Paris, 26 shtator 2011, NOA - Opozita e majtë në Francë ka arritur të marrë për herë të parë që prej vitit 1958, kontrollin e Senatit. Partia Socialiste dhe aleatët e saj të majtë kanë marrë shumicën absolute vetëm pak muaj para zgjedhjeve presidenciale në vend. Nga rezultatet paraprake, të majtët kanë marrë rreth 23 vende më shumë sesa krahu i djathtë. Të majtët pritet të kenë 170 vende në Senat nga 348 vende që ka gjithsej kjo dhomë e parlamentit francez. Fitorja e të majtëve shihet nga analistët si një rënie e ndjeshme e popullaritetit ndaj të djathtëve të presidentit Nikolas Sarkozi. Ky rezultat sipas analistëve do të ndikojë edhe në zgjedhjet e ardhshme për pallatin Elisee që do të mbahen në muajin prill. mit/NOA