Prishtinë, 25 shtator 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar lidhur me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe konkluzionet e arritura më 2 shtator mes Edita Tahirit dhe Borislav Stefanoviç. “Serbia kurrë nuk ka pasur bisedime më të suksesshme sesa këto që aktualisht po i zhvillon me Kosovën në Bruksel. Jo për shkak të Qeverisë së Serbisë dhe Borislav Stefanoviçit, por duke iu falenderuar Qeverisë së Kosovës dhe Edita Tahirit”, thuhet në qëndrimin e Vetëvendosjes. Në këtë linjë theksohet se diskutimin me Stefanoviçin për punët e brendshme të Kosovës, znj.Edita Tahiri e vazhdoi dhe e kurorëzoi me marrëveshje të reja, kësaj radhe për vulat doganore dhe kopjet e dokumentacionit kadastral, duke i cilësuar këto marrëveshje të reja që zëvendëskryeministrja po i bënte përkundër faktit se me 25 e 26 korrik u vra një polic i Kosovës dhe shumë të tjerë u plagosën e lënduan në veri dhe përkundër bllokimit fizik të veriut nga strukturat ilegale e armiqësore të Serbisë në ballë të së cilave shumë shpesh shihet pikërisht Borislav Stefanoviç. Sipas Vetëvendosjes, konkluzioni i dakorduar më 2 shtator për vulat doganore i përmban vetëm tri fjali të shkurtra dhe me kaq pak tekst s’kanë mundur të bëjnë më shumë dëm. Duke listuar pikat e marrëveshjes, ku theksohet se Serbia nuk po e jep dokumentacionin kadastral origjinal sepse konsideron që posedimi i tij është prerogativë e sovranitetit dhe theksohet se rrjedhimisht, i përket sovranit pastaj që të vendos se çfarë mund të shihet prej asaj që është në pronësi të sovranit. a.y/NOA