English

Itali, celulari dhe targa shqiptare tradhëton bandën e hajdutëve

E diel, 25 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Tre emigrantë shqiptarë ranë në prangat e policisë italiane të akuzuar për grabitjen e një çifti të moshuar italianësh. Emigrantët vodhën një vilë në lagjen Tassina në Rovigo, ku të maskuar me thika dhe të pajisur me leva kishin zënë në gjumë dy të moshuarit dhe pasi i kishin kërcënuar dhe lidhur këmbë e duar me kabull elektrik, kishin kërkuar në të gjitha dhomat duke bastisur shtëpinë. Ulërimat e frikës së dy viktimave kishin arritur të zgjonin djalin që jetonte përbri tyre, por sapo u pikas u lidh dhe u rrah edhe ai. Në përfundim të gjithë kësaj, banditët arritën të përvetësonin 400 euro dhe sende të ndryshme të florinjta, duke arritur të largohen para mbërritjes së policisë. Ngjarja në fjalë ndodhi para 3 ditësh ndërsa kapja e tyre u bë e mundur vetëm pasditen e djeshme, ku pas hetimeve të skuadrës së policisë u bë evidentimi dhe kapja e tyre. Gjithsesi operacioni i policisë u lehtësua falë gjetjes së një telefoni celular afër banesës, i cili i kishte rënë njërit prej grabitësve gjatë rrugës së arratisë. Ndërkaq nga ana e karabinierëve u bë ekspertimi i celularit nga ku si rrjedhojë e tradhëtisë së tij u gjetën emra, numra dhe mesazhe të cilat çuan në evidentimin e të zotit dhe pas tij edhe të bashkëpunëtorëve të grabitjes. Një patrullë e policisë bëri të mundur evidentimin e automjetit ku tre bashkëpunëtorët po udhëtonin, pasi makina ishte me targa shqiptare gjë që shtyu policët të ndalonin dhe kontrollonin. Sakaq gjatë kontrollit të makinës dhe të pasagjerëve u bë e mundur gjetja e bizhuterive, sasi floriri, euro si dhe një thikë. Pas gjithë këtyre fakteve ishte përballja me të moshuarit ajo që preu vendimin me burg për tre shqiptarët. a.y/NOA

KOMENTE