Leposaviç, 23 shtator 2011, NOA – Qindra serbë ekstremistë janë tubuar pranë pikës kufitare në Jarinje, dhe kanë këputur me buldozer rrethimin me tela me gjemba të vendosur nga KFOR-i në rrugën që të çon përdrejt doganës. Lajmin e bënë të ditur burime të Kosovapress, të cilat thanë se serbët kanë bllokuar një xhip të KFOR-it duke e rrethuar atë me zhavorr. “Grupe ekstremiste serbe po sjellin zhavorr me kamionë duke përforcuar barrikadat e tyre të vendosura në këtë zonë”, thanë burimet. Sipas burimeve situata është e tensionuar, ndërkohë që KFOR-i po sjell përforcime të reja me ushtarë nga kampi ushtarak “Nothing Hill” që ndodhet në afërsi të pikës kufitare. Kryetari paralel i komunës së Leposaviçit, Branko Niniç, më herët kishte deklaruar se në pikën kufitare në Jarinje po shtohen tensionet pasi KFOR-i me automjetet e veta dhe rrethimin me tela gjemborë ka mbyllur rrugën alternative të hapur gjatë ditës së enjte, nga serbët. Sipas Niniç veprimet e KFOR-it janë të pakuptueshme, për shkak se ata janë duke “uzurpuar” me makinerinë e tyre pronat private të banorëve të zonës. “Jemi duke bërë përpjekje për të kontaktuar me përfaqësues të forcave ndërkombëtare, por askush nuk po na përgjigjet“, tha Niniç, duke shtuar se pret që gjatë ditës së sotme të takohet me përfaqësuesit e KFOR-it, citon kosovapress. Ndërkohë, serbët i kanë pritur me fërshëllima përforcimet e ushtarëve të KFOR-it në rrugën drejt doganës së Jarinjes. mit/NOA