Tiranë 25 Shtator 2011 NOA/ Arlinda Koçi – Fiera del Levante vjen në edicionin e njëmbëdhjetë të saj në Shqipëri me një panair të parë ndërkombëtar të turizmit të qëndrueshëm: “Pushime!”. Por edhe “EcoBiz Expo Tech, Panairi “light” i teknologjive për mjedisin dhe energjitë e rinovueshme”. Nga datat 14 -16 tetor 2011 dhe 16-17 tetor 2011 në mjediset e City Park. “Edhe në kohë të vështira mund të gjenden interesa të forta ekonomike të përbashkëta, siç është turizmi, në të cilin vendi juaj ka shumë prespektivë dhe ne jemi gati të bashkëpunojmë që ajo të bëhet një destinacion konstant”, u shpreh në konferencën për shtyp administratori i deleguar i Fiera Del Levante, Massimo Lupis. ‘Nëse Italia ishte vendi i parë që hapi dyert për shqiptarët, edhe Fiera Del Levante do të ishte e para që bujti në vendin tonë’, do të shprehej drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodian Pajuni. Më pas ai dha statistika se si këtë verë turistët italianë zunë vendin e katërt me 5% të gjithë turistëve të hyrë në Shqipëri, ndërkohë që Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi zinin vendet e para. Domethënë Italia zë vendin e parë mes turistëve perëndimorë. Këto dy ngjarje janë konceptuar paksa ndryshe nga panairet tradicionale. Vizitorët dhe ekspozuesit do të jenë pjesë e një hapësire të madhe, të hapur, një open space e mirëfilltë. Do të marrin pjesë në të agjenci turistike, tour operator dhe struktura pritëse (hotele, restorante) italiane dhe shqiptare, si dhe ndërmarrje të furnizimit të hotelerisë, që përveçse do shpalosin ofertat e tyre turistike më të mira, do mund të shkëmbejnë kontakte, përvoja. Gjatë ditëve të panairit janë parashikuar të zhvillohen edhe një sërë seminaresh teknike, ku do të trajtohen tema mjaft interesante lidhur me turizmin dhe mjedisin, si dhe takime të shumta B2B (business to business). Panairet lançohen dhe mbështeten nga Ministria italiane për Zhvillimin Ekonomik, Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave; Ministria shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Agjencia Kombëtare e Turizmit shqiptare; ATA – si dhe aktorë e përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të këtyre sektorëve. e.t/NOA