English

Shqipëria, asnjë lidhje me recesionin

Në këtë periudhë krizash të mëdha të financave të Europës dhe botës, ekonomia shqiptare mbetet ndër ekonomitë më të pakta, e cila nuk njohu recesionin Nga Prof. Dr. Sali Berisha Sot, në botë, kryqëzohen kriza të mëdha komplekse dhe kërcënuese për paqen dhe stabilitetin e disa rajoneve dhe planetit në tërësi. Por me gjithë to, në këtë pranverë të madhe për Afrikën dhe mbarë njerëzimin, rreth njëqind e njëzet e pesë milionë qytetarë të shtypur ja dolën që me trimëri, vendosmëri dhe me sakrificën e tyre të përmbysin regjimet tiranike në pesë vende të kontinentit afrikan dhe të hapin dyert e lirisë për kombet e tyre. Ndaj edhe unë si përfaqësues i një vendi, që njëzet vjet më parë përmbysi diktaturën hoxhiste, më të egër që Shqipëria dhe Europa kishte njohur më parë, dua të përshëndes përzemërsisht përfaqësuesit e Egjiptit, Tunizisë, Libisë, Sudanit të Jugut dhe Bregut të Fildishtë, të cilët ndodhen sot, në këtë sallë. Sot nderojmë mijëra e mijëra qytetarë të këtyre vendeve, që me guxim dhe burrëri, në kufijtë e legjendës, ranë për të fituar pavdekësinë, çliruan vendet e tyre nga tiranitë mizore, i bënë ato, kontinentin afrikan dhe mbarë botën, më të drejtë, më të lirë dhe përcollën në zemrat e mendjet e të gjithë qytetarëve të shtypur të planetit mesazhin e shenjtë: “Mos kini frike!”. *** Shqipëria, në njëzet vjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste dhe me gjithë vështirësitë e pamohueshme që ka njohur në rrugën e ndërtimit të demokracisë të bazuar në vlerat e tregut, po dëshmon se për individin, shoqërinë dhe kombin, në tërësi, liria është pasuria e të gjitha pasurive. Njëzet vjet më parë Shqipëria ishte një ndër vendet më të varfër të botë dhe përjetonte mjerimin më të thellë dhe uri kronike. Sot, Shqipëria renditet ndër vendet me të ardhura të mesme të larta. Ish-vendi i hiperkolektivizmit total është sot vendi me sektorin publik më të vogël në Europë, në të cilin më shumë se 84 përqind e GDP-së buron nga sektori privat. Njëzet vjet më parë, liritë e të drejtat e njeriut ishin të ndaluara me Kushtetute. Sot, Shqipëria është vendi i demokracisë funksionale, shtetit ligjor, fjalës së lirë, zgjedhjeve të lira, respektimit të plotë të të drejtave të minoritetit dhe tolerancës fetare të shkëlqyer. Shqipëria ishte vendi më i izoluar në botë, tani është anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë, si dhe punon me vendosmëri për integrimin europian. Shqiptarët sot lëvizin pa viza në mbarë Europën. Ndërkohe, numri i qytetarëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë si turistë apo qëllime të tjera është rritur nga 300 në vitin 2004 në 3.5 milion vitin e kaluar. Në këtë periudhë krizash të mëdha të financave të Europës dhe botës, ekonomia shqiptare mbetet ndër ekonomitë më të pakta, e cila nuk njohu recesionin. Ne rast se investimet e huaja, sipas UNCTAD, nga viti 2007 deri në 2010 patën një ulje prej 37 përqind në të gjithë botën, në Shqipëri, investimet e huaja direkte, sipas po këtij burimi, u rritën nga viti 2006 deri në 2010, me 316 përqind. Eksportet shqiptare gjatë viteve të fundit u rriten me 300 përqind. Papunësia u ul, po kështu edhe varfëria njohu një rënie prej 30 përqind. Modeli ynë ekonomik bazohet tërësisht në lirinë ekonomike, e cila vitin që kaloi ka pësuar një stanjacion të ndjeshëm në botë, kurse në Shqipëri, ajo është rritur me 16 përqind. Ekonomia shqiptare nuk është e shkëputur nga ajo globale, përkundrazi si një ekonomi e vogël ajo është ngushtësisht e lidhur dhe e prekur nga ekonomia botërore. Ndaj mendoj se janë disa faktorë përcaktues në këtë performancë të saj. Së pari, një qeveri dhe sektor publik i vogël. Shqipëria ka një administrate dhe sektor publik të paktën 50 përqind më të vogël se të gjitha vendet e krahasueshme me të, në rajon dhe më gjerë. Përveç kësaj, kam kënaqësi të theksoj se qeveria ime renditet ndër 10 qeveritë me ndërhyrje më të vogël në ekonomi. Shqipëria sot është vendi i taksës së sheshtë 10 përqind dhe barrës fiskale më të ulët në Europe. Rritja e lirisë fiskale dhe lufta e suksesshme kundër korrupsionit bënë të mundur që të ardhurat buxhetore nga doganat dhe tatimet të dyfishohen në një periudhë 4 vjeçare. Modeli ynë ekonomik bazohet në investimet e mëdha; vetëm në rrugë, ne kemi investuar për tre vite me radhë rreth 8 në 10 përqind të GDP-së, duke ndërtuar mbi 8000 kilometra rrugë. Më shumë se në të gjithë historinë e vendit. Në dy vitet e ardhshme, Shqipëria do të arrijë të ketë rrjetin rrugor më të ri e më modern, i cili do t’u mundësojë qytetareve shqiptarë, por edhe vizitorëve e investitorëve të huaj të arrijnë në kryeqytetin e vendit, Tiranë, nga çdo qoshe e tij, duke kursyer 60 përqind të kohës që u nevojitej më parë. Qeveria ka vendosur një sistem efikas dixhital, one stop shop, për regjistrimin e bizneseve, për lejet dhe licencat dhe ka reduktuar drastikisht procedurat burokratike. Megjithatë, më duhet të theksoj se kriza e borxheve dhe kriza e Euros në BE qëndron si shpata e Demokleut mbi Lekun tonë dhe mbi kokën e ekonomisë shqiptare. Ndaj edhe shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje vendeve të Eurozonës që, në kuadër të përpjekjeve të tyre të mëdha e serioze, për kapërcimin e problemeve aktuale, të konsiderojnë edhe pasojat e kësaj krize mbi ekonominë tonë dhe të vendeve të lidhura shumë ngushtë me Euron. *** “Shqipëria, vend i Zhvilluar” është projekti dhe ëndrra më e madhe e të gjithë shqiptarëve. Unë e di se rruga që kemi përpara nuk është e sheshtë, por është një rrugë me ngjitje dhe jo të lehtë. Por me gjithë këtë, unë jam i bindur se kjo rrugë është një shteg i sigurt shprese, përmes së cilës, ëndrra e shqiptarëve për “Shqipërinë,vend i Zhvilluar”do të shndërrohet në realitet. Për të realizuar këtë ëndërr, qeveria shqiptare është e vendosur për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Vendet në zhvillim dhe tregjet e reja kanë vështirësi të shumëllojta, por kanë edhe shansin e madh për të nxjerrë mësime nga gabimet e vendeve të zhvilluara dhe për t’i shmangur ato. Duke pasur parasysh këtë, ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël të energjisë se rinovueshme në rajon. Me pasuritë e saj të mëdha ujore, vendi ynë ngjason si një Norvegji e vogël në Ballkan. Qeveria ime ka firmosur me sektorin privat kontrata koncesionare për ndërtimin e 220 hidrocentraleve, nga 450 të mundshme për t’u ndërtuar. Kompani nga mbarë Europa dhe bota janë të angazhuara në këtë proces. Platforma të mëdha ere ekzistojnë në gjithë vendin dhe qeveria ka dhënë e po jep licenca për prodhimin e mijëra megavat elektricitet nëpërmjet parqeve eolike. Shqipëria është një ndër vendet më diellore të Europës, ndaj mbetemi të vendosur të shfrytëzojmë energjinë diellore, sikundër po punojmë edhe për atë gjeotermike. Besoj se krahas të gjitha përpjekjeve të mëdha e të domosdoshme për një kuadër ligjor ndërkombëtar që të bëjë të mundur parandalimin e rritjes së temperaturës në planet dhe uljen e emetimeve, është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje të shpejtë për të destinuar një përqindje të caktuar të ndihmës prej qindra miliardë dollarë të donatorëve bujarë, të përdoret për të mbështetur sektorin privat, që është i fokusuar në projektet e energjisë së rinovueshme. Këto fonde mund të përdoren për të mbuluar koston e interesave bankare në ndërtimin e veprave të energjisë së rinovueshme dhe jam i sigurt se do të mund të shumëfishonte me shpejtësi prodhimin e saj në një të ardhme të afërt. Në përballimin e ndryshimeve të klimës dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit, pyllëzimi përbën një proces shumë të rëndësishëm. Fushata një miliardë pemë e OKB-së ka pasur një përgjigje të suksesshme nga shumë vende dhe meriton vlerësimin si një hap i parë i rëndësishëm, megjithatë potencialet tona shumë më të mëdha. Qeveria shqiptare ka nisur një program ambicioz për të shfrytëzuar të gjithë potencialet e vendit për drurë frutorë. Ne synojmë të mbjellim gjatë 8 viteve që vinë 50 milionë rrënjë ullinj dhe rreth 200 milionë arrorë të të gjitha llojeve. Ky projekt ka filluar dy vite më parë dhe subvenciohet nga fondet publike. Unë kam sot kënaqësinë t’ju informoj se po ecën me shpejtësi. Në fakt, ky projekt është shndërruar në një pasion të vërtetë i qytetarëve, të paprecedent, për mbjelljen e pemëve. Në këtë kontekst, Shqipëria mirëpret ndihmën e OKB-së ose vendeve anëtare për përfundimin me sukses të tij. *** Shqipëria mbështet plotësisht Partneritetin për Qeveri të Hapur, të iniciuar nga Presidenti i SHBA Barack Obama dhe Presientja e Brazilit Dilma Rousseff, ndaj dhe është anëtarësuar në këtë nismë. Në përpjekjet tonë për qeveri të hapur, ne kemi përcaktuar si objektiv madhor “Shqipëria në moshën dixhitale”. Në një hark të shkurtër kohor, ne kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e vendit dhe ofrojmë internet falas për qytetarët në të gjitha zyrat postare të vendit. 2.1 milionë shqiptarë shfrytëzuan këtë ofertë dhe kanë lundruar në internet, shumë prej tyre për herë të parë në jetën e tyre. Kjo ka bërë të mundur që përqindja e popullsisë në Shqipëri që përdor internetin të rritet nga 4.8 përqind në fillim të vitit 2006, në rreth 60 përqind, pra 2/3 e popullsisë. Interneti falas do të vazhdojë të jetë i disponueshëm në zyrat postare dhe në zyrat shtesë që do të hapen për këtë qëllim. Për më tepër, qeveria është e vendosur plotësisht që në dy vitet e ardhshme të garantojë internet me bandë super të gjerë në mbarë vendin dhe të garantojë shërbime one-stop-shop ndaj qytetarëve. Ne besojmë se mosha dixhitale, mbi të gjitha, është mosha e transparencës. Mbi këtë koncept, dy vjet më parë, Shqipëria u bë vendi i parë në botë me sistem prokurimesh 100 përqind elektronike, të certifikuar nga agjencitë e OKB-së. Ky sistem bëri që pjesëmarrja në garën e prokurimeve publike të gjashtëfishohej dhe kostoja e tyre të ulej me 27 përqind. Shqipëria sot është vendi i e-taksës, e-doganës, regjistrimit elektronik në universitet dhe regjistrimit elektronik të biznesit. Qeveria është e vendosur të ofrojë one-stop-shop për të gjitha shërbimet ndaj qytetareve. Qeveria elektronike dje transparenca fuqizojnë demokracinë dhe ligjet tona garantojnë akses të lirë të qytetareve shqiptarë në të gjitha aktet, vendimet dhe shpenzimet publike. Për te konsoliduar rolin e shoqërisë civile, qeveria ime prej dy vitesh ka përcaktuar një zë të veçantë në buxhet, i cili administrohet nga një bord i pavarur i saj. *** Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj direkt dhe në tërësi me vendet e rajonit. Ne kemi vullnet të plotë të zhvillojmë dhe konsolidojmë më tej marrëdhëniet edhe me Republikën e Serbisë. Sikundër kam kënaqësinë t’ju siguroj se një vullnet i tille ekziston edhe në qeverinë e Kosovës për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe ka dëshmuar përkushtim dhe seriozitet në procesin e negociatave në Bruksel. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendosi korrikun e vitit të kaluar se shpallja e pavarësisë se Kosovës ishte në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Republika e Kosovës është njohur tani nga mbi 80 vende të botës. Shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje vendeve anëtare të OKB-së të njohin Republikën e pavarur të Kosovës, që është kthyer një faktor të rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin tonë. Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë, e cila shfrytëzoi këtë forum të lartë për t’ju drejtuar Gjykatës së Hagës, të përshtatë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, në përputhje me vendimin e kësaj Gjykate, duke dëshmuar se pranon dhe respekton ligjin ndërkombëtar në tërësi dhe jo vetëm ato pjesë që i interesojnë. Në përputhje me paketën e Presidentit Ahtisaari dhe në bashkëpunim të ngushtë me Eulex, KFOR dhe institucionet ndërkombëtare që ndodhen në vend, Republika e Kosovës ka vendosur dhe implementuar standardet më të mira të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, në rajon e më gjerë. Problemi më shqetësues për serbët në Kosovë aktualisht janë tensionet e krijuara dhe orkestruara për qëllime nacionaliste. Trashëgimia kulturore serbe në Kosovë është sot më e sigurt se kurrë. Ajo është një pasuri e madhe kulturore jo vetëm për serbët në Kosovë, por edhe për shqiptarët dhe të gjithë qytetaret e Kosovës, si edhe për Serbinë, për të gjithë rajonin dhe Europën. Unë dua t’ju garantoj ju, përfaqësues të nderuar të vendeve anëtare, se kërcënimi i vetëm ndaj tyre është përdorimi i tyre për qëllime dhe në funksion të së shkuarës së hidhur që nuk duhet të kthehet kurrë më. Marrëdhëniet ndëretnike në të gjitha zonat ku shqiptarët dhe serbët jetojnë në komuna të përbashkëta janë shumë të mira. Por, megjithatë, struktura paralele të paguara nga Beogradi, në tre komuna homogjene serbe në veri të Mitrovicës, ku nuk ka grupe të tjera etnike, i ka shndërruar ato në vatra të krimit të organizuar dhe kontrabandës të të gjitha llojeve. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të vendosë shtetin ligjor në këto komuna dhe kontroll efektiv të kufijve dhe doganave, në përputhje të plotë me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe me dokumentin e Presidentit Ahtisaari. Kjo përpjekje ka gjetur kundërshtimin e fortë të grupeve kriminale dhe bandave të organizuara, të cilat me armë dhe mjete të tjera bëjnë gjithçka për të bllokuar zbatimin e ligjit. Ne kemi mbështetur dhe mbështesin vullnetin e qeverisë së Kosovës, Eulex dhe KFOR për fuqizimin e ligjit, në mënyrë që në të gjithë territorin e republikë së Kosovës të mbizotëroj paqja dhe stabiliteti. Unë, gjithashtu, i bëj thirrje Serbisë të bëjë më të mirën për të hequr bllokimin e qarkullimit të mallrave në kufirin e saj me Kosovën, të respektojë marrëveshjen që nënshkroi këtë muaj në Bruksel, që parashikon mosvendosjen e embargos, por parashikon eksporte dhe importe të lira për të dy vendet. Ne besojmë se respekti për kufijtë aktual në Ballkan është një kusht thelbësor për paqe dhe stabilitet të përhershëm. Përpjekjet e Beogradit, për të mbajtur struktura paralele autoriteti në këto tre komuna të Kosovës, dëshmojnë se ende besohet tek një ndryshim i kufijve në rajonin tonë, të bazuar mbi një ide të tejkaluar e të dështuar të vendeve etnikisht “të pastra” dhe Serbisë se madhe. Republika e Serbisë, në zbatim të ligjit ndërkombëtar, arrestoi gjatë këtyre viteve kasapin e Ballkanit dhe ndonëse tejet me vonesë arrestoi edhe lejtnantët e tij dhe për këtë ka marre vlerësimin e duhur të komunitetit ndërkombëtar. Por unë ftoj Serbinë të bashkëpunojë për gjetjen dhe kthimin e trupave të 1500 burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve që u morën nga shtëpitë e tyre dhe u masakruan barbarisht në territorin e Serbisë, vetëm se ishin shqiptarë. Është shumë e rëndësishme të çlirosh vendin tënd nga ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, por po kaq e rëndësishme është te mos fshehësh, të mos flesh mbi varret e viktimave të tyre. Dje, këtu Presidenti Tadiç theksoi si të mirëqena akuzat e ngritura nga senatori Dick Marti për gjoja trafik organesh dhe varre masive të kryera nga shqiptaret, në territorin e Shqipërisë. Lidhur me këtë raport dëshiroj të shpreh këtu qëndrimin e qeverisë shqiptare. Raporti i senatorit Dick Marti, siç pohon vetë kryeprokurori i Serbisë Vukcevic që thotë se gjen raportin e tij plotësisht të përfshirë në raportin e senatorit Dick Martit, pra, është një plagjiaturë e raportit të Vukcevic. Çdo njeri që lexon këtë raport konstaton se raporti ngre shumë dyshime, aspak të motivuara, të bazuara në fakte dhe në të vërtetën, por kryesisht në qëllime të këqija. Raporti Dick Marti apo siç mund ta quajmë raporti Dick Marti-Vukcevic, nuk paraqet qoftë edhe një fakt të vetëm. Më duhet të theksoj se perifrazon kujtimet e Karla Del Pontes, e cila mesa duket i ka ato nga i njëjti burim. *** Në mijëra faqe të transkriptimeve të deponimeve e akuzave në Hagë të Sllobodan Milosevicit kundër shqiptarëve nuk ekziston qoftë edhe një herë e shqiptuar fjala trafik organesh apo varrezash masive në Shqipëri. Qëllimi i raportit është të zhvendos vëmendjen nga vendimi i Gjykatës së Hagës, por pavarësisë së Kosovës. Me gjithë këto, qeveria shqiptare i ka bërë kërkesë zyrtare delegacionit të tij në Këshillin e Europës të votojë për raportorin, për të vetmen arsye që të hapen dyert për një hetim të plotë nga investigimi ndërkombëtar. Qeveria ime i dërgoi kërkesën EULEX-it dhe e falënderon atë që e ka pranuar ftesën, duke e garantuar se do të bashkëpunojë plotësisht me Eulexin dhe Task Forcën dhe t’i krijojë të gjitha lehtësirat, në mënyrë që e vërteta për shpifje të tilla të dalë në dritën e diellit. Kur e lexova për herë të parë, biografia e Karla Del Pontes më kujtoi novelat e Agatha Christie. *** Pavarësisht të gjitha këtyre, rajoni ynë ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe përpjekje për të bashkëpunuar, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në BE po mbizotërojnë çdo ditë. Vendi im po bën më të mirën, po bën investime të mëdha në infrastrukturë për të krijuar lidhje të reja, rrugë të reja e komunikim të ri me të gjithë fqinjët tanë. Unë besoj se koha ka ardhur që shqiptarët dhe serbët të përpiqen të fillojnë duke arkivuar të shkuarën, të shikojnë për një të ardhme të përbashkët në interesin e kombeve të tyre. *** Në këtë sallë, Presidenti Abas i paraqiti audiencës kërkesën e tij për anëtarësimin e Palestinës në OKB. Qeveria ime e mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur. Por besoj se veprimet e njëanshme nuk do të jenë të dobishme. Prandaj i bëj thirrje miqve tanë palestinezë të mbështesin deklaratën e djeshme të kuartetit, në të cilën ata paraqitën një udhërrëfyes të qartë veprimesh, për të adresuar këtë çështje thelbësore të kohës sonë. * Fjala e Kryeministrit shqiptar në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB

KOMENTE