English

Gazetarët dhe parimet e saktësisë

Gazetarët dhe redaktorët kanë për detyrë të jenë besnikë ndaj përgjegjësive të tyre profesionale, duke respektuar rreptësisht parimet e saktësisë, objektivitetit dhe korrektesës kohore Nga Eugen Wolfarth Jo më kot media konsiderohet si pushteti i katërt në demokracitë moderne, ku media funksionon si “qen roje” për të mirën e publikut përkundrejt legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Në këtë rol, media e shkruar dhe elektronike, si dhe interneti, shihet si burim i mundshëm informacioni mundësisht të vërtetë, faktik, të saktë dhe të paanshëm.

Në demokracitë kushtetuese ende në tranzicion, roli i medias merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi gazetat, radiot dhe televizionet duhet të shërbejnë edhe si edukues të publikut.

Nëpërmjet masmedias, qytetarët mësojnë jo vetëm se si funksionojnë mekanizmat qeveritarë por edhe se çfarë pushteti kanë ata si zgjedhës dhe taksapagues për të ndikuar në mënyrën sesi qeverisen.

Megjithatë, në shumë raste, ajo çfarë masmedia raporton mund të ketë rëndësi dytësore në krahasim me mënyrën sesi raportohet.

Padyshim, media duhet të jetë e lirë nga çdo ndërhyrje politike apo ekonomike në kryerjen e detyrës publike për të informuar publikun.

Megjithatë, gazetarët dhe redaktorët kanë për detyrë të jenë besnikë ndaj përgjegjësive të tyre profesionale, duke respektuar rreptësisht parimet e saktësisë, objektivitetit dhe korrektesës kohore.

Dikush mund të justifikohet me mendimin se zhvillimi i shpejtë i informacionit dhe teknologjisë së komunikimit ndihmon në shpërndarjen e informacionit te një audiencë edhe më të gjerë.

Megjithatë, ne tani ndodhemi në një udhëkryq, ku përparimet teknologjike po përdoren për të shkelur parimet bazë të etikës së medias, përfshirë edhe parimin e shenjtërisë së jetës private.

Një shembull është hetimi ende në proces në Mbretërinë e Bashkuar të gazetës tashmë jo më në qarkullim, News of the World, vetëm se lejoi dhe inkurajoi gazetarët e vet të përgjonin biseda private në celular.

Pavarësisht rezultatit të këtij hetimi, imazhi i profesionit të gazetarisë është dëmtuar mjaft rëndë si pasojë e praktikës të quajtur zakonisht ”përgjim telefonash”.

Zhvillimet e ditëve moderne në teknologjinë e informatikës dhe komunikimit, gjithashtu, përbëjnë një rrezik të madh për të drejtat e individit për t'u informuar duke përdorur mjetet e masmedias. Spamet ose emailet e padëshiruara, janë një tjetër formë rreziku.

Lehtësia dhe kostoja e ulët e përdorimit të internetit si një platformë informimi ka lejuar përhapjen e të gjithë llojeve të informacionit në Internet.

Ndërsa një pjesë e mirë e informacionit të disponueshëm i ndihmon njerëzit të zgjerojnë horizontet e dijeve të tyre, ka gjithashtu raste kur informacioni nuk është shkencor apo i saktë.

Kjo është një arsye tjetër për të cilën si konsumatorë të lajmeve ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një media të lirë, të pavarur dhe gjithashtu të përgjegjshme, jo vetëm që të na informojë, por edhe që të na ndihmojë të dallojmë të drejtën nga e gabuara.

Sidoqoftë, në mënyrë që gazetarët të jenë në gjendje që të përmbushin përgjegjësitë e tyre kundrejt publikut, ata duhet të jenë të çliruar nga frika dhe nga lakmia.

Dikush mund ta kuptojë heshtjen e një gazetari që heton korrupsionin nëse ai gazetar vihet nën presion apo kërcënohet nga punëdhënësi i tij apo nga persona që kanë biznese me ndikim apo pozita politike.

Në këtë pikë, duhet theksuar se është detyrë e shtetit të përgatisë dhe të krijojë kushtet që media të raportojë lirisht, përfshirë edhe sigurimin që kontratat e duhura të punësimit do të zbatohen nga pronarët e mediave.

Shteti nuk duhet të përpiqet që të rregullojë përmbajtjen editoriale nën maskën e rregullimit të biznesit, pasi problemet që lindin nga liria e medias mund të zgjidhen vetëm përmes një lirie edhe më të madhe të medias.

Me këtë në mendje, Prezenca e Shqipërisë ka mbështetur median shqiptare përmes asistencës institucionale dhe praktike në nivele të ndryshme, ashtu siç bëmë kur iu bashkuam hartimit të Kodit Etik të Medias, në vitin 2006.

Shqyrtimi i fundit i strategjisë së Qeverisë për dixhitalizimin, mbështetja për krijimin e organit vetërregullues "Klubi i Medias Shqiptare", si edhe kontributi në diskutimin e projektligjit për median e transmetuar janë vetëm disa shembuj të iniciativave që Prezenca ka ndërmarrë gjatë muajve të fundit.

Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të kontribuojë për zhvillimin e medias së lirë, të pavarur dhe të përgjegjshme në Shqipëri për sa kohë që të jetë e nevojshme. * Fjala e Kryetarit të Prezencës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të etikës në Media, 23 shtator 2011

KOMENTE