Nga Besnik Mustafaj Para pak ditësh, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dy nene të ligjit “Për Gjendjen Civile”, të cilat lidheshin me deklarimin e përkatësisë kombëtare në Regjistrin e Gjendjes Civile. Ky vendim shkaktoi një eufori te kundërshtarët e shumtë që ka në Shqipëri regjistrimi i popullsisë, i cili është parashikuar të zhvillohet nga data 1 deri më 21 tetor. U besua për një çast se u rrëzua kështu edhe deklarimi i përkatësisë etnike dhe asaj fetare në regjistrimin e afërm. Por, Armand Teliti, drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, i vuri pa vonesë gjërat në vend. Ai sqaroi, me të drejtë, se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me censusin”. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese meriton një vëmendje më vete për të kuptuar sidomos rëndësinë e tij, por edhe për të shtruar pyetjen: përse ndodh që qeveria jonë harton kaq shpesh dhe Parlamenti miraton symbyllazi ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën? Më imediat, siç shihet, është regjistrimi i popullsisë, ose “censusi”, siç kërkon ta quajmë ministri Genc Pollo, për t’i dhënë një tingëllimë latine, domethënë të këndshme për veshin, por të pakuptueshme për mendjen e shumicës dërrmuese të atyre që do të censorohen. Census vjen nga folja censore, që në latinisht do të thotë vlerësoj. Census u quajt në Romën e Lashtë regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet pasurisë së qytetarëve për t’i ndarë ata në kategori, sipas të cilave do të paguheshin taksat. Shekuj më vonë, në fillimet e erës moderne, censusi u mor si term për të shprehur detyrimet që duhej të paguanin borgjezët e rinj të qyteteve për të gëzuar të drejtat politike. Unë besoj se ministri Pollo e njeh mjaftueshëm origjinën dhe përmbajtjen e këtij termi të hershëm, si dhe evoluimin e tij në kohë. Në përdorimin që zoti Pollo i bën sot këtij termi përfshihet vetëm një nga kuptimet e tij fillestare e që është regjistrimi i pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Ministri Pollo i ka dhënë vetes të drejtë ta përshtatë këtë term në shqip pa marrë parasysh përmbajtjen e tij të ngulitur, por duke ndjekur vetëm qëllimet e qeverisë, që do të thotë se ne jemi tashmë të detyruar të kuptojmë me “census” jo vetëm regjistrimin e pasurisë së secilit prej nesh (gjë shumë e nevojshme), por edhe regjistrimin e popullsisë, madje një regjistrim i kategorizuar imtësisht edhe sipas përkatësisë etnike, edhe sipas përkatësisë fetare të secilit qytetar të këtij vendi. Një detyrim i tillë ne na vjen nga ligji i nxjerrë posaçërisht për këtë punë dhe i miratuar në Parlament pa ndonjë debat të madh. Zbatimi i këtij ligji ka filluar tashmë prej javësh me ngritjen e grupeve të punës dhe pajisjen e tyre me logjistikën e nevojshme nëpër të gjitha rrethet e vendit. Është e qartë, pra, se qeveria është e vendosur t’i përmbahet deri në fund pikësynimit të vet. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për ta shtyrë Berishën të ndërrojë mendje, është e kotë. Pyetja që më vjen mua të shtroj tani është: si do të përmbyllet ky census? Në vijim të kësaj pyetjeje, po përpiqem të ngre me këtë rast vetëm dy shqetësime. 1. Shqetësimi i parë buron nga një kërkesë e ardhur pothuaj në mënyrë ultimative nga OMONIA, e shprehur publikisht nga dega e kësaj organizate në Korçë, por që mjafton për ta marrë me mend se ky nuk është një zë periferik, por del drejtpërdrejt nga truri i OMONIA-s. OMONIA kërkon qartë dhe prerë të ketë përfaqësuesit e vet në grupet e punës që do të kryejnë regjistrimin e popullsisë në terren. Pak ditë më pas, pikërisht ditën e Bajramit të Madh, drejtuesit e Komunitetit Mysliman në Elbasan ndërmorën nënshkrimin e një peticioni drejtuar Kryeministrit Berisha si dhe, për dijeni, Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, nëpërmjet të cilit kërkojnë garanci të plota për transparencë gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e përkatësisë etnike dhe asaj fetare. Edhe në këtë rast nuk më duket gabim të besohet se ky zë shpreh shumë më tepër se merakun e besimtarëve myslimanë të Elbasanit. Një garanci të tillë për transparencë të plotë besimtarët myslimanë do ta merrnin vetëm duke pasur po ashtu drejtpërdrejt përfaqësuesit e vet në monitorimin e procesit. Më tej, me një gjuhë po aq ultimative sa edhe drejtuesit e minoritetit grek, edhe drejtuesit e bashkësisë myslimane të Elbasanit paralajmërojnë se në rast parregullsish, besimtarët myslimanë të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë do ta bojkotojnë procesin. Mund të ketë edhe zëra të tjerë nga minoritetet etnike apo komunitetet fetare që janë shprehur në të njëjtën mënyrë, por që mua nuk më kanë rënë në sy nëpër paraqitjet e ndryshme mediatike. Gjithsesi, edhe kaq mjafton për të kuptuar se procesi i regjistrimit të popullsisë shqiptare mbi bazën e përkatësisë etnike dhe fetare, ende pa filluar, është i brejtur nga një dyshim i rrezikshëm ndaj njerëzve të qeverisë që do të paguhen me paratë e taksapaguesve për ta kryer këtë punë. Bën përshtypje që qeveria nuk e ka ndjerë fare të nevojshme t’u japë një përgjigje sadopak qetësuese këtyre alarmeve. Në shqipen burimore do të thuhej se qeveria s’e ka vënë fare ujin në zjarr, pavarësisht se grekët përbëjnë numerikisht minoritetin etnik më të madh që jeton në Shqipëri dhe myslimanët po ashtu përbëjnë komunitetin fetar më të madh. A kanë ndonjë lidhje këto dy qëndrime njëra me tjetrën? Asgjë nuk është thënë publikisht nga OMONIA e as nga Komuniteti Mysliman. Hamendësimet apo ndalja te nënkuptimet nuk më duken një rrugë e përshtatshme për ta kërkuar përgjigjen në këtë rast. E gjej me vend vetëm të përmend kujtesën që i drejton imami Bledar Haxhiu në të njëjtën ditë me peticionin po në Elbasan “qeverisë dhe qeveritarëve, të cilët kanë mbi supe përgjegjësi të madhe, të jenë të vëmendshëm gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Sa më e madhe është përgjegjësia, aq më e madhe është edhe llogaridhënia para popullit. I bëj apel qeverisë të mos bëhet pre e dashakeqësve që nuk duan që populli ynë të jetë ballëlartë. Nuk pranojmë që për interesat e vogla dhe mjerane të qeveritarëve, populli të bjerë në kurthe, për të cilat historia do t’i dënonte mjeranët dhe dashakeqët”. Gjuha e imamit duket e ashpër sa nuk ka ku shkon më tej. Në thelb, e njëjta ashpërsi shprehet edhe në mesazhin e ardhur nga minoriteti grek. Vetëm se gjuha aty është më e stërholluar. Por, ambalazhi nuk ka ndonjë rëndësi në këto rrethana. Gjithkush në Shqipëri e di se minoriteti grek dhe komuniteti mysliman, kur është fjala për regjistrimin e përkatësisë fetare dhe etnike të qytetarëve të këtij vendi, nuk bashkohen tek e njëjta frikë. Ajo që ka rëndësi të veçantë të vihet në dukje, është mosbesimi i thellë që kanë në paanësinë e qeverisë gjatë këtij procesi si minoriteti grek, ashtu edhe Komuniteti Mysliman. Në qoftë se qeveria nuk gjen forcën ta qetësojë këtë dyshim qysh tani, ai, me siguri, gjatë zhvillimit të regjistrimit, vetëm do të rritet e të intensifikohet dhe do të ketë një ndikim të fortë dëmtues si mbi procesin, ashtu edhe mbi rezultatin. Me të drejtë a pa të drejtë, ky proces paraqitet i paragjykuar. Jam i sigurt se ministri Pollo, ashtu si edhe Kryeministri Berisha, e dinë fare mirë se një proces i paragjykuar, – i çfarëdo natyre qoftë ky proces, – kurrë nuk është përmbyllur me suksesin e dëshiruar. 2. Është edhe shqetësimi tjetër. Në bazë të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, do të duhej që ky regjistrim i popullsisë të kryhej në përputhje të plotë me “Konventën kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare të Këshillit të Europës”, e cila sanksionon si parim bazë dhe të vetëm vetëdeklarimin e individit lidhur me përkatësinë e tij kombëtare. Ndërkohë, në fillim të korrikut, pak para mbylljes së vitit të kaluar parlamentar, u kryen ndryshimet e fundit në ligjin e posaçëm për censusin tonë. Aty parashikohen penalitete (me gjoba) për ata që “gënjejnë” mbi përkatësinë e tyre etnike. Ky lëshim u bë nga maxhoranca qeverisëse – siç thuhet nën zë – vetëm për të qetësuar dy deputetët çamë të PDIU, – argument aspak parimor ky, por kjo është çështje tjetër. Për t’u vënë në dukje është fakti se këto penalitete “të ligjshme” i bien ndesh pikërisht parimit të vetëdeklarimit. Ky demarsh pragmatist nga ana e qeverisë nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e atyre shteteve, të cilat, me të drejtë ose pa të drejtë, pretendojnë për ekzistencë të minoriteteve të tyre etnike brenda territorit të Republikës tonë. Kështu dimë se ka reaguar Serbia, Maqedonia, Greqia, Bullgaria e Rumania. Të gjitha këto shtete janë anëtare të Këshillit të Europës. Tri prej tyre janë edhe anëtare të Bashkimit Europian. Një rrudhje të qartë buzësh pamë në televizion edhe nga anëtarët e Delegacionit të Këshillit të Europës para pak ditësh, ardhur në Shqipëri për vizitën e zakonshme vjetore faktmbledhëse mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve. Nëse besojmë qeverinë tonë, – dhe ka arsye ta besojmë, – ky regjistrim (census) i popullsisë mbi bazën e përkatësisë etnike dhe fetare është ndërmarrë me qëllimin e mirë për t’iu dhënë fund një herë e mirë me fakte hamendjeve apo edhe spekulimeve që nuk mungojnë mbi kompozimin etnik dhe fetar të popullsisë në Republikën e Shqipërisë. Rrjedhimisht, do të duhej që rezultati përfundimtar i këtij regjistrimi (censusi) t’u jepte fund sidomos spekulimeve që shpërndahen rregullisht nëpërmjet kanaleve zyrtare apo gjysmëzyrtare nga Athina, Beogradi, Shkupi apo Bukureshti jo vetëm për opinionin e tyre të brendshëm, por edhe në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare mbi numrin e grekëve, serbëve, maqedonasve apo arumunëve me shtetësi shqiptare. Këto spekulime, për hir të së vërtetës, nuk kanë qenë pa pasoja të dëmshme apo edhe shumë të dëmshme në imazhin e Shqipërisë së dy dekadave të fundit. Prandaj edhe çdo përpjekje e qeverisë apo e shtetit shqiptar për ta sqaruar të vërtetën, – të paktën për ata që duan ta dinë, – është e lavdërueshme. 3. Po çfarë ka rrezik të ndodhë kësaj here? Zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë pranohet sot se 2.8 për qind e popullsisë është me përkatësinë etnike joshqiptare, që do të thotë grekë, maqedonas etj. Edhe sikur ndryshimet e bëra së fundi në ligj për ta ndëshkuar me gjobë deklarimin e rremë të përkatësisë etnike të mbahen në fuqi deri në fund, pavarësisht se i bien ndesh parimit të vetëdeklarimit garantuar nga “Konventa kuadër e Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare”, ku vendi ynë është palë, përsëri kjo përqindje do të shumëfishohet. Nuk dua të bëj asnjë prognozë se sa mund të shkojë kjo përqindje dhe as përse do të ndodhë kështu thjesht për të mos u bashkuar publikisht me ata që i tremben manipulimit gjatë regjistrimit. Po shpreh vetëm bindjen se kjo përqindje do të shumëfishohet dhe po ndalem me kaq, duke uruar me gjithë shpirt të jem i gabuar. E keqja që dua të nënvizoj unë është tjetër kund. Sido që të dalë rezultati zyrtarisht, protestat e ardhura diplomatikisht apo edhe publikisht tashmë nga kryeqytetet e lartpërmendura paralajmërojnë se ky rezultat do të vihet në dyshim, do të përflitet e do të përbaltet pikërisht për shkak të shkeljes me ligj nga ana e qeverisë tonë të parimit të vetëdeklarimit. E para, siç ma merr mendja mua, që do e ngrejë zërin dhe madje fort, do të jetë Greqia, e cila as që do e kafshojë sadopak buzën pse nga ana e vet nuk e ka ratifikuar në Parlament “Konventën e Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve”. Dhe ky kontestim i rezultatit nga këto vende do të bëhet pa u kryer asnjë verifikim i ndershëm në terren mbi efektet reale të këtyre klauzolave me të cilat u arnua ligji e për të cilat specialistët thonë se janë praktikisht të pazbatueshme. Këshilli i Europës, nga ana e vet, do të jetë i detyruar të shkruajë në raportet e tij se gjatë këtij regjistrimi (censusi) u shkel haptas parimi i vetëdeklarimit. Këto raporte do të shërbejnë në vazhdim si mbështetje e konfirmuar ndërkombëtarisht për pesë vendet që janë shprehur tashmë si të cenuara nga ligji ynë. Shtohet këtu dhe mundësia që do të kenë e që sigurisht do ta shfrytëzojnë deri në fund edhe tri nga këto vende, Greqia, Bullgaria dhe Rumania, për ta shtruar problemin edhe në të gjitha nivelet e Bashkimit Europian. Në fjalë të fundit, Shqipëria do të gjendet me një imazh ndërkombëtar të përkeqësuar dukshëm. Pra, do të ndodhë krejt e kundërta e asaj që shpall qeveria se do të arrihet në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare përmes këtij regjistrimi. Të gjithë punën e madhe, kryer nga Diplomacia shqiptare gjatë këtyre njëzet vjetëve për ta vënë në shërbim të imazhit të vendit realitetin e standardeve përgjithësisht të përmbushura lidhur me të drejtat e minoriteteve, do e marrë lumi, punë e mbështetur me ndershmëri edhe nga raportet e Van der Linden më shumë se pesëmbëdhjetë vjet të shkuara. Kjo është një analizë e thjeshtë, të cilën qeveria me siguri e ka bërë. Ama unë nuk e marr vesh fare-fare se nga i buron optimizmi qeverisë tonë se ky regjistrim (census), kështu siç do të bëhet, do të dalë në të mirë të vendit tonë qoftë në planin e brendshëm, për ta forcuar kohezionin e shoqërisë tonë duke rritur mirëkuptimin midis komuniteteve etnike dhe fetare e qoftë ne planin e jashtëm duke përmirësuar imazhin e Shqipërisë si një vend i lulëzimit të të drejtave të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare të secilit shtetas.