English

Thaçi: Çështja Limaj nuk duhet të personalizohet

E diel, 25 shtator 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se në asnjë rang, politika nuk duhet të komentojë vendimet e organeve të drejtësisë duke precizuar se çështja Limaj nuk duhet të personalizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve. Në një intervistë ekskluzive për Kosovapress, kryeministri i Kosovës e cilësoi të suksesshme vizitën e tij në Nju Jork kuadër të delegacionit shtetëror nga Kosova. Ai theksoi se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve ka marrë mbështetje për arritjet në vend, si dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri. Shefi i ekzekutivit të Kosovës ripërsëriti se vendosja e policëve dhe doganierëve të Kosovës në veri ishte një veprim i domosdoshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit. Sipas Thaçit strukturat kriminale serbe, të cilat kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të përballen me organet e drejtësisë. Më tej intervista e plotë e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Kosovapress: A mund të na thoni si kaluat në vizitën këtu në SHBA?

Thaçi: Vizita në SHBA, takimi me Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon ishte në mbështetje të të gjitha arritjeve në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, takimi me Sekretaren e Shtetit, znj. Klinton ishte një mbështetje e fuqishme e SHBA-ve për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, për respektimin e plotë të integritetit territorial, për fuqizimin e sovranitetit të shtetit tonë, për bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe ndërshtetëror mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, në kuadër të kësaj edhe me Serbinë. Po ashtu, edhe takimi tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm me Baroneshën Eshton, ishte në vazhdën e përkushtimeve tona të mëdha për integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës. Flas me besim të plotë se tetori do të jetë muaji i përkushtimit të ofertës konkrete nga Brukseli për Kosovën për procesin e liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare. Kjo po ndodh për herë të parë për Kosovën dhe në fakt dhe de-jure Kosova do të trajtohet si shtet nga vendet e BE-së. Në kuadër të kësaj vizite kemi zhvilluar takime bilaterale me lidershipin botëror të vendeve të ndryshme të të gjitha kontinenteve. Është e rëndësishme se të gjitha vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës e përshëndesin progresin, dhe ndihen mirë dhe krenar. Ato vende që janë në proces të njohjes do të përshpejtojnë njohjet, se edhe ato vende që kanë pasur hezitime janë shumë të qarta se e vetmja zgjidhje është njohja e pavarësisë së Kosovës. Pra, është një mbështetje e gjithëmbarshme botërore për Republikën e Kosovës.

Kosovapress: A morët mbështetje ndërkombëtare nga takimet që patët, sidomos me diplomatë amerikanë dhe Baroneshën Eshton rreth veprimit tuaj për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës?

Thaçi: Zhvillimet e 25 korrikut janë ato që kanë përcaktuar hapat e mëtutjeshëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, të respektimit të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Tanimë, definitivisht me një mbështetje të plotë dhe unike gjithëndërkombëtare, edhe të EULEX-it, NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve, doganierët dhe policët e Kosovës janë në pikat 1 dhe 31. Kjo nuk është çështje vetëm e ndaljes së kontrabandës, sepse kontrabanda është ndalur qind për qind, por është edhe mesazhi se Kosova është një, e pandashme, unike, me kufij të pandryshuar dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare. Situata është e qetë, por me tensione për shkak të bllokadave. Barrikadat janë një rezistencë e jashtëligjshme dhe njerëzit që kanë krijuar probleme, që kanë shkaktuar dhunë, strukturat kriminale dhe ilegale do të ballafaqohen me drejtësinë, në mënyrë që edhe në veri të Mitrovicës të ketë rend, ligj, zgjedhje të lira, lidership të zgjedhur dhe do të ketë investime socio-ekonomike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëparshme, do të ketë një mbështetje të plotë që është konfirmuar në takime me zotin Ban Ki-Mun, me sekretaren e Shtetit, znj. Klinton dhe Baroneshën Eshton për hapat tonë të mëtutjeshëm në veri të Mitrovicës. Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog ndërshtetëror për çështje teknike me Serbinë, ku tash do të bisedohet për energjetikë dhe telekomunikacion. Do të kemi edhe funksionimin e gjykatës në veri dhe do të krijohen kushtet që me fillimin e funksionimit të rendit dhe ligjit të fillojë të funksionojë edhe rendi demokratik, por edhe investimet. Atje është një grup njerëzish që shkelin vazhdimisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që punojnë në kundërshtim me dokumentin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244. Këta njerëz do të ballafaqohen me drejtësinë dhe do të jemi të pa kompromis, dhe do të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm të konsolidimit të shtetit tonë.

Kosovapress: Zoti Fatmir Limaj është në arrest shtëpiak, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetëve. Cili është opinioni juaj për këtë proces ndaj Limajt?

Thaçi: Mendoj që politika nuk duhet në asnjë rang të komentojë vendimet e organeve të drejtësisë dhe këtë qëndrim e respektoj edhe sot, dhe është inkurajues qëndrimi i politikës kosovare që të respektojë organet e drejtësisë. Çështja nuk duhet të personalizohet dhe individualizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese.

KOMENTE