Athinë, 26 shtator 2011 NOA - Askush nuk do ta donte fatin e saj. Sepse një 35 vjeçare shqiptare, emigrante prej vitesh në Greqi, pasi është rrëzuar dhe plagosur pasi u përplas nga një makinë në ecje e sipër, ka pësuar një aksident të dytë me autoambulancën që erdhi e mori në ndihmë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 20.00 në rrugën “Petru Ralli” nr 52 në Athinë, kur 35-vjeçarja është rrëzuar duke pësuar dëmtime serioze në trup dhe në kokë. Duke e parë të dëmtuar, një kalimtar i rastit ka kërkuar me celular ardhjen e ndihmës së shpejtë dhe në pak minuta aty ka mbërritur një autoambulancë e cila ka marrë të plagosurën. Por vetëm disa minuta më vonë, rrugës për në spitalin e Pireut, autoambulanca është përplasur me një taksi, ndërsa ishin duke përshkuar lagjen “Thiva”, te kryqëzimi i rrugës “Argjirion”. Si rezultat i përplasjes së fortë mes dy mjeteve, 35 vjeçarja u dëmtua edhe më shumë. Të lënduar në aksident, mbetën edhe shoferi i ambulancës, shoferi i taksisë dhe mjeku i urgjencës që erdhi t’i jepte ndihmën e shpejtë 35 vjeçares e cila tani gjendet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Pireut. Policia tha se në lidhje me ngjarjen e dyfishtë është duke hetuar sektori i aksidenteve rrugore të rajonit Koridhalo e.t/NOA