Tiranë, 26 shtator 2011, NOA - Sot dhe nesër, zhvillohet në Tiranë, Forumi i Parë i Projektit të Monitorimit për komunikimet elektronike dhe shoqerise e informacionit per vendet kandidate dhe potencial-kandidate te Bashkimit Evropian. Projekti është një iniciativë trevjeçare që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga kompania Cullen International. Vendet që do të monitorohen në këtë projekt - Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Islanda, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Turqia, të pranishme në Forum, të cilat janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt BE-së - u është dhënë perspektiva për t'u bërë anëtarë të të kësaj organizate sapo të përmbushin kushtet e nevojshme. Objektivi kryesor i projektit është që të ndihmojë Komisionin Evropian dhe autoritetet në vendet kandidate dhe potencial-kandidate te BE-së në monitorimin e progresit të bërë nga secili prej tyre drejt përputhjes me rregullat e BE-së për komunikimet elektronike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit, si dhe të konvergjencës me tregun e brendshëm të BE. Për këtë qëllim, projekti do të hartojë katër studime të përkohshme dhe do të raportojë çdo nëntë muaj në periudhën 2011-2013.
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo i cili ishte mikpritësi i këtij eventi në Tiranë, u shpreh në një deklaratë për mediat: “Sot për herë të parë mbahet në Tiranë forumi i Cullen International. Është një organizatë e cila në emër të BE-së bën studime krahasuese në fushën e komunikemeve elektronike. Është një kënaqësi e veçantë që Shqipëria bëhet mikëpritësja e këtij forumi, i cili deri tani është mbajtur në vende të tjera të BE-së. Për mua është një kënaqësi e veçantë të paraqes sfidat tona por edhe disa nga arritjet që janë të ndjeshme për publikun e gjerë. Flas për rritjen e konkurrencës në tregun e telefonisë lëvizëse dhe për çmimet e ulta. Nëse kujtohemi ku kemi qenë 3 apo 7 vjet më parë, të gjithë e mbajmë mend se sa paguanim për të folur 1 minutë në celular . Sot, në sajë të të rregullimit të tregut, të portabilitetit të numrit, të operatorëve të rinj në treg, kemi oferta, paketa kompetitive, çmimet reale kanë rënë dhe janë bërë të krahasueshme me vendet ku konkurrenca funksionon. Ky është një nga shembujt e arritjeve të viteve të fundit, të cilat raporti i Cullen International i pasqyron. Po ashtu mund të themi që në 6 vitet e fundit kemi kërcyer nga 4% të penetrimit të internetit në mbi 50%, në sajë të masave, të investimeve, kuadrit rregullator, legjislacionit përkatës, por edhe falë investimeve direkte të Qeverisë. Dhe është rasti për të falenderuar Komisionin Evropian për përkrahjen që i ka dhënë Cullen International për vendet e ndryshme në këtë aspekt dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për të arritur të gjitha normat e kërkuara nga Kapitulli X i Shoqërisë së Informacionit.”
Ndërsa z. Olivier Pascal, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Forum tha: “Jemi shumë të gëzuar që jemi në Shqipëri, e cila mikëpriti projektin e Monitorimit per komunikimet elektronike dhe shoqerise e informacionit. Është e njohur tashmë rëndësia e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit në këto kohë të vështira të ekonomisë botërore dhe ne mendojmë se për tu rimëkëmbur TIK është thelbësore. KE ka një agjendë digjitale e cila inkurajon përdorimin e TIK në mbështetje të qyetarëve dhe biznesit dhe ne besojmë që edhe Shqipëria është pjesë e kësaj agjende. Me anë të këtij projekti, këtij mekanizmi vlerësimi dhe monitorimi shpresojmë që edhe Shqipëria do të arrijë të bashkohet me përpjekjet tona për të liberalizuar këtë sektor.”
Ne thelb Forumi dy-ditor beri prezantimin e raportit te pare te monitorimit, si dhe pati diskutime mbi ceshtje me interes te zhvillimit te vendeve te rajonit sipas praktikes evropiane per komunikimet elektronike dhe shoqerise e informacionit. Nder ceshtjet qe u diskutuan ishin politikat spektrale, sherbimi universal, mbrojtja e konsumatorit, konvergjenca midis sherbimeve telefonike fikse dhe atyre te levizshme, etj. a.q/NOA