Nju Jork, 25 Shtator 2011 NOA - Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, i drejtuar nga Liri Berisha, në përpjekjet për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për autizmin, ka kryer një axhendë të ngjeshur në Shtetet e Bashkuara. Atje, sikunder shihni edhe ne fotot qe shoqerojne kete raportim, fondacioni i drejtuar nga Liri Berisha, ka folur gjatë edhe për trajtimin e fëmijëve që vuajnë pasojat e këtij çrregullimi. Kontributi i Zj.Berisha, është vlerësuar maksimalisht nga personalitete të ndryshme botërore, që merren me studime, trajnime, gjithashtu dhe trajtimin e autizmit. Ajo gjithashtu, ka marrë vlerësime dhe nga zonja të para, nga vende të ndryshme të botës, në takimin vjetor për autizmin, organizuar nga Autizem Speaks në NY, ku zonja Berisha për të katërtin vit, ishte e ftuar nderi. Personalitete të pranishme në takim, si bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Soon-Taek, Suzanne Wright, Bob Wright drejtues të Autizem Speaks, kanë vlerësuar rolin dhe kontributin e Zj. Berisha në drejtim të Autizmit, lidhur me ndërgjegjësimin, krijimin e qendrave të trajtimit, ndërtimin e kapaciteteve për rritjen e shërbimeve, si dhe përkujdesjen e vazhdueshme për fëmijët autikë. Shqipëria, sipas tyre, e ka kthyer fuqishëm në vëmendje përballjen dhe sfidat me këtë çrregullim. Zonja Berisha në këtë takim, ka bërë një prezantim të punës së Fondacionit Fëmijët Shqiptare, sikundër bëri të ditur se përballja me autizmin në Shqipëri, gëzon mbështetjen e fortë të Kryeministrit Berisha dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Zonja Berisha në fjalën e saj theksoi se: “Autizmi përbën një prej çështjeve të rëndësishme për Shqipërinë. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, që kam kënaqësinë të drejtoj, është bërë sot një katalizator i fuqishëm i ndryshimit të qëndrimit të familjeve dhe shoqërisë tonë ndaj çrregullimit autik. Berisha tha se fondacioni është promovues i vërtetë i ngritjes së fondeve për trajtimin e fëmijëve autikë, asistencën e familjeve të tyre dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetit.” Mjaft të rëndësishëm, e ka konsideruar Zonja Berisha, takimin me përfaqësuesit e ministrive të shëndetësisë të vendeve të Evropës Juglindore, në Tiranë, e cila ndihmoi në krijimin e Rrjetit të Autizmit për Evropën Juglindore, ku bëjnë pjesë: Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, dhe së fundmi edhe Kosova dhe Mali i Zi. Këto vende firmosën Zotimin e Tiranës për Autizmin, duke u bërë kështu anëtarët e parë të Rrjetit të Autizmit për Evropën Juglindore. Nisma më ambicioze e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, është krijimi i një Qendre Kërkimore dhe Trajtuese, e cila do të ofrojë paketë shërbimesh/aktivitetesh shëndetësore, edukuese dhe sociale për fëmijët autikë dhe familjet e tyre. Ndërtesa e re ka 16 ambiente klinike për vlerësim dhe trajtim me pajisjet e nevojshme. Më shumë se 150 fëmijë me çrregullime të spektrit Autik dhe familjet përkatëse, do të marrin shërbime në shtëpi dhe në qendër. Zonja Berisha ftoi zonjën Ban Soon-Teak, të marrë pjesë në inaugurimin e kësaj qendre, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi . Zonjat e para vizituan edhe një shkollë për fëmijët me çrregullime të autizmit, ku panë nga afër teknologjinë dhe metodat që përdoren me këta fëmijë. Zonja Berisha u takua me përfaqësues të lartë të qendrës më të madhe të autizmit në Katar. Gjate takimit, u diskutua për një nismë të re nga ku do të përfitojë dhe Shqipëria, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Përfaqësuesit nga Katari, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme hapjen e Qendrës së Re të Autizmit në Tiranë, ofruan mbështetje financiare për arredim dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, si dhe rritje të kapaciteteve profesionale. Gjatë qëndrimit në New York, Zj.Berisha pati takime me personalitete të ndryshme botërore, mes te cilave dhe Zj.Mishel Obama, si dhe mori pjesë në sesionin mbyllës të Iniciativës Globale Klinton, ku ishte e pranishme edhe Sekretaria Amerikane e Shtetit Hillari Klinton. Gjatë këtij takimi, Zj.Berisha zhvilloi një bisedë me Ambasadoren zj.Melannie Verver, Përfaqësuese e Qeverisë Amerikane për çështjet globale të grave. Zonja Verver u shpreh e impresionuar për angazhimin e Zj.Berisha në ridimensionimin e figurës se humanistes shqiptare, Nënë Tereza. e.t/NOA