E premte, 23 shtator 2011, NOA- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth ishte i pranishëm sot në seminarin, me rastin e ditës ndërkombëtare të etikës në media. Sipas tij, në demokracitë kushtetuese ende në tranzicion, roli i medias merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi gazetat, radiot dhe televizionet duhet të shërbejnë edhe si edukues të publikut. Wollfarth u shpreh se,“Në shumë raste, ajo çfarë masmedia raporton mund të ketë rëndësi dytësore në krahasim me mënyrën sesi raportohet. Padyshim, media duhet të jetë e lirë nga çdo ndërhyrje politike apo ekonomike në kryerjen e detyrës publike për të informuar publikun. Megjithatë, gazetarët dhe redaktorët kanë për detyrë të jenë besnikë ndaj përgjegjësive të tyre profesionale, duke respektuar rreptësisht parimet e saktësisë, objektivitetit dhe korrektesës kohore. Dikush mund të justifikohet me mendimin se zhvillimi i shpejtë i informacionit dhe teknologjisë së komunikimit ndihmon në shpërndarjen e informacionit te një audiencë edhe më të gjerë”. Ai theksoi se aktualisht vendi po përballet me një udhëkryq, ku përparimet teknologjike po përdoren për të shkelur parimet bazë të etikës së medias, përfshirë edhe parimin e shenjtërisë së jetës private, duke përmendur rastin e gazetës “News of the World”. Ambasadori i OSBE-së e cilësoi si të rëndësishme, nevojën më shumë se kurrë për një media të lirë, të pavarur dhe gjithashtu të përgjegjshme, jo vetëm që të informojë, por edhe që të ndihmojë të dallohet e drejta nga e gabuara. “Sidoqoftë, në mënyrë që gazetarët të jenë në gjendje që të përmbushin përgjegjësitë e tyre kundrejt publikut, ata duhet të jenë të çliruar nga frika dhe nga lakmia. Në këtë pikë, duhet theksuar se është detyrë e shtetit të përgatisë dhe të krijojë kushtet që media të raportojë lirisht, përfshirë edhe sigurimin që kontratat e duhura të punësimit do të zbatohen nga pronarët e mediave. Shteti nuk duhet të përpiqet që të rregullojë përmbajtjen editoriale nën maskën e rregullimit të biznesit, pasi problemet që lindin nga liria e medias mund të zgjidhen vetëm përmes një lirie edhe më të madhe të medias”, u shpreh ambasadori i OSBE-së në vendin tonë. Ai theksoi se, Prezenca e OSBE-së ka mbështetur median shqiptare përmes asistencës institucionale dhe praktike në nivele të ndryshme, ashtu siç bëmë kur iu bashkuam hartimit të Kodit Etik të Medias, në vitin 2006. Wollfarth shtoi gjithashtu se, Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të kontribuojë për zhvillimin e medias së lirë, të pavarur dhe të përgjegjshme në Shqipëri për sa kohë që të jetë e nevojshme. Ai e cilësoi median si “qen roje” për të mirën e publikut përkundrejt legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. a.y/NOA
Në foto: Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth