Uashington, 24 shtator 2011, NOA - Delegacioni i Ministrisë së Financave kryesuar nga ministri Ridvan Bode, i shoqëruar nga zv/ministri Nezir Haldeda dhe drejtori i Politikave Makroekonomike, Endrit Lami zhvilluan sot në Uashington, një takim me zv/presidentin e Bankës Botërore, Philip Le Houerou, Jane Armitage, Drejtore per Europën Juglindore dhe stafin e tyre. Në këtë takim, ministri i Financave Ridvan Bode, bëri një ekspoze të reformave, zhvillimeve ekonomike e fiskale në Shqipëri. Bode theksoi se, Shqipëria vazhdon të ketë një ritëm të kënaqshëm ekonomik si rrjedhojë e reformave të qeverisë, duke përballuar presionet dhe goditjet që vijnë nga kriza ekonomike botërore. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se ekonomia e vendit tonë në vitin 2011, pritet të jetë me një rritje ekonomike në nivelet 4%, kjo rezulton dhe është e lidhur me ambientin ekonomik pro biznes, e dominuar nga politikat e taksave të ulëta, përmirësime dhe reforma strukturore e ligjore, lehtësimi i barrierave dhe barrës fiskale, duke rritur ndjeshëm konkurrencën ne ekonomi si dhe duke u kompromentuar nga një sektor financiar solid dhe i mirë kapitalizuar. Zv/ Presidenti i Bankës Botërore z. Philip Le Houerou, shprehu falënderimet në emër të BB-së dhe e inkurajoi qeverinë shqiptare dhe ministrinë e Financave në veçanti, për rolin e rëndësishëm në këto politika reformatore, të cilat i kanë siguruar Shqipërisë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Le Houerou theksoi se BB do të vazhdoje të mbështesë projektet dhe investimet në sektorët kyç të ekonomisë, në veçanti infrastrukturën, sektorin social (arsim dhe shëndetësi), etj. Ai garantoi se Banka Botërore do të jetë partnere dhe nxitëse për projektet që synojnë sektorët strategjikë dhe afatgjatë në zhvillimin e Shqipërisë që tashmë klasifikohet në grupin e vendeve me te ardhura mesatare për frymë. a.q/NOA