Fier, 24 shtator 2011, NOA – Ka përfunduar me barazim përballja mes Apolonisë dhe Laçit në ndedhjen e luajtur në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Në pjesën e parë Apolonia sulmoi më rrallë, duke u ndalur të paktën dy herë nga pozicione jashtë loje të dyshimtë. Vetëm pas gjysmë ore loje kapiteni Gërxho lëshoi një gjuajtje të fortë nga 25 metra larg, në pozicion ballor me portën laçiane, me topin që përfundoi pak mbi tra. Ky ishte momenti i vetëm i mirë i fierakëve në pjesën e parë, ndërsa pranë fundit të fraksionit të lojës pati një përplasje të frikshme mes Mehmetajt të Apolonisë dhe Shazivarit të Laçit dhe ky i fundit ishte ai që e pësoi më keq. Në pjesën e dytë, miqtë ndërruan fanellat, duke veshur ato vishnje, ndoshta për t’u dalluar më mirë ekipet në fushë. Sërish, skuadra e Dedes ishte më e mirë dhe Marashi u tregua i pavëmendshëm duke mos shfrytëzuar një moment të mirë pranë portës.
Pas kësaj, erdhi goli kurbinas shënuar shumë bukur nga Ermullai, pas një gjuajtje me efekt nga jashtë zone duke i dhënë miqve një kryesim të merituar. Por vendasit protestuan ashpër, duke pretenduar për një pozicion jashtë loje të Emurllait në momentin kur iu shërbye topi. Trajneri Nica e humbi ekuilibrin duke hyrë në fushë për të debatuar me gjyqtarin Kridens Meta dhe ky e nxorri jashtë. Për minuta të tëra ndeshja nuk mundi të rifillonte, ndërsa tifozët vendas hodhën sende të forta në fushë. Pa përfunduar mirë protestat, Apolonia tentoi barazimin duke iu afruar golit me anë të sulmuesit Renaldo Rama, por topi i gjuajtur prej tij u devijua. Dhe nga kjo goditje nga këndi erdhi barazimi, me autor goli pikërisht Ramën, që gjuajti fortë në zonë duke shfrytëzuar një largim të dobët të topit nga portieri Malaj.
Minutat e fundit në “Loni Papuçiu” ishin më të mira sërish për Laçin, që rrezikuan me anë të Selimit në goditje dënimi, pastaj edhe me gjuajtjen me kokë të Dragiçeviçit që nuk dha rezultat. a.q/NOA