e autorëve të ngjarjes. Burime zyrtare nga policia e Vlorës thanë për NOA, se bëhet fjalë për dy vëllezër banues në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, Ilir Limushaj 26 vjeç dhe Erjon Limushaj 21 vjeç. Mësohet se gjatë paradites së sotme në ambientet e prefekturës së Qarkut Vlorë vëllezërit kanë kanosur Prefektin e Qarkut Vlorë, kanë goditur punonjësit e prefekturës si dhe kanë dëmtuar sende të ndryshme. Dy të rinjtë kanë ndaluar në rrugë Veçanin për ti kërkuar llogari për një çështje prone, ndërkohë Prefekti u ka kërkuar atyre që të paraqiten në zyrën e protokollit për të marrë aty informacionin e duhur. Prefekti i cili ndodhej në afërsi të zyrës së tij është futur brenda në Prefekturë, por është ndjekur nga dy të rinjtë, të cilët pasi kanë kërcënuar prefektin kanë sulmuar xhamat e institucionit të Prefekturës me gurë. Ndërsa pas ngjarjes Prefekti i Vlorës tha për mediat se, “Të rinjtë të cilët i shikoja për herë të parë ishin të interesuar për një procedurë rutinë. Më ndaluan në rrugë dhe unë ju thashë shkoni tek zyra e protokollit, njëri tentoi të më godiste. Por për shkak se isha i shoqëruar nuk mund të më godisnin. Unë hyra në zyrë, por ato sulmuan prefekturën, goditën xhamat dhe dhunuar punonjësit’. Pas kapjes së autorëve të kësaj ngjarje Prokuroria e Vlorës nisi hetimet për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, dhe “Kanosja për shkak të detyrës” të kryera në bashkëpunim. a.y/NOA

KOMENTE