Mbresa nga vizita në New York e një nga biznesmenët më të shquar shqiptarë, Lazim Destanit Nga Ruben Avxhiu Shtatori njihet si muaji që sjell në New York udhëheqës shtetërorë nga mbarë bota, për shkak të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Po një traditë më e re shënon gjithashtu ardhjen gjatë këtij muaji në “kryeqytetin e botës” edhe të komunitetit të biznesmenëve që në epokën e globalizmit, gjurmon ritmin e tregjeve të hapura e të lira si dhe politikat e vendeve që ndikojnë në to.
Në të kaluarën “Illyria” ka ndjekur me vëmendje vizitat e politikanëve shqiptarë gjatë këtyre javëve marramendëse njujorkeze. Kësaj here ia vlen të ndalesh te një udhëheqës shqiptar në botën e biznesit, Lazim Destani. Kryepari i familjes Destani nga Tetova, pronar të shumë bizneseve ndër të cilat edhe firmës me fame ndërkombëtare Ecolog, një nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë, ndodhet në New York i ftuar në të paktën katër veprimtari të mëdha.
“Ishte një rast i mirë që qëlluan të gjitha në një javë me një agjende te ngjeshur dhe efikase”, thotë ai, gjatë një prej periudhave të shkurtra, të ndërmjetme mes takimeve të shumta, që ia mbushin ditën këtu në New York.
Lazim Destani ishte ftuar të merrte pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, që hapi javën e veprimtarive shqiptare të shtatorit 2011. Dy ditë më pas, ishte i ftuar në takimin vjetor të FEBA-s që mbledh biznesmenët nga i gjithë Ballkani dhe Turqia e që zhvillohet tradicionalisht në Manhattan. Të premten ishte i pranishëm në një tjetër konferencë investitorësh, kësaj here për shtetin e Maqedonisë dhe më pas në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA).
Duke folur me kënaqësi për ftesën që kishte marrë nga Drejtori Ekzekutiv i KKSHA-së, Avni Mustafaj, zoti Destani thotë se ishte një ndjenjë e veçantë kënaqësie të shikoje se si shqiptarët respektojnë miqtë e tyre shekullorë. Si asnjëherë tjetër në tavolinën qendrore të Darkës Vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, ku ulen udhëheqësit shtetërorë dhe zyrtarët e ftuar, bashkë me veprimtarët kryesorë të KKSHA-së, një vend i ishte rezervuar edhe biznesmenit nga Europa, Lazim Destanit. Një nderim i veçantë që flet shumë.
“Pata nderin dhe mundësinë që edhe personalisht ta përshëndes ish kryeministrin britanik Tony Blair, një nga iniciatorët dhe guximtarin politik më të madhe, krahas presidentit Klinton për shtetbërjen e Kosovës”, tha Lazim Destani.
“Është treguar mik i shqiptarëve në ditë të vështira dhe shprehëm mirënjohjen tonë. Kur m’u dha që të shkëmbej pak fjalë me të, i thashë që kombi shqiptar do ta kishte gjithmonë në zemër. Mbizotëronte në fakt, një ndjenjë e veçantë e miqësisë shekullore përplot me emocione, madje edhe prej atij vetë. Miqtë e vjetër duhet respektuar nëse duam të krijojmë miqësi të reja”, thotë ai.
Po këto katër veprimtari janë si të thuash vetëm “maja e ajsbergut”. Orët e qëndrimit të tij në SHBA janë të mbushura me takime kokë më kokë, me biznesmenë shqiptarë e amerikan, politikanë, diplomatë, për propozime projektesh, pikëtakime dhe sinergji biznesi, shqyrtime e komunikim të vazhdueshëm.
Rrjeti i bizneseve që drejton familja Destani është global në kuptimin e plotë të fjalës. Zyrat qendrore të kompanisë më të theksuar të grupit, pra Ecolog janë sot jo vetëm në Gjermani e në Tetovë, por edhe në SHBA, Zvicer, Dubai, Turqi, Liban, Kuvajt dhe Kinë. Ndërsa lista e vendeve ku ka zhvilluar dhe zhvillon biznes, ku ka investime dhe partneritete është shumë më e gjatë. Ndërkohë që të gjitha bizneset janë të sistemuara nën një ombrellë më udhëheqje strategjike në Dusseldorf të Gjermanisë, dhe që në fillim të këtij viti me një njësi holding në Zyrih që bën menaxhimin e portofolios të kompanive ekzistuese të grupit dhe investimeve të reja gjithashtu. Të duket nganjëherë e pabesueshme rruga që ka bërë biznesi i Destanit dhe familjes së tij për katër dekada, që nga koha kur kompania Sharr Turist, në vitet 80, u bë ura lidhëse e diasporës shqiptare në Gjermani, Zvicër e Europë me trojet amtare.
Kur kohët ndryshuan dhe shqiptarët filluan të lëviznin në masë nga dhe drejt Perëndimit, u transformua edhe biznesi i familjes së Lazim Destanit. Djali i madh i Lazimit, Nazif Destani njëherit edhe ideatori kryesor i grupacionit të serviseve Ecolog, u vu në krye të po këtij biznesi, që të kaloj pastaj në udhëheqjen strategjike të grupacionit nd. Djali tjetër, Selimi, u përqendrua në ndërtimtari dhe në patundshmëri me kompanine Don International e cila zhvillon aktivitete në mbar Evropën. Kurse, djali më i vogël, Blerim Destani është përqendruar në fushën e filmit, e më gjerë të artit dhe kulturës, me kompaninë LARA Entertainment. Të tre djemtë kanë dëshmuar aftësitë e tyre në fushat që kanë zgjedhur dhe Lazimi është sot krenar për sukseset e tyre.
Mes takimeve të shumta të Lazim Destanit me boten e biznesit ku merrnin pjese edhe qeveritare te Shqiprise, Kosoves dhe Ballkanit krahas atyre te SHBA-se, si kryeministri Sali Berisha, Guvernatori i Bankes se Shqipërisë Ardian Fullani, Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto, Kryetarja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, Zv. Kryeministri Behgjet Pacolli, miku i shqiptareve kongresistët Eliot Engel dhe Gary Peters, si dhe udhëheqës te biznesit amerikan si dhe shumë personalitete tjera nga jeta publike.
Lazim Destani shoqërohet gjatë këtij qëndrimi në New York nga bashkëpunëtorë të afërt, në stafin e tij si Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, Arban Kurtishi dhe Steve M. Sagehorn, përfaqësues i zyrës se Ecologut ne SHBA.
Biseda më vëllezërit Wisner zgjati më shumë se një orë dhe u mbyll me marrëveshjen për tu takuar përsëri ne Dusseldorf ose Tetove për konkretizim te marrëveshjes për bashkëpunim.
“Jo vetëm që kane ndihmuar shumë shqiptarët, por është kënaqësi të flasësh me ta për shkak te njohurive të mëdha që kane në botën e politikës e të biznesit”, thotë Destani për vëllezërit Wisner.
Një vend të madh në takime kanë zënë ato me kolegët e tij shqiptarë në biznes, si Jim Xhema, Harry Bajraktari etj, me biznesmenë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria.
Forumi i Investimit SHBA-Shqipëri i ka lënë mbresa Destanit dhe kjo nuk është gjë e vogël. Vëmendja e tij për investim në Shqipëri është një nga provat më të mira për klimën e biznesit në vend. Destani dhe kompanitë e tije kanë kohë që kanë ndihmuar në Shqipëri për arsye humanitare duke sponsorizuar botime librash, studime e hulumtime shkencore, bursa studimesh etj. Por investimi ka një logjikë tjetër, gjithë suksesi ne biznes deri me sot bazohet ne aftësinë dhe përparësinë konkurruese qe e ka kompania mbi baze te cilësisë, kostove, shpejtësisë dhe fleksibilitetit për ndryshime dhe përshtatje me rrethanat. Ajo që kërkon Destani dhe ekipi i tij nuk është mungesa e konkurrencës, por barazia në konkurrim dhe sundimi i ligjit. Vendet në tranzicion çalojnë pikërisht në këtë drejtim.
Dikur “një prej ekonomive më kolektiviste të botës”, siç e përshkroi ditën e hënë kryeministri Berisha, Shqipëria duket se po e lë më në fund pas tranzicionin e vështirë, të paktën në planin ekonomik. Kjo duket qartë në reformat ligjore që janë kryer në këto dy-tre vitet e fundit, në masat qeveritare dhe politikat e zbatuara. Këto kanë pasur në shënjestër burokracinë qeveritare që shpesh është fajtore për dekurajimin e investitorëve.
I ndërgjegjshëm për këtë aspekt, Kryeministri Berisha citoi Presidentin Reagan duke thënë se nganjëherë “qeveria është pengesa më e madhe për biznesin”. Fjalët e kryeministrit dhe të zyrtarëve të tjerë shqiptarë janë perceptuar si një premtim i rëndësishëm ndaj biznesit serioz që nëse zbatohet vërtet në praktikë do të sjellë ndryshime të rëndësishme në ekonominë e vendit.
Paraqitjet e qeverisë u përforcuan nga prezantimet e kompanive joshqiptare, ndër to edhe amerikane, me emra të respektuar në botë, që sot kanë investuar dhe bëjnë biznes në Shqipëri.
Forumi ishte një mundësi e madhe për të parë të gjitha potencialet që ofron vendi, që nga energjetika, telekomunikacioni, infrastruktura, industria, turizmi etj. Destani dhe ekipi i bashkëpunëtorëve që e shoqërojnë gjatë këtij udhëtimi në New York kanë identifikuar fushën ku mendojnë se mund të jenë të gatshëm për të investuar dhe menjëherë të nesërmen e konferencës kanë filluar bisedimet dhe takimet përkatëse për partneritete dhe rrjeta sinergjike ne biznese te mëdha.
Shtrirja në Shqipëri do të plotësonte edhe më mirë afirmimin e biznesit të familjes Destani në trojet shqiptare. Kompania që është me zë është e përkushtuar edhe ndaj kombit shqiptar.
Në një kohë kur Kosova ka më shumë nevojë se kurrë për punësim, Lazim Destani ka ofruar investimet e tij që kanë punësuar rreth 500 punëtorë në ndërmarrje prodhuese. Njëra prej tyre është Kosovatext e cila prodhon veshje xhins (Jeans). Në përurimin e saj, në Prishtinë, ishte i pranishëm edhe vetë Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu si dhe një numër qeveritarësh dhe zyrtarësh të lartë. Afër 400 punëtorë janë punësuar aty dhe numri rritet dita ditës.
Edhe në Maqedoni ku edhe do te etablohet selia e ND Balkanit krahas Ecolog-ut janë në përgatitje disa projekte të mëdha. Për këto nevoja janë blerë patundshmëri të konsiderueshme.
Që bizneset e familjes Destani po bëhen gjithnjë e më të pranishme në trojet kombëtare ky është një lajm i mirë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Bizneset e familjes Destani nuk janë thjesht një biznes konvencional, po mbi të gjitha është një filozofi, një vizion, një shembull që nëse ngrihet ne standard do të burojë vetëm progres për gjithë shoqërinë.
Kjo është nga ato kompani që suksesin ia injektojnë komuniteteve në të cilat veprojnë.
“Atë që fitojmë ta ndajmë me të tjerët” është motoja e jashtëzakonshme e kësaj familje për të cilën përgjegjësia shoqërore është pjesë e filozofisë dhe kulturës së biznesit të saj,
Kudo ku vendoset biznesi i kësaj kompanie, e gjithë shoqëria përfiton. Kjo është dëshmuar mijëra herë me sponsorizimet bujare në fusha si kulturë, arsimi, shkenca, mjedisi, feja, etj.
Edhe në Shqipëri, ndonëse nuk kanë qenë të pranishëm me investime, dora e Ecolog-ut është ndjerë. Botime librash, sponsorizime hulumtimesh shkencore e veprimtari kulturore. Në një rast domethënës, 100,000 dollar amerikan është dhuruar për familjet që u goditën nga tragjedia e Gërdecit. Në një rast tjetër, rreth 40 kamionë me ushqime u dërguan në ndihmë të popullsisë të rajonit të Shkodrës, gjatë përmbytjeve të fundit.
Janë angazhime të tilla që meritojnë vëmendje, lavdërime dhe nxitje. Është shembulli më i mirë i biznesmenit shqiptar të të ardhmes, që pasuron jo vetëm veten por mbarë shoqërinë.
Sigurisht që një pjesë e projekteve dhe nismave janë ende në fazën e propozimeve. Bota shqiptare e rajoni te Ballkanit është ende duke u zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht. Mbetet për t’u parë sesa do të vazhdojë të zbatojë realisht qeveria shqiptare ndryshimet e premtuara. Nuk dihet se sa do të dijë dhe dojë të përvetësojë shoqëria shqiptare shembujt si ai i biznesmenit Destani, po në këto ditë të ethshme vjeshte në New York është e pamundur të mos kesh entuziazëm dhe pasion, sidomos pas një bisede me njeriun që ka dhënë prova se ëndrrat di t’i kthejë në realitet.
Fotot: “Shqiptarët do t’ju mbajnë gjithmonë në zemër”: Lazim Destani (djathtas) takohet me ish-kryeministrin Tony Blair (Bler) Lazim Destani me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë punimeve të Forumit të Investimit SHBA-Shqipëri