Kurbin, 23 shtator 2011, NOA – Ndërsa vetëm 7 ditë na ndajnë nga nisja e regjistrimit të Popullsisë mbi baza etnike e fetare i njohur si Censusi, Aleanca Kuq e Zi e ka vijuar maratonën e saj në rrethin e Kurbinit në Laç, ku themeloi degën më të re. Në prani të qindra pjesëmarrësve të tubuar, aktivistë, intelektualë e historianë të Aleancës Kuq e Zi inkurajuan qytetarët e Laçit t’i thonë “Jo” pyetjeve për etninë dhe fenë në formularin e rregjistrimit të popullsisë. Aleanca Kuq e Zi i bëri thirrje qeverisë që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi të gjitha dispozitat në ligjin e gjendjes civile sa i përket ndryshimit të kombësisë. Sipas AK-së, GJK i dha të drejtë juridikisht Aleancës Kuq e Zi dhe kauzës së saj tërësisht juridike dhe jo politike. Aleanca Kuq e Zi do të vijojë maratonën e saj në të gjithë qytetet e vendit për të informuar opinionin publik mbi rrezikun e shkombëtarizimit. Aleanca Kuq e Zi përsëriti qëndrimin e saj se nuk është kundër regjistrimit të popullsisë, por vetëm kundër dy pyetjeve për etninë dhe fenë si kusht i 13-të i Athinës zyrtare për integrimin e vendit në BE. Sipas AK-së Greqia kërkon të të rrisë artificialisht minoritetin grek në Shqipëri. mit/NOA