English

Rama: Reformat domosdoshmëri për integrimin, PS të bashkëpunojë

Tiranë, 23 shtator 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim përsëriti sërish nevojën për një Pakt Kombëtar për integrimin evropian, duke theksuar rëndësinë për tërësinë e reformave. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh se, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është prioriteti kryesor për klasën politike të vendit por është edhe një sfidë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Në emër të LSI-së Rama ftoi të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm të lënë mënjanë interesat e vogla të tyre apo të grupit që përfaqësojnë por në të gjithë sjelljen e tyre politike të dominohen nga interesat evropiane të vendit. Sipas tij, Shqipëria nuk ka nevojë për luftë politike, Shqipëria nuk ka nevojë për retorikë apo për patetikë politike dhe as për demagogji. “Reforma zgjedhore dhe e gjithë paketa që vjen si kusht për tërë procesin e integrimit evropian të vendit është ajo që duhet të dominojë dhe që duhet të na bashkojë të gjithëve në qëndrimin që mbajmë. Nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për kundërvënie për shkak të interesave partiake por ajo çka është e rëndësishme, është që duhet të gjithë të kontribuojmë pozitivisht”, u shpreh Rama. Ai uroi që lidershipi i Partisë Socialiste më në fund ta kuptojë që edhe interesat e qytetarëve, të votuesve dhe të simpatizantëve të Partisë Socialiste janë një me interesat evropiane të vendit. Rama kërkoi nga kreu i selisë rozë që të kuptojë rëndësinë e veçantë që merr bashkëpunimi dhe kontributi pozitiv, jo vetëm i deputetëve të Partisë Socialiste por e tërë opozitës dhe i të gjithë qytetarëve që votojnë dhe mbështesin Partinë Socialiste, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre. Në përfundim ai theksoi gatishmërinë e LSI për kontributin për çdo reformë dhe për integrimin. a.y/NOA

Në foto: Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama

KOMENTE