Prishtinë, 24 shtator 2011, NOA - Ish-diplomati amerikan James Huper tha sot se, Loja e presidentit të Serbisë Boris Tadiç ka funksionuar shumë mirë karshi Bashkimit Evropian, por siç duket jo edhe me kancelarin gjermane Angela Merkel. “Në këtë formë, janë prerë vendosmërisht përpjekjet e Tadiçit dhe të tjerëve në qeverinë serbe, që të luajnë lojë të dyfishtë, duke tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht duke e mbajtur hapur opsionin e ndarjes. Në këtë formë i është dërguar mesazh edhe vetë Brukselit dhe diplomatëve atje që merren me dialogun, që të mos luajnë lojën e Beogradit. Kjo është lojë e Tadiçit dhe e kolegëve të tij dhe ka funksionuar shumë mirë karshi BE-së, por siç duket jo edhe me zonjën Merkel”, është shprehur Huper. Duke komentuar dialogun për çështje teknike Kosovë-Serbi, ish-diplomati amerikan tha se kjo shihet më tepër si një synim që të vihet grim mbi Serbinë, që të jetë më mirë e përfaqësuar në bisedimet për anëtarësim në BE. a.q/NOA