Mund të shihen vetëm në errësirë, duke u mbrojtur nga sytë e prindërve. Janë tatuazhet e reja që po popullojnë trupin e të rinjve, të cilët njihen si Uv tattoos. Për t’i parë është e nevojshme që të bëhet një ndriçim kundrejt tyre me rreze ultravjollcë, që jo rastësisht, janë të njëjtat që përdoren nëpër diskoteka. Pikërisht për këtë veçanti që kanë, tatuazhet Uv gjithnjë e më shumë po korrin sukses. Për ekzistencën e tyre në dritën e diellit askush nuk mund të dijë asgjë. Në këtë mënyrë prindërit më të ashpër ose punëdhënësit e rreptë dhe rigorozë ndaj rregullave nuk mund ta zbulojnë diçka të tillë në trupin e fëmijëve apo të punonjësve. Boja që përdoret faktikisht është speciale pasi gjatë ditës ajo është e gjitha transparente. Ende nuk është bërë e qartë nëse këto tatuazhe janë 100% të sigurt apo mund të përcjellin sëmundje të ndryshme në lëkurë. “Food and Drug Administration” nuk ka shprehur ende mendimin e saj, ndërkohë që në ueb ka nga ata persona që flasin për efekt kancerogjen. r.b/NOA