Elbasan, 24 shtator, 2011, NOA – Bien në prangat e bluve të Elbasanit dy shpërndarës droge në këtë qytet. Dy të arrestuarit nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike janë 19-vjeçari Arlind Shirjo dhe 21-vjeçari Ekment Hoxha, që të dy banues në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. Policia e Elbasanit bën me dije se arrestimi i dy të rinjve u finalizua në orët e mbrëmjes së të premtes në lagjen “Shënkoll” në qytetin e Elbasanit. Pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative blutë e Elbasanit ushtruan kontroll ndaj shtetasve duke u gjetur me vete 35 doza me lëndë narkotike të llojit Canabis sattiva. Ndërkohë policia po punon ende për dokumentimin e plotë të veprës penale. mit/NOA