Tiranë, 25 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Një javë nga zbatimi i urdhrit për çlirimin e të gjitha hapësirave publike nga shitësit ambulantë dhe tavolinat e lokaleve, bashkia e Tiranës ka ripërsëritur thirrjet për çlirimin e të gjitha trotuareve të kryeqytetit. Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha u bëri thirrje pronarëve të bareve të zhbllokojnë trotuaret pranë lokaleve të tyre nga tavolinat e vendosura në mënyrë të paligjshme, të cilat bllokojnë kalimin normal të qytetarëve dhe këmbësorëve. Gjithashtu zëdhënësja Bisha i bëri apel tregtarëve dhe shitësve ambulantë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në hapësira publike, me liçencë dhe pa licencë, që t’i lirojnë vendet e zaptuara deri në afatin e vendosur. Zonja Bisha kërkoi njëherësh mirëkuptimin e të gjitha subjekteve në fjalë duke u bërë me dije se kjo masë po merret për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve të kryeqytetit, duke u lehtësuar kalimin nëpër hapësirat publike dhe përmirësuar jetesën në Tiranë. Në fund të deklaratës për mediat këtë të diel, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës deklaroi prerë se çlirimi i hapësirave duhet kryer brenda afatit që është data 1 tetor, pra deri të shtunën e ardhshme, pasi në të kundërt do të jetë Policia Bashkiake që do të zbatojë urdhrin e Bashkisë mbi ata thyerësit e urdhrit. mit/NOA
Në foto: Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha