English

Forbes: Greqia të ndjekë shembullin e Shqipërisë

E shtunë, 24 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Në një editorial për krizën e borxhit në Europë, drejtuesi i revistës prestigjoxe ekonomike “Forbes”, Steve Forbes ka këshilluar Greqinë, që për taksën e sheshtë të ndjekë shembullin e Shqipërisë. Sipas tij, Greqia duhet të kryej reformat shqiptare për të përballuar krizën, kryesisht lehtësimt fiskale, privatizimin e aseteve dhe procedurat e thjeshtuara për hapjen e një biznesi të ri. Steve Forbes në një editorial të botuar në Forbes.com, me titull “Ëhat's German For "TARP"? thotë se, e vetmja rrugëdalje nga kriza për Greqinë është të marrë shembullin e Shqipërisë, duke aplikuar në mënyrë urgjente taksën e sheshtë. “Receta bazë për Greqinë është: shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri, reforma të ngjashme si ato të Shqipërisë fqinje”, citohet në artikull.

Në këtë mënyrë, Forbes vlerëson ekonominë në rritje të Shqipërisë dhe suksesin e sistemit të saj fiskal, duke aplikuar taksën e sheshtë, e cila vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 i ka sjellë arkës së shtetit 16 miliardë lekë. Shqipëria është vlerësuar për revolucionin e taksës së sheshtë nga shumë raporte ndërkombëtare dhe agjenci ndërkombëtare lajmesh. Në komentin e tij mbi krizën e borxhit, Forbes thotë se “Gjermania dhe Franca, po presin duke survejuar krizën e borxheve në Europë. Por menaxhimi i situatës së krizës do të jetë shembulli i një libri të ndrojtur, i një mendjeje të errët, i një lidershipi intelektualisht të mbaruar. Gjermanët në mënyrë të veçantë, kanë marrë iniciativën për të gjetur rrugën më të lehtë për të lëshuar para te debitorët e rrezikshëm, me shpresë që problemi do zhduket mrekullisht. Ata kanë refuzuar të përballen me faktin që Greqia ka neglizhuar dhe që Portugalia, Spanja dhe Italia janë pranë lëshimit.”- citohet në editorialin e Forbes-it.

Sipas tij , thembra e Akilit në këtë problem qëndron se çfarë do t’i shkaktojnë borxhet sovrane bankave të dobësuara të Europës, veçanërisht atyre në Francë. Forbes e cilëson të dështuar politikën e autoriteteve të Europës dhe SHBA në lidhje me zgjidhjen e krizës. “Ilustrim për këtë janë 700 miliardë $ e paketës parashute, e cila ka të bëjë me programin e çlirimit të aseteve të shqetësuara. Ideja ishte t’u blije bankave asete të shpëtonin ato banka që ishin të trembura. Sipas tij, “Uashingtoni vendosi një zgjidhje, e cila ishte të pompojë para në banka si kapital i drejtë. Çdo dollar do të suportojë 10 dollarë borxh. Sipas tij, në vijim të analizës, të armatosur me kapital të ri, zyrtarët dhe rregullatorët do të mbyllin disa banka të mëdha, pa patur frikën se kështu mund të shkaktojnë efektin domino përmes sistemit monetar”, analizon analisti i njohur. Nuk duhet një fantazi e madhe, sipas Forbes, të godasësh Stabilitetin Financiar Europian. Banka Qendrore Europiane e ka humbur sensin e parave duke blerë bonde. Sipas Forbes, ndonjë bankë e dobët e vërtetë mund t’i ndajë ato në banka të mira dhe banka të këqija. “Problemet me borxhet të disa prej vendeve të Bashkimit Europian nuk mund ta dobësojnë euron. Nëqoftëse Greqia nuk paguan, kjo bie mbi kreditorët, por kjo nuk infekton monedhën e re aspak. Paraja është një mënyrë e thjeshtë që njerëzit e përdorin për transaksione me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që mund të vrasë monedhën është printimi me shumicë i saj nga Banka Qendrore. Në muajt e ardhshëm euro duhet të bëjë atë që bën Zvicra tradicionalisht: të konvertohet me ar”, citohet në analizën e Forbes, i cili këshillon Greqinë se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza është të marrë shembullin e Shqipërisë për të aplikuar taksën e sheshtë dhe të shesë asetet publike, në mënyrë që të shtojë të ardhurat në arkën e shtetit në krizë. a.q/NOA

KOMENTE