Erotizmi ynë i ngjan një luleje. Që të jetë e çelur, duhet ujitur dhe ushqyer në çdo stinë. Gratë e qëmotit thonin se një gur që nuk lëviz hedh rrënjë. Kështu edhe një marrëdhënie që nuk rigjenerohet, bëhet e lodhshme dhe e mërzitshme. Armiku numër një i seksit është rutina që kap shpeshherë jetën e çifteve. Shumica e të sapomartuarve rrëmbehen nga angazhimet e jetës së përditshme duke anashkaluar jetën seksuale dhe dëshirat erotike të partnerit. Po ç’farë na bën shpesh herë të ndiejmë largësi me partnerin?
Kur fshehim defektet nën çarçaf
Një problem i vogël me trupin apo fytyrën tonë mund të na bëjë të ndihemi keq përballë atij ose asaj, çka mund të ndikojë në qasjen tonë erotike. Një person, i cili nuk ndihet i sigurt në seksualitetin dhe joshjen që bart, gradualisht heq dorë nga loja erotike me partnerin dhe mbyllet në vetvete. Ka frikë t’i afrohet partnerit dhe ta provokojë atë seksualisht, duke i dhënë përmasa edhe më të mëdha vetmisë së tij seksuale. Është e natyrshme që femrat të kujdesen më shumë për pamjen e tyre sesa meshkujt. Ndaj dhe preferojnë që partneri i tyre të ketë një trup të rregullt dhe gjithmonë joshës. Po ashtu dhe meshkujt janë të ndërgjegjshëm se bukuria trupore është një armë e rëndësishme për të mbajtur gjallë interesin seksual të partneres së tyre. Por, shumë nga meshkujt me kalimin e kohës e lënë veten pas dore duke shfaqur mangësi të mëdha seksuale në shtrat. Shpesh herë ata i shmangen shfaqjes lakuriq përpara gruas së tyre, duke u fshehur nën çarçafë ose duke bërë seks në pozicione të caktuara. Afërmendsh që me kalimin e kohës personaliteti i tij seksual do të bjerret duke zbehur edhe raportin seksual me partneren e tij. Meshkujt gabojnë kur mendojnë se vetëm femra duhet të jetë “zjarr” gjatë gjithë kohës.. E njëjta gjë vlen edhe për ta. Mashkulli i sigurt në vetvete dhe potencialin e tij seksual mund ta bëjë një femër të ndihet grua dhe ta joshë, pa qenë nevoja për ta hedhur atë në shtrat.
Nuk kemi të njëjtën libido
Mos ndoshta në shtratin tuaj fshihet një gorillë 400 kilogramëshe... Kjo mund të thuhet kur mes jush dhe partnerit mungon harmonia dhe dëshira për tu gjendur në krahët e njëri-tjetrit. Ka momente kur çdonjërit prej nesh i mungon dëshira për seks, sidomos pas një dite të lodhshme në punë. Po ç’farë ndodh kur libidoja juaj është në maksimum, ndërsa partneri lë për të dëshiruar. Studimet thonë se një në tre çifte ka probleme në përputhshmërinë e dëshirës për të bërë seks. Në fillim të një marrëdhënieje duket se dëshira me partnerin ju përputhet, por më vonë gjithçka fillon të zbehet. Kjo sepse entuziazmi dhe joshja e fillimit fsheh potencialin tuaj të vërtetë seksual. Kur vrulli bie dhe libidoja juaj vjen në parametra normalë, atëherë mund të kuptoni se sa i dhënë jeni pas të bërit seks. Kur mungesa e dëshirës për të bërë seks evidentohet tek mashkulli, atëherë problemi bëhet edhe më i madh. Kjo për vetë natyrën e mashkullit, që shpeshherë etiketohet si i pangopur në seks. Dhe nëse nuk flisni me partneren apo partnerin tuaj atëherë ndjenjat e plagosura mund t’ju çojnë drejt tradhëtisë.
Stres dhe impotencë
Duhet thënë se hormonet tona nuk janë gjithmonë të qëndrueshme. Ndryshimet në punë, sëmundjet e ndryshme apo kalimi i moshës mund të bëjë që libidoja jonë të zbehet dhe dëshira ndaj partnerit po ashtu. Gjithmonë e më tepër stresi është evident në jetën tonë. Edhe pse trupi i njeriut është i përgatitur për të përballuar dhe reaguar ndaj stresit, kohëzgjatja e tij mund të ndikojë negativisht në shëndetin tonë seksual. Një nga pasojat është impotenca, si te meshkujt ashtu dhe tek femrat. Sipas studimeve, 1 në 10 meshkuj shfaqin impotencë seksuale pas një stresi të zgjatur ndërsa 1 në 5 meshkuj kanë mungesë të theksuar të dëshirës për të bërë seks. Për pasojë njëra nga zgjidhjet për të kënaqur vetën është masturbimi, i cili ndodh shpesh, kur mes dy partnerëve nuk ka një jetë të rregullt seksuale. Ndonëse mund të keni kaluar shumë vite bashkë, duhen gjetur mënyra që mbajnë gjallë interesin seksual të partnerit. Një jetë e shëndoshë seksuale mund të na bëjë të ndihemi të çliruar nga streset e jetës së përditshme si dhe të na ngrejë moralin.
Seksi është në mendje
Përjetimi seksual i femrës fillon dhe mbaron në trurin e saj. Aroma e partnerit, fjalët që ai i pëshpërit, mënyra si i afrohet, si e prek dhe e puth, janë disa nga momentet që mbeten gjatë në trurin e një femre. Nëse shija që mbetet është provokuese, atëherë femra ndihet seksi dhe me një dëshirë në rritje për të përjetuar një orgazëm të njëkohshme me mashkullin. Për femrën është edhe më ideale kur ndjen se i përket mashkullit të saj dhe anasjelltas, dhe këtë ajo mund ta kuptojë vetëm gjatë aktit seksual me partnerin e saj. Por, shumë nga femrat ngurojnë të ndryshojnë mënyrën klasike të të bërit seks, duke menduar se në këtë mënyrë do të ruajnë konsideratën që bashkëshortët kanë për to. Ato privojnë partnerët e tyre nga kënaqësitë erotike, duke i cilësuar si të pamoralshme dhe shthurje, fantazitë e tjera seksuale, dhe duke i shtyrë në këtë mënyrë në kërkimin e eksperiencave të reja. Kur femrat janë më të çliruara gjatë aktit seksual ato e bëjnë mashkullin më të afrueshëm rreth tyre. Si burri ashtu dhe gruaja nuk duhet të ngurojnë t’i falin njëri-tjetrit pasion dhe të marrin pjesë në mënyrë sa më energjike në rigjenerimin e jetës seksuale. Nëse do të evitoni formalitetet në të bërit seks, atëherë edhe dëshira seksuale dhe kënaqësia erotike do të jenë më jetëgjatë. mit/NOA