English

Berisha në mbrëmjen shqiptaro-amerikane: E lamë mbas mbijetesën

New York, 24 shtator 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha në kuadër të qëndrimit të tij në New York mori pjesë në mbrëmjen gala, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan (NAAC) . Në fjalën e mbajtur me këtë rast i shprehu mirënjohjen për të gjithë miqtë e kombit shqiptar, për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të çmuar. “Ne, shqiptarët, ishim të fundit në Europë që kënduam këngën e lirisë. Ndamë në të shkuarën një nga historitë më të hidhura, por gjithmonë i them vetes që jemi një komb i bekuar. Ne jemi një komb i bekuar, sepse në çdo moment vendimtar të ekzistencës sonë, të lirisë sonë, kemi pasur mbështetjen, ndihmën e këtij vendi e kombi të madh dhe ia kemi dalë mbanë falë saj. Udhëtimi ynë i gjatë ishte një udhëtim mbijetese dhe padyshim, paraardhësit tanë meritojnë nderim të madh”, u shpreh Berisha. Ai tha se shqiptarët janë të lirë, pasi përpjekjet e shqiptarëve kanë vlerë falë Presidentit Bill Clinton, duke kujtuar takimin e zhvilluar me të së bashku me Kryeministrin Thaçi. Kryeministri Berisha e cilësoi Clintonin se heroin tonë kombëtar, ku theksoi se ai është dhe do të mbetet në kujtesën e kombit tonë një nga heronjtë më të mëdhenj. Sipas tij, Clinton drejtoi një nga luftërat më të vështira për t’u vendosur, e drejtoi atë për popullin e Kosovës, për shqiptarët e Kosovës. Në vijim Berisha shtoi, “Ne sot nderojmë Tony Blair, kryeministri më i madh prej luftës së dytë botërore. Ai pothuajse drejtoi Europën, në mbështetje të Presidentit Bill Clinton, në betejën për lirinë e Kosovës. Ai do të mbetet në kujtesën e kombit tonë, një hero i vërtetë kombëtar. Nderojmë sot, edhe një mik të madh. Një prej diplomatëve më të jashtëzakonshëm të këtij vendi të madh, Richard Holbrooke. Nga Sarajeva në Junik dhe Klina, Richard Holbrooke u shndërrua në një avokat të fortë dhe të shkëlqyer të këtyre kombeve të shtypura”. Ai theksoi se proamerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët thellë në liritë e tyre. Kreu i Qeverisë shqiptare përmendi sakrificat e Kosovës duke shtuar se, asnjë rajon nuk ka derdhur më shumë gjak për liritë, sesa populli i Kosovës. Ai theksoi se shumë personalitete që nga kongresmeni Tom Lantos dhe shumë të tjerë bënë një vizitë historike në Prishtinë dhe i thanë botës së Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë aparteidin e Milloshevicit në Kosovë. Berisha cilësoi vendosmërinë e Presidentit Bush, atë që bëri që Kosova të ishte një vend i lirë. Kryeministri Berisha e përfundoi fjalën e tij duke thënë se, “Sot jemi njerëz të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen, kudo ku jemi. E lamë mbrapa historinë e mbijetesës dhe jam absolutisht i bindur që po ndërtojmë një të ardhme të ndritur, po ndërtojmë të ardhmen që meritojmë, më të mirën e të mirave, për të shpërblyer miqtë tanë këtu dhe kudo që janë, për të ndërtuar vlerat, mbi të cilat shoqëritë e tyre kanë përparuar dhe lulëzuar. Prandaj mbetemi shumë të përkushtuar për një shoqëri të lirë, për të shfrytëzuar pasuritë, asetet e jashtëzakonshme të lirisë, për të bërë më të përparuar vendet e kombet tona. Në mbrëmjen shqiptar-amerikane merrnin pjesë Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli, Zëvendës asistent Sekretari i Shtetit Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori Frank Wisner si dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe amerikane. Në mbrëmjen gala i ftuar nderi ishte ish Kryeministri britanik Tony Blair, të cilit NAAC i dorëzoi një çmim të posaçëm për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Çmime iu dhanë një numri personalitetesh të shquara që kanë kontribuar për kombin shqiptar si ish ambasadori Richard Holbrooke. Në fjalën e tij përshëndetëse, Tony Blair kujtoi përpjekjet edhe emocionet e forta të periudhës së luftës së Kosovës dhe përpjekjet për çlirimin e saj. Zoti Blair nënvizoi rëndësinë e lirisë për çdo komb dhe theksoi se bota nuk do të jetë më e mirë nëse lirinë nuk e gëzojnë të gjithë popujt. Ai shprehu kënaqësinë që Kosovën sot e njohin 84 shtete të botës dhe dëshirën që të gjithë shtetet ta njohin pavarësinë e saj. Mbrëmjen gala e përshëndetën edhe një numër personalitetesh të ftuar. Gjatë mbrëmjes aktorja e Hollivudit Eliza Dushku prezantoi një pjesë të dokumentarit të realizuar gjatë vizitës në Shqipëri, i cili ka për qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë. a.y/NOA

Në foton e parë: Kryeministri Berisha dhe Eliza Dushku në mbrëmjen gala në New York

Në foton e dytë: Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjerë gjatë mbrëmjes gala

KOMENTE