Tiranë, 25 Shtator 2011 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagon pas shpalljes një ditë më parë të një pakti të quajtur Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa, ku i propozon qeverisë dhe kreut të saj Sali Berisha të pranojë zbatimin e një marrëveshjeje me dhjetë pika. Më poshtë mund të lexoni materialin e plotë të përgatitur nga z.Rama: Një krizë mund të jetë mundësia për të marrë më tutje teposhtë në të tatëpjetën ku ke rënë apo për t’u ngritur më lart se ku ishe përpara rënies, në një gjuhë të vjetër fjala krizë i ka të dyja këto kuptime. Edhe më bukur akoma e tha një ditë Rahm Emanuel, këshilltari i afërt i Presidentit Obama, “s’mund t’i lejojmë vetes humbjen e shanseve të papërsëritshme të kësaj krize të madhe”. Me këtë filozofi, për t’i shërbyer interesit kombëtar dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike duke shmangur edhe një dështim të ri, të përsëritur e dramatik, refuzimin nga Brukseli të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit, kemi ofruar një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa. 10 pika të propozuara prej nesh që të pranuara nga pala tjetër janë një trokitje e fortë në dyert e Europës në 12 tetor dhe krijojnë premisat e një kapitulli të ri në jetën e parlamentit shqiptar po jo vetëm. Intregrimi europian është në radhë të parë frymë europiane në proçesin politik. Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa e mishëron këtë frymë përmes një sërë hapash që ribalancojnë në disa aspekte bashkëjetesën politike e qytetare shqiptare. S’e di çfarë do të bëjë qeveria me këto dhjetë pika, di vetëm që Saliut nuk i intereson integrimi europian. Statusi i kandidatit rrit eksponencialisht volumin e detyrimeve të vendit në të gjitha drejtimet dhe imtësinë e vëzhgimit të Bashkimit Europian mbi standardet e garantuara në çdo aspekt. Kjo e dyta do t’i bënte të pamundura shumë nga paudhësitë e përditshme të qeverisë, ndërsa detyrimet do të ishin thjesht të papërballueshme me cilësinë mizerabël të kësaj qeverisjeje. Kalbëzimi i sotëm i shtetit nuk është pasojë, po projekt qeverisës i kapjes së shtetit për interesat e pushtetit, me rezultat të menduar e të jetësuar rrënimin e institucioneve kushtetuese, shkatërrimin e administratës publike, mungesën e drejtësisë e transparencës dhe manipulimin e shifrave të ekonomisë, përfshirë edhe vendosjen në sallën e Kuvendit të një sundimi banal mbi opozitën. Tek rivendosja e konsensusit për proçedurat parlamentare duhet të nisë kthesa drejt europianizimit të sabotuar qëllimisht për të garantuar errësirën e vendimmarrjes dhe intensifikimin e shpërlarjes së trurit të shoqërisë. BE-ja e ka identifikuar më së mirë këtë rrëshqitje antidemokratike dhe ka drejtuar gishtin e fajësimit të të dyja palëve në refuzimin e vjetshëm. Por pa vënë shenjën e barazimit, opozitës i ka kërkuar pjesëmarrje të plotë aktive në parlament, qeverisë drejtim e qasje balancuese, depolitizim të administratës së Kuvendit, financim transparent sipas standardeve europiane të jetës parlamentare. Opozita e ka përmbushur kërkesën dhe ka propozuar platformën që zgjidh këtë problem parësor. Zgjedhjet me standardet e munguara europiane janë shqetësim i shprehur e zeza mbi të bardhë nga Komisioni Europian në dokumentin e refuzimit, reforma zgjedhore hapi i parë themelor i përcaktuar prej tij për të dalë nga cikli i krizave zgjedhore. Opozita e ka përmbushur nga ana e saj kërkesën dhe ka hedhur e para hapin drejt konstituimit të një proçesi konsensual për këtë reformë. Hapja e një proçesi transparent e të dakordësuar mes palëve për zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e të Guvernatorit të ri të saj, do qe një theks kuptimplotë mbi proçesin e shumëkërkuar politik nga BE-ja, aq më tepër në kushtet e një gjendjeje ekonomike e financiare shpërthyese. E cila mund të mbulohet përkohësisht nga shamia prej prestigjatori e Ardian Fullanit dhe nga isoja që INSTAT-i i bën këngës me çifteli të Saliut për mrekullinë ekonomike, por jo për shumë kohë akoma. Më shpejt se vonë, flluska e fryrë me borxhe e gënjeshtra e “ekonomisë së dytë në botë pas Gjermanisë” do plasë dhe do ta nxjerrë Shqipërinë cullak me këmbë në tokë e duart lart. Opozita e ka përmbushur kërkesën që buron nga interesi kombëtar e publik duke ofruar kontributin e saj në informimin e publikut për të vërtetën e maskuar të ekonomisë e të financave shqiptare dhe e sheh si pjesë të këtij kontributi përfshirjen në paktin e propozuar të zgjedhjeve që do përcaktojnë 7 vitet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokati i Popullit zgjidhen po ashtu tani. I pari me shumicë të thjeshtë, i dyti me shumicë të cilësuar, të dy me propozim të Presidentit të Republikës. I pari tradicionalisht është zgjedhur nga rradhët e opozitës. Për të dytin Saliu thotë “le ta marrë opozita mjafton të na japë emrin që ne ta votojmë”, dy herë qesharake kjo. Sepse e para zëre se thotë Avokati i Popullit është kot prandaj po e përdor si kockë për ndërkombëtarët e uritur për dialog e bashkëpunim politik mes shqiptarëve. E dyta sepse politizon një institucion që ka lindur për të qenë i qytetarëve jo i partive. Opozita, e cila s’është me qytetarët vetëm kur flet për ta apo i thërret në protesta për të mirën e tyre, i përgjigjet Sakiut “Jo faleminderit”. Avokatin e Popullit duhet ta zgjedhim bashkërisht mes qytetarëve, jo nga radhët e partive e as si lëmoshë për opozitën. Ky është vizioni ynë europian për institucionet dhe nuk e tradhtojmë këtë vizion për t’u gjetur njerëzve tanë një vend, po duam t’i gjejmë çdo vendi njeriun e duhur për shtetin e shoqërinë. Po njësoj mendojmë edhe kur bëhet fjalë për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nocioni tradicional që ky t’i përkasë politikisht opozitës apo prirja e sotme e Saliut për ta pasur politikisht të vetin, s’kanë lidhje as me të mirën e vendit as me vizionin tonë për shtetin. Shteti s’është mish në hell që hahet nga pushteti, as tavë mishi me lëng ku opozita fut lugën me pëlqimin e pushtetit. Shteti është i qytetarëve. Njeriu që e kontrollon shtetin në krye të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duhet të jetë i qytetarëve jo i partive. Prandaj ofrojmë konsensus për një figurë të propozuar nga Presidenti i Republikës që as të mos jetë nga dy partitë e mëdha, as të mos ketë milituar ndonjëherë në radhët e tyre. Kjo është qasja jonë shtetndërtuese sot në opozitë, me këtë vizion europian e kushtetues do t’i trajtojmë institucionet e shtetit nesër në qeveri. Qeveria vazhdon ndërkohë avazin e fajësimit të opozitës për refuzimin e statusit të kandidatit. Nga njëra anë duke dizinformuar përditë shqiptarët për Bashkimin Europian kur thotë se vizat i mori ajo falë ligjeve me shumicë të thjeshtë që miratoi, ndërsa integrimin e penguaka mosvotimi i opozitës për ligjet me shumicë të cilësuar. Dhe nga ana tjetër duke dizinfomuar Bashkimin Europian përmes një trupi diplomatik shqiptar të kthyer në një lukuni fanatike që në ministritë e jashtme europiane, në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës, po edhe matanë Atllantikut, mbushin me shpifjet e Saliut për opozitën veshët e miqve e të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Por nëse kanë arritur të gënjejnë disa me fushatën e tyre intensive të paguar me taksat e gjithë shqiptarëve, Komisionin Europian s’e kanë gënjyer dhe s’e gënjejnë dot. As opozitën s’e kompleksojnë dot fare. Ne e duam integrimin europian për të kundërtën e arsyeve që nuk e do Saliu dhe pushteti i tij oriental në frymë, në metodë qeverisëse, në punëra të mbrapshta që pasurojnë marramendësisht oborrin dhe shkatërrojnë pakorrigjueshmërisht Shqipërinë. Por ne s’mund ta ngremë assesi kartonin jeshil për palavitë ligjore që qeveria i’a sjell parlamentit për t’i hedhur hi syve Brukselit. Sepse nga arrnimi i kodeve me gjilpërat e ndryshkura të rrobaqepësve të oborrit e me perin e injorancës qeverisëse Shqipëria nuk europianizohet As Komisioni Europian nuk miklohet. Ne jemi gati për reformat që duan 3/5-tat, të cilat janë reformat e shtetit, të organizimit e administrimit shtetëror të republikës sonë. Prandaj nëse qeveria do që të hapë kantieret e këtyre reformave ne propozojmë një proçes me frymë europiane në vizion e në metodë pune. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që ta udhëheqë këtë proçes shtetndërtues në bashkëpunim me një grup ad hockonstitucionalistësh si edhe grupe ekspertësh vendas e të ftuar rast pas rasti sipas fushave nga Bashkimi Europian, OSBE-ja apo Këshilli i Europës, me transparencë e përfshirje të grupeve të interesit, dhe të votojmë me konsensus në sallën e Kuvendit deri verën e ardhshme çdo produkt të kësaj pune për së mbari. Kështu e europianizojmë proçesin legjislativ në formë e përmbajtje, kështu opozita përfshihet që sot me të dy duart në të, kështu do ta organizojmë ne punën e parlamentit kur të jemi nesër në qeveri. Kufizimi i imunitetit kushtetues është bërë refren bajat i Saliut që përsëri fajëson opozitën për moskufizimin e derisotëm. Por opozita s’ka ndonjë arsye të vetën që të kapet pas imunitetit. Qeveria po, ka plot. Arsyeja pse ne s’e votojmë kufizimin e imunitetit është se s’duam ta riprekim Kushtetutën në tym, po duam një proçes që duhet hapur si korrigjim i praktikës së gabuar, pa transparencë e pa asistencë të mirëfilltë ndërkombëtare, të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008. Për këtë propozojmë ngritjen e një tryeze për ta rishkuar Kushtetutën me praninë e Komisionit të Venecias, qoftë për të kufizuar imunitetin, qoftë për ndërhyrjet në kushtetutë që lidhen me draftet e ligjeve me 3/5-tat, qoftë për rivlerësimin e ndryshimeve të para tre vjetëve në transparencë të plotë me publikun. Kështu i bën punët Europa ku duam të integrohemi, kështu duam t’i bëjmë ne punët sot, kështu do t’i bëjmë nesër në qeveri. Mjaft me obskurantizmin e imponuar në sallën e parlamentit e në jetën publike shqiptare, të ndryshojmë rrugë sa pa qenë shumë vonë. S’ka prehje sociale pa ndriçuar deri në fund vrasjet barbare të këtyre viteve gjatë e pas zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009. Të zbardhim me çdo kusht 21 janarin, ekzekutimin e një deputeti e të një kryekomunari të opozitës, duke hequr menjëherë bllokimin e policisë mbi këto hetime dhe duke i dhënë publikisht mbështetje Prokurorisë së Republikës e kryeprokurores së anatemuar rëndshëm në publik deri si “lavire bulevardi”. E jo vetëm mbështetje, po garanci publike se nuk do të sulmohet politikisht nga asnjëra palë deri në fund të mandatit të saj dhe disponibilitet politik për t’u hetuar nga prokuroria që të gjithë, nga Saliu tek unë, tek ministra e deputetë, e deri tek organizatori më i fundit i demonstratës apo ushtari më i fundit i batalionit vrasës të 21 janarit. T’i kërkojmë publikisht organit të akuzës edhe transparencën e të gjitha fakteve që kanë dalë para syve të shqiptarëve nga kabllogramet. S’mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë, ka ndodhur diçka jashtëzakonisht e rëndë. Shqiptarët janë të tronditur e të neveritur nga faktet e kabllogrameve. As ministrat deputetë as deputetët e opozitës të përfshirë në to me akuza apo përcaktime tejet të rënda, ashtu si asnjë funksionar tjetër i shtetit që rezulton, me të drejtë a pa të drejtë, i zhytur në botën e krimit a në kanalet e korrupsionit qeveritar, s’mund të amnistohet politikisht duke i quajtur thashetheme gazetash raportet e dala nga kanalet e diplomacisë më të fuqishme e më profesionale të botës. Publiku shqiptar meriton transparencë dhe këtë transparencë mund ta bëjë vetëm një hetim i pavarur i prokurorisë. Të cilës duhet t’ia kërkojë vetë klasa politike qëmtimin e çdo akuze dhe përcaktimi të publikuar, për t’u pastruar nga llumi që e ka mbuluar krejt imazhin e saj duke u ndarë prerazi nga të inkriminuarit me imunitet a me uniformë shtetërore. Asnjë parlament europian s’është prekur nga Wikileaks-i si parlamenti shqiptar. Në asnjë vend të Europës qeveria e parlamenti s’mund të bënte rolin e budallait siç po e bën qeveria e parlamenti shqiptar teksa publikun e ka pushtuar neveria dëshpëruese para spektaklit të hapjes së kapakut mbi shumë hetime të lëna përgjysmë e mbi shumë figura publike të dala nga kapaku si përfaqësues të krimit të organizuar apo si autorë të kapjes së shtetit me kthetrat e korrupsionit. Një diplomat europian më tha, “Po të kishin dalë këto tmerre në vendin tim do kishin shkuar vetë me këmbët e tyre në prokurori të gjithë të cituarit si pjesë e nënbotës ku gjallon krimi e korrupsioni”. Kjo është Europa, kështu duhet të jetë edhe Shqipëria, këtë duam sot në opozitë, me këtë qasje do të qeverisim nesër. Vizioni ynë është Shqipëria si gjithë Europa, ndërsa televizioni ynë, TVSH-ja, është si TV Tripoli që glorifikonte Kadafin e tallej me kundërshtarit e gomarit të madh të Libisë njësoj siç tallet ekrani i TVSH-së me qytetarët e Shqipërisë duke propaganduar me frymë fashiste imazhin e qeverisë. Ta balancojmë menjëherë TVSH-në. Të balancojmë pa humbur kohë edhe KKRRT-në që është bërë shkopi i Aleksandrit të Madh të Saliut në botën e medias, për të rrahur me gjoba a me vendime diskriminuese konkurrentët e tij joqeveritarë duke bërë një rrugë e dy punë me mllefin e Saliut ndaj tyre. Njësoj siç përfitoi para pak ditësh Kujtim Cashku që gllabëroi një tjetër territor në Kinostudio në kurriz të TOP Channel-it, duke i vënë mbi kokë ekranit më të madh kombëtar shkopin e policisë bashkiake të kanakarit të Saliut në Tiranë. Nëse Pakti ynë për Shqipërinë si gjithë Europa do të bëhej baza e një dakordësie politike për të vepruar shpejt në të dhjetë këto drejtime, 12 tetori mund të bëhet dita e bukur shqiptare e derës së hapur të Brukselit. 10 pikat që propozojmë do të kumbonin në veshët e Bashkimit Europian si dhjetë trokitje të forta nga Shqipëria, ndërsa copat e çikat e neneve të qeverisë që duan votën tonë për të arnuar shatrapatra Kodin Rrugor, Detar apo Ajror, s’do ta shmangnin kurrë refuzimin e dytë fatal para derës së mbyllur të Brukselit. Madje ato s’kanë as lidhje me 12 prioritetet e Bashkimit Europian. Kjo është oferta jonë, ky është interesi i sotëm kombëtar e publik mishëruar në një nismë të alternativës sonë europiane për Shqipërinë, këto janë piketat ku mund të ridrejtojmë rrugën e shqiptarëve drejt Europës. Nëse Saliu është gati ta lërë mënjanë interesin e tij vetjak dhe projektin kadafist të Shqipërisë pa zgjedhje, pa institucione të pavarura, pa media të lira, pa ndëshkim për vrasësit e të korruptuarit, pa vend në tryezën e Bashkimit Europian, bujrum, ne jemi gati me kartonin jeshil në dorë. Në të kundërt shqiptarët le ta shohin kush i çon në Europë e kush i zhyt më thellë në spiralen e krizave që na e mbajnë larg prej njëzet vjetësh ëndrrën e Shqipërisë si gjithë Europa. Le ta shohin edhe gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë po ashtu”, përfundon shkrimi i z.Rama. e.t/NOA