English

Greqia mbyll kufijtë më Shqipërinë

Tiranë, 26 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Mbyllen të gjitha pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Policia shqiptare ka njoftuar zyrtarisht se, për dy ditë, përkatësisht, nga ora 07.00 e ditës së martë, datë 27.09.2011, deri në orën 07.00 të ditës së enjte, për shkak të një greve të punonjësve të Doganës Greke, në Pikat e Kalimit Kufitar me shtetin grek nuk do të lejohet kalimi i automjeteve, por vetëm i udhëtarëve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, shpërndarë mediave, policia e shtetit kërkon nga qytetarët që të marrin masat e nevojshme, pasi në të gjitha pikat e kalimit me Greqinë do të bëhet vetëm përpunimi i personave. Në këtë mënyrë, greva e punonjësve të doganave greke po paralizon edhe transportin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Greqia është paralizuar nga një grevë 24 orëshe e transportit publik. Rrugët e kryeqytetit grek Athinë dhe qyteteve të tjera të mëdha janë në kaos, pasi qytetarët grekë po qarkullojnë nëpër rrugë me makinat e tyre vetjake. Pjesa dërrmuese e grekëve kundërshtojnë masat shtrënguese antikrizë të ndërmarra nga qeveria Papandreu në emër të shpëtimit të vendit nga falimentimi. a.q/NOA

KOMENTE