Athinë, 26 shtator 2011, NOA – Greqia është paralizuar nga një grevë 24 orëshe e transportit publik. Rrugët e kryeqytetit grek Athinë dhe qyteteve të tjera të mëdha janë në kaos, pasi qytetarët grekë po qarkullojnë nëpër rrugë me makinat e tyre vetjake. Pjesa dërrmuese e grekëve kundërshtojnë masat shtrënguese antikrizë të ndërmarra nga qeveria Papandreu në emër të shpëtimit të vendit nga falimentimi. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm punonjësit e Transportit publik nuk nisën punën duke protestuar ndaj masave të ashpra antikrizë. Greva e Transportit publik është lajmëruar se nuk do të ndalet edhe të martën kur taksistët kanë paralajmëruar një tjetër grevë 24 orëshe. Kësaj pritet t’i bashkohen edhe punonjësit e transportit publik. Ndërkohë, edhe studentët në vijim të kundërshtimeve ndaj masave drastike të qeverisë në reformën në arsim, të indinjuar kanë hyrë në mjediset e televizionit shtetëror NET, duke ndërprerë edicionin e lajmeve. Mbrëmë, Athina u përfshi nga një protestë masive kundër taksave për pasuritë e paluajtshme, protestë, e cila u shoqërua edhe me përleshje mes protestuesve dhe policisë, të cilët shmangën mësymjen e demonstruesve në parlament. Sindikatat greke kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave. Sipas tyre protestat janë e vetmja zgjidhje e qytetarëve për të shprehur indinjatën kundër masave shtrënguese të qeverisë për reduktimin e defiçitit buxhetor, dhe përmbushjen e objektivave të institucioneve financiare ndërkombëtare. mit/NOA